28 Mars 2024

Kriza e re e ekonomisë evropaine

Athinë, 15 shkurt - Rigjallërimi i ekonomisë evropiane po përballet me vështirësi të reja. Disa nga vendet kryesore të BE`së po njoftojnë se rritja e tyre ekonomike është ndalur. Vendet e eurozonës kanë njoftuar se ekonomitë e tyre u rritën vetëm 0,1 për qind gjatë tremujorit të fundit të 2009-ës.

Ndërkaq, qytetarët në Greqi vazhdojnë të jenë të shqetësuar për të ardhmen e ekonomisë së vendit, një ditë pas deklaratës së udhëheqësve evropianë në mbështetje të Greqisë, por ku nuk jepeshin hollësi se si do të nxirret vendi nga kriza e borxheve.

Gjendja ekonomike në Greqi e ka zhytur euron në krizën më të thellë që nga krijimi i kësaj monedhe 11 vjet më parë. Mes zyrtarëve dhe investitorëve evropianë po rriten shqetësimet se problemet financiare të Greqisë mund të përhapen edhe në vendet e tjera.

Megjithatë, tregjet e bursës në fund të javës u rritën në klimën e optimizmit të krijuar nga ndihma evropiane për Greqinë, nga mendimi se kjo ndihmë mund të shmangë një krizë më të gjerë mes 16 vendeve që përdorin euron.

Vendet e euros u shprehën të gatshme në samitin e jashtëzakonshëm të BE-së të enjten në Bruksel, që ta mbështesin vendin për të ruajtur qëndrueshmërisë së euros. Megjithatë, premtime financiare konkrete nuk u dhanë. Rrethanat shpjeguese të krizës:

Tre kërkues të Institutit të Ekonomisë Gjermane, me qëndrim të afërt me punëdhënësit, kanë hulumtuar në gati 100 faqe se sa i madh është rreziku i falimentimit shtetëror për Greqinë. Normat e interesit prej rreth 7 për qind për obligacionet shtetërore greke janë ende më të ulta sesa në fillim të viteve nëntëdhjetë, thotë Jürgen Matthes, njëri prej autorëve të studimit.

"Megjithatë, ekziston rreziku që tregjet financiare të bëhen nervoze, t'i ngrenë normat e interesit edhe më lart, dhe që në këtë mënyrë dikur të bëhet e vështirë për Greqinë, që të rifinancohet në tregun monetar. Vjen afati i shlyerjes së huave, ato duhen të rifinancohen me hyrje të re në hua dhe në rast se kjo nuk është më e mundur për Greqinë, atëherë ndodh pamundësia e pagesës për shtetin dhe kemi problemin e një falimentimi të mundshëm shtetëror."

Disiplina buxhetore strikte ka gjithashtu efekte të padëshirueshme

Natyrisht, një mbingarkesë e mundshme me borxhe synohet t'i dilet përpara duke përqafuar një disiplinë buxhetore strikte, pra një kurs të ashpër kursimi. Por atëherë kërcënon një spirale që shkon tëposhtë: Më pak shpenzime shtetërore, më pak punësim, më pak konsum, më pak të ardhura nga taksat, gjë që shpie në më pak investime publike, e kështu me radhë. Perspektiva jo të mira pra. "Në rast se Greqia falimenton, kjo në radhë të parë është katastrofë e madhe për politikën ekonomike greke dhe për barrën e përshtatjes, që do të lindë. Kësaj i shtohet mundësia që të tërhiqen edhe shtete të tjera brenda eurozonës," thotë kërkuesi Matthes.

Spanja burim edhe më i madh rreziku

Gurët e dominosë janë ngritur tashmë: Ata quhen Spanjë, Itali, Irlandë dhe Portugali, dhe ata mund të rrëzohen në këtë renditje. "Vatra e mirëfilltë e zjarrit nuk është Greqia, por Spanja", shkruan për shembull fituesi i çmimit Nobel në ekonomi Paul Kugman në blog-un e tij për gazetën New York Times.

 

Arsyeja: Me 11,4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto Spanja nuk është aq e zhytur në borxhe sa Greqia me 12,7 për qind të saj, por ekonomia e Spanjës është 4,5 herë më e madhe sesa ajo greke dhe përkatësisht i madh është rreziku. Për këtë arsye kërkuesit e Institutit të Ekonomisë Gjermane e këshillojnë Greqinë që të marrë një ilaç shumë të hidhur, të kërkojë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.



Ndërkaq, të dhënat tregojnë se kriza financiare është më e rëndë sesa parashikohej dhe qytetarët e vendeve të Evropës shprehin mosbesim në përmirësimin e situatës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)