19 Janar 2022

Kreditimi bankar po vazhdon të kontribuoj në rritjen ekonomike

Prishtinë, 25 nëntor - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore po vazhdon të jap kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes këtij institucioni dhe KFW-së, Guvernatori Mehmeti vlerësoi se granti në vlerë prej 6 milionë euro, do të mundësojë rritjen e mëtejme të potencialit garantues FKGK-së, duke bërë të mundur rritjen e numrit të përfituesve nga garancionet që lëshon ky institucion, me çka një numër më i madh i individëve apo bizneseve me vështirësi të qasjes në financim kreditor, do të mund të sigurojnë qasje me kushte lehtësuese në këtë burim financimi.

“Kreditimi bankar vazhdon të jetë një burim shumë i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit të sektorit privat në Kosovë. Vlera e kredive bankare deri në shtator 2021 ka arritur në 3.57 miliard euro, duke shënuar një rritje të konsiderueshme vjetore prej 12.2%.“

“Sidoqoftë, me gjithë trendin e kënaqshëm të rritjes së kreditimit bankar, konsiderohet se shkalla e ndërmjetësimit financiar në Kosovë vazhdon të jetë nën mesataren e vendeve të rajonit, gjë që tregon se, në raport me madhësinë e ekonomisë, ekziston hapësirë e mëtejmë për zgjerim të aktivitetit kredidhënës”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori ka thënë tutje se pret që përveç mbështetjes së rritjes së financimit kreditor në përgjithësi, portofoli i FKGK-së çdo ditë e më tepër të reflektojë rritjen e mbështetjes kreditore për sektorët me vështirësi më të madhe të qasjes në financim kreditor, por të cilët kanë potencial për të dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)