28 Mars 2024

Kosova të përqendrohet në krijimin e vendeve të punës

Uashington, 21 tetor – Kosova dhe pjesa tjetër e rajonit të Ballkanit Perëndimor po rikthehen nga recesioni i vitit 2020 i shkaktuar nga COVID-19, falë një rimëkëmbjeje më të shpejtë sesa pritej në 2021, thotë edicioni i fundit i Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Rimëkëmbje e Gjelbër, që u publikua sot. Prodhimi në vitin 2021 në Kosovë pritet të tejkalojë nivelet e vitit 2019 deri në fund të vitit, por rreziqet për parashikimin mbeten të larta pasi vendi vazhdon të përballet me pandeminë.

Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind pas një rikthimi më të fortë sesa pritej në vizitat e diasporës, rikthimin e besimit të konsumatorëve, dhe rritjen e kredive për konsum. Eksportet e mallrave vazhduan zgjerimin dhe diversifikimin gradual të tyre nga viti 2020.

Megjithatë, presionet e ndjeshme të inflacionit, kryesisht nga çmimet më të larta të importit, mund të minojnë një rimëkëmbje më të fortë në investimet private. Të hyrat publike po përjetojnë një rikthim të paparë për shkak të aktivitetit më të lartë ekonomik, por edhe për shkak të inflacionit më të lartë dhe masave të përmbushjes tatimore. Si rezultat, dhe kundrejt nën-ekzekutimit në investimet publike, deficiti fiskal pritet të ulet në 2021.

Menaxhimi i pandemisë, duke përfshirë vaksinimin e përshpejtuar, mbetet prioritet në të ardhmen e afërt. Valët dhe variantet e reja të pandemisë mund të rëndojnë perspektivën e rritjes nëse rivendosen kufizime më të rrepta ndërkombëtare apobrenda vendit në lëvizje.

“Duhet të krijohet një shtytje për më shumë mundësi ekonomike, me politika dhe investime që fokusohen në reforma afatgjata për të transformuar rrënjësisht modelin e rritjes së Kosovës në një model që krijon vende të punës duke u udhëhequr nga produktiviteti më i lartë,” tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Vendit i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “E njëjta thirrje vlen për të gjithë rajonin.”

Perspektiva për rajonin është përmirësuar ndjeshëm, me rritje të PBB-së që tani parashikohet të arrijë në 5.9 për qind në 2021, pas tkurrjes prej 3.1 për qind në vitin 2020. Rritja në rajon parashikohet të arrijë 4.1 për qind në 2022 dhe 3.8 për qind në 2023. Norma e varfërisë për rajonin parashikohet t’i rikthehet trendit të saj para-pandemik me rënie, dhe të bjerë me rreth 1 pikë përqindjeje në 20.3 për qind, afër nivelit të vitit 2019.

Rimëkëmbja në të gjithë rajonin vjen për shkak të fuqisë si në kërkesën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Një rikthim i mprehtë i konsumit të brendshëm dhe udhëtimeve në të gjithë Evropën ndihmoi në rritjen e remitancave të emigrantëve si dhe flukseve hyrëse të turizmit gjatë sezonit të verës të vitit 2021. Një rimëkëmbje e fortë në ekonomitë e përparuara i dha gjithashtu hov kërkesës për eksportet e rajonit.

Sidoqoftë, rimëkëmbja mbetet e brishtë. Sinjalet e hershme paralajmëruese nga tregu i punës kërkojnë vëmendje të afërt të nivelit të politikave. Humbjet e vendeve të punës nga recesioni dhe pasojat e tij kanë prekur në mënyrë joproporcionale gratë dhe të rinjtë, gjë që mund të pengojë përpjekjet për të rritur normat historikisht të ulëta të rajonit për sa i përket pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore. Papunësia e të rinjve u rrit në 37.7 për qind në 2021 në Ballkanin Perëndimor, me 5.4 pikë përqindjeje nga qershori 2020, duke përkeqësuar më tej perspektivat e punësimit të të rinjve.

“Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor përgatiten për të ardhmen pas pandemisë, qasja ndaj politikave duhet të përqendrohet në adresimin e pengesave kryesore për krijimin e vendeve të punës dhe transformimin ekonomik, duke përfshirë tranzicionin e gjelbër,” tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Të gjashtë vendet do të përfitonin nga reformat në mjedisin e biznesit, qeverisje dhe digjitalizim, të cilat do të kontribuonin në rritje dhe do të mbyllnin hendekun me vendet e BE-së.”

Raporti gjithashtu shqyrton sfidat makro-fiskale dhe nxitësit e një rritje të gjelbër në rajon. Ballkani Perëndimor tani e gjen veten në një pikë kyçe vendimi në lidhje me tranzicionin e gjelbër që është i pashmangshëm. Përparimet globale drejt veprimeve klimatike po shkaktojnë ndryshime themelore në shoqëri. Preferencat e konsumatorëve dhe investitorëve po ndryshojnë, teknologjitë e gjelbra dhe modelet e reja të biznesit po çrregullojnë më shumë tregje, dhe politikat e gjelbra po ndryshojnë peizazhet ekonomike. Së këndejmi, transformimi i gjelbër i ekonomisë së një vendi po bëhet një faktor vendimtar në konkurrueshmërinë ndërkombëtare dhe aftësinë për të tërhequr financa dhe investime ndërkombëtare.

Ballkani Perëndimor nuk bën përjashtim. Ndërsa ende karakterizohet nga një model zhvillimi i prirë drejt industrive tradicionale ‘ngjyrë kafe’, lëvizja drejt një rruge të gjelbër të rritjes nuk është aspak e lehtë, veçanërisht në planin afatshkurtër. Megjithatë, tranzicioni i gjelbër ofron mundësi të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë integrimin më të ngushtë në zinxhirët globalë të furnizimit që janë më euro-centrik, dhe qasjen në burime të konsiderueshme të BE-së për të ndihmuar financimin e tranzicionit të gjelbër.

Menaxhimi efektiv i këtij tranzicioni të gjelbër, duke përfshirë edhe kompromiset e shumta në fushën e politikave, do të duhet të jetë fokus kryesor i vëmendjes së politikave për Ballkanin Perëndimor në vitet në vazhdim.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)