19 Prill 2024

Kosova ka probleme serioze në tërheqjen e investitorëve të huaj

Prishtinë, 31 maj - Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, “Të bësh biznes 2010”, Kosova radhitet ndër dhjetë vendet e fundit sa i përket mbrojtjes së investimeve.

Zyrtarët e institucioneve kosovare vazhdojnë t’u bëjnë thirrje investitorëve të huaj të investojnë në Kosovë, edhe pse ende konsiderohet se nuk është bërë sa aq duhet të mbrohet kapitali i tyre. Deri tani, Qeveria ka nënshkruar marrëveshje me disa vende për mbrojtjen e investimeve, por, sipas ekspertëve, kjo është e pamjaftueshme.

Kosova ende ka probleme serioze sa i përket klimës për investime dhe afarizëm. Sipas raporteve të mekanizmave ndërkombëtarë, investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë, thonë se përballen me mungesë të energjisë elektrike, moszbatim të ligjit dhe korrupsion. Përveç kësaj, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, “Të bësh biznes 2010”, Kosova radhitet ndër dhjetë vendet e fundit sa i përket mbrojtjes së investimeve.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në RIINVEST, thotë për Radio Kosovën së rangimi i tillë i vendit tonë është sinjal shumë i keq për investitorët e huaj.

“Gjëja e parë që një investitor bën para se të futet në një treg të huaj është të shikojë se çfarë rangimi ka ky treg në kontekst më gjeneral, prandaj, po ritheksoj nevojën që sektori qeveritar të punojë në largimin e barrierave për zhvillim të bizneseve private, për mbrojtjen e investitorëve dhe për krijimin e kushteve sa më të favorshme nëpërmjet politikave qeveritare”, thotë Abdixhiku.

Qeveria e Kosovës, deri tani, ka nënshkruar marrëveshje për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me Shqipërinë, Turqinë, Austrinë, dhe së fundi edhe me Belgjikën dhe Luksemburgun.

Kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Mustafë Hasani, thotë se në agjendën e këtij viti parashihen edhe marrëveshje tjera në këtë fushë, me ato vende që kanë bërë më së shumti investime në Kosovë.

“Janë në përgatitje nënshkrimi i marrëveshjeve, dhe u janë dërguar notat verbale vendeve si; Gjermanisë, Sllovenisë, Kroacisë, Italisë, e me siguri do të vijnë edhe vendet anëtare të CEFTA-s, në synimet tona për marrëveshje bilaterale”, shprehet Hasani.

Më qëllim të promovimit të investimeve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka hartuar strategjinë për investime 2010-2012. Hasani thotë se janë duke pritur rekomandime nga Banka Botërore, pasi të merr formën përfundimtare.

“Mirëpo, disa nga rekomandimet që dalin nga strategjia kanë nisur të implementohen dhe një prej tyre është që këtë vit kemi përcaktuar dy komponentët, në të cilat do të punohet, njëra promovimi i investimeve dhe eksportit dhe, ana tjetër, do të jetë shikimi i mundësive më të mira për investime, ose një klime më të favorshme për investime dhe një mjedisi më të përshtatshëm biznesor”, thekson Hasani.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës janë realizuar 291 milionë euro investime të huaja, apo rreth 50 milionë euro më pak krahasuar me vitin 2008. Kurse për këtë vit ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa është shuma e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kosovë. 

 

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)