19 Gusht 2022

Kosova ende pa strategji të ujërave

Prishtinë, 16 qershor - Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, u mbajt takimi i katërt i radhës i Task Forcës së Ujërave, në të cilin është diskutuar për zhvillimin e sektorit të ujërave dhe është shtruar nevoja e përshpejtimit të nxjerrjes së Strategjisë së Ujërave në Kosovë.

Në hapje të takimit zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në rritjen e angazhimeve për administrimin, planifikimin dhe mbrojtjen e resurseve ujore në Republikën e Kosovës dhe shtetet e rajonit.

“Sektori i ujërave është një ndër prioritetet e kësaj qeverie dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që kanë resurset ujore, andaj përkrahja në proceset vendim-marrëse për menaxhimin e këtij sektori, do të intensifikohet  edhe më tepër në të ardhmen”, pohoi Kuçi, duke shtuar se qeveria investimet e veta dhe të donatorëve do t’i orientoj në mbrojtjen e resurseve natyrore, përfshirë projektet që kanë të bëjnë me riparimin e rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza, të cilat duhet të jenë edhe objektiva të strategjisë për ujërat e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Kuçi me këtë rast ka falënderuar donatorët dhe partnerët  ndërkombëtarë në veçanti Zyrën për Zhvillim Ndërkombëtar  të Zvicrës, për mbështetjen e sektorit të ujërave.

Guido Beltrani, zëvendësdrejtor në Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim është shprehur i gatshëm të mbështesë aktivitete e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me sektorin e ujërave.

Në takim është raportuar lidhur me ecurinë e zbatimit të vendimeve të deritashme të Task Forcës së Ujërave. Poashtu sot është diskutuar lidhur me hartimin e politikave për pagesën e faturave të ujit për kategoritë e rasteve sociale. Është kërkuar hartimi i listave të këtyre kategorive të konsumatorëve të cilat do të shfrytëzohen nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve.

Në takim është diskutuar çështja e përshpejtimit të nxjerrjes së strategjisë për ujërat. Për këtë qëllim është propozuar një takim i posaçëm i Task Forcës së Ujërave ku do të trajtohet gjerësisht problematika e hartimit të strategjisë për ujërat. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 gusht 2022 - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë. (Hotel Palace në Mitrovicë, ora 10:00)

= Mbahet ceremonia solemne e vënies se gurthemelit të ndërtesës së re të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Nexhat Çuni” tek ish objekti i KRU “Mitrovica”. (Rruga “Bislim Bajgora” Mitrovicë, ora 12:00)