19 Prill 2024

Kosova e treta në Evropë, sipas FMN-së

Prishtinë, 25 nëntor -  Kosova për nga rritja ekonomike zë vendin e tretë në Evropë, sipas ” World Economic Outlook” dhe “Regional Economic Outlook” të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Me një normë mesatare të rritjes 5.39 për qind për vitin 2010 dhe 2011, ajo radhitet menjëherë pas  Bjellorusisë, e cila do të ketë rritje 6,92 për qind dhe Turqisë me 5.84 për qind.

Nëse merren parasysh parashikimet e FMN-së për vitin 2011, Kosova me një rritje ekonomike prej 5,9 për qind radhitet e dyta, pas Bjellorusisë, e cila do të ketë normë të rritjes 6.2 për qind.

Kjo rritje vjen pas recesionit që vjet kishte përjetuar Evropa, sado që edhe në vitin 2009 Kosova ishte në mesin e  pesë vendeve evropiane që kishte një ngritje pozitive, thuhet në raportin e FMN-së.

“ Vlerësimet e këtilla na bëjnë të ndihemi krenar, posaçërisht kur ato vijnë nga një institucion i besueshëm si është Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndiej kënaqësi të konstatoj se  parashikimet e këtij institucioni, i cili në vazhdimësi ka ndihmuar Kosovën, janë shumë të përafërta me parametrat e planifikuara nga Qeveria e Kosovës.  Edhe në të ardhmen zhvillimi ekonomik i vendit, me fokus të veçantë në rritjen e investimeve private, mbetet në qendër të vëmendjes së Qeverisë së Kosovës."

"Jemi të kënaqur që konsumi privat tashmë përbën 23 për qind të GDP-së, por gjithsesi duhet të vazhdojmë përpjekjet për rritjen e eksportit dhe krijimin e ambientit edhe më tërheqës për investime”, ka thënë Ministri i Ekonomisë dhe  Financave z. Ahmet Shala.

Ai ka theksuar se kjo rritje është rezultat i drejtpërdrejtë i reformave dhe vendimeve të duhura.

“Ndihem krenar, që në krizën më të madhe ekonomike që bota ka njohur në 70 apo 80  vitet e fundit, jam pjesë e këtij suksesi si Ministër i Ekonomisë dhe Financave”, ka shtuar ai.

Në bazë të Kornizës Makroekonomike të Kosovës dhe zhvillimeve ekonomike në përgjithësi, është vlerësuar se për vitet 2010 dhe 2011 kontribut më të madh në rritjen ekonomike do të kenë: Rritja e konsumit privat, i cili do të kontribuoj me një mesatare 2 për qind, ku rritja e konsumit privat do të jetë më e lartë sesa ajo e konsumit publik; rritja e investimeve publike dhe private, të cilat do të kontribuojnë me 2 për qind  në këtë rritje   si dhe  rritja e eksporteve që do të kontribuoj mesatarisht 1 për qind.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)