24 Prill 2024

Kosova e Shqipëria të avancojnë bashkëpunimin ekonomik

Prishtinë, 24 shtator - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, të premten ka propozuar që Kosova dhe Shqipëria të fillojnë përpilimin e strategjisë së përbashkët për ngritjen dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve, i cili tani manifestohet gati vetëm përmes këmbimit të thjesht tregtar që për një vit kap shumën modeste prej afro 65 milion eurosh në të dy drejtime.

“Ka ardhur koha që bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të dal nga hija e marrëdhënieve politike dhe të ngritët në të ardhmen në një nga shtyllat kryesore e marrëdhënieve të përgjithshme në mes të dy vendeve,” ka thënë Gërxhaliu në hapje të panairit “Agrobiznes 2010”, i cili mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Ai ka vlerësuar se më të drejtë të plotë politika ka dominuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë pas rënies së mini - Murit të Berlinit në mes të dyja vendeve sepse ekzistonte nevoja që të kompensohet në një farë mënyre mungesa e komunikimit të mirëfilltë politik në mes të dy krahëve të një korpusi të njëjtë kombëtar që ka dominuar gati në tërë shekullin e kaluar.

Por tani, ka konstatuar ai, Kosova dhe Shqipëria duhet të angazhohen për krijimin e modelit bashkëkohor për bashkëpunimin ekonomik e dobiprurës për të dyja palët.

“Kjo do të thotë se bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të ndërtohet edhe në të ardhmen mbi bazat e folklorizmit apo romantizmit që shpeshherë i karakterizojnë marrëdhëniet tona politike,” ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Nuk do të jemi as serioz para Evropës dhe nuk do të jemi as të përgjegjshëm para qytetarëve tanë nëse mendojmë se harmonia gati idile politike në mes të Prishtinës dhe Tiranës vetvetiu mjafton për adresimin e sfidave aktuale në bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë apo në përcaktimin e modelit bashkëkohor për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve në të ardhmen.”

Ai ka propozuar që Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si dhe institucione tjera relevante të fillojnë punën në krijimin strategjisë për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë për një afat të mesëm dhe të gjatë, me të cilin do të paraqitemi pranë qeverive dhe parlamenteve në Prishtinë dhe Tiranë.

Sipas tij, Kosova ka interes që në një strategji të tillë të inkuadrojë së pari vendosjen e parimit të barazisë mes bizneseve si dhe qasjen e papenguar të tyre nga një në vendin tjetër që do të thotë heqjen e pengesave administrative që favorizojnë njërin dhe e dekurajojnë biznesin tjetër.

“Eliminimi i barrierave të tilla do të krijonte hapësirë për gërshetimin e ekonomive tona. Do të inkurajonte këmbimin e eksperiencave. Do të krijonte kushte për bashkërenditjen e dy ekonomive komplementare duke mundësuar plane të përbashkëta biznesi dhe prodhimi për paraqitje të përbashkët në tregun rajonal. Do të mundësonte që Kosova dhe Shqipëria të paraqiten jo veç e veç por me ofertat e përbashkëta për kryerjen e shërbimeve përpunuese për palë të treta që  përbënë një nga mënyrat më të mira për tejkalimin e problemit të papunësisë në të dyja anët e kufirit. Dhe në fund, një zhvillim më i hovshëm i bashkëpunimit tonë ekonomik do të hapte mundësinë që Kosova përmes Shqipërisë të krijoj qasje edhe në fonde të BE-së që u ofrohen secilit vend që e aspiron anëtarësimin në familjen evropiane,” ka thënë ai.

“Ka ardhur koha tani që ekonomitë komplementare të të dy vendeve tona të njihen dhe përputhen mes vete, që secila prej tyre të gjejë interesin e mirëfilltë në anën tjetër të kufirit, që të dyja të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të ndihmojnë njëra tjetrën në depërtimin në tregun e jashtëm dhe pozicionimin e ri strategjik të vendeve tona në rajon,” ka përfunduar Gërxhaliu.  

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)