20 Prill 2024

Korrupsioni, po lagron investitorët e huaj

Prishtinë, 23 maj - Ekspertët e çështjeve ekomomike kërkojnë nga autoritetet kosovare që t’i marrin për bazë kritikat e fundit të mekanizmave ndërkombëtarë për përmirësimin e ambientit për investitorë të huaj. Në raportet e fundit të këtyre institucioneve thuhet se bizneset, të cilat vijnë për të investuar në Kosovë, raportojnë për mungesë të energjisë elektrike, moszbatim të ligjit dhe për - korrupsion.

Ekspertët pajtohen me kritikat e këtyre raporteve, ku thuhet që, me gjithë sektorë të mjaftueshëm për investime, problemet e shumta dhe shkalla e lartë e korrupsionit, kanë ndikuar që investitorët e huaj të mos e investojnë kapitalin e tyre në Kosovë.

Dr. Muhamet Sadiku tha për REL se me gjithë hapësirat e mjaftueshme për investime, barrierat e shumta në këtë sektor i kanë bërë investitorët të hezitojnë të investojnë në Kosovë. “Gjithnjë do të mbetet obligim për forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit, joformalitetit në ekonomi dhe gjithnjë do të jetë e nevojshme që Kosova ta përmirësojë sistemin e qeverisjes në të gjitha nivelet, sepse vetëm vendet që krijojnë ambient miqësor mund të llogarisin në fluksin e investimeve”, vlerësoi Sadiku.

Ndërkaq, nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se përkeqësimi i klimës për investime në Kosovë është bërë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit.

Sipas Gërxhaliut, pa përmirësimin e këtyre fushave Kosova do të vazhdojë të ketë nivel të ulët të investimeve dhe gjendje të rëndë ekonomike.

“Në Kosovë, korrupsioni dhe krimi i natyrës ekonomike është forcuar më tepër dhe, në këtë mënyrë, është utopike të mendojmë se mund të vijnë investitorë të huaj. Kosova është duke shërbyer për të promovuar investime në vendet e rajonit dhe jo në Kosovë”, vlerësoi Gërxhaliu.

Për krijimin e një klime të favorshme për investitorët, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përgatitur edhe strategjinë për investime 2010-2012, por kjo strategji ende nuk ka treguar rezultatet e para.

Gërxhaliu mendon se Kosovës i duhet një strategji e mirëfilltë, e cila do të zbatohej dhe jo strategji që mbetet vetëm në letër. “Një investitor, i cili vjen me para të gatshme për t’i investuar në Kosovë dhe sheh një ambient të tillë, sigurisht se ato para do t’i investojë në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë arsye, fatin do ta ketë ose Maqedonia ose Shqipëria, por jo Kosova”, vlerësoi Gërxhaliu.

Ndërkaq dr. Muhamet Sadiku tha se pa luftimin e këtyre dukurive negative Kosova nuk mund të presë përmirësim të gjendjes aktuale ekonomike. Sadiku u sugjero autoriteteve kosovare që të ndërmarrin masa të nevojshme, pasi që, siç thekson ai, tani është koha e fundit për të bërë më shumë në këtë drejtim.

“Realisht, investitorët presin më shumë nga Kosova në kuptimin e forcimit të shtetit ligjor, në kuptimin e përmirësimit të infrastrukturës, përmirësimin e qeverisjes, pastaj të luftimit të korrupsionit dhe luftimit të ekonomisë joformale. Duhet pranuar se në përgjithësi bizneset e Kosovës janë duke u përballur me disa barriera, të cilat japin sinjale dekurajuese për përfshirjen e investitorëve të huaj në realizimin e projekteve të ndryshme”, vlerësoi Sadiku. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)