18 Prill 2024

Komunitetet jo-shumicë kërkojnë përfaqësim të barabartë

Prishtinë, 31 mars - Në konferencën e organizuar sot nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, u bë promovimi i studimit të bërë mbi punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë në Shërbimin civil të Kosovës dhe Ndërmarrje të pronësisë publike.

Ky studim u përpilua nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe u përkrah nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës, përkatësisht nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve.

Qëllimi i hartimit të këtij studimi ishte vlerësimi i situatës aktuale të punësimit të komuniteteve jo-shumicë në hierarkinë e shërbimit civil dhe ndërmarrjeve publike, dhe vlerësimi i zbatimit të kornizës legjislative. Rekomandimet e dala nga ky studim kanë për qëllim të sigurojnë përfaqësim të barabartë të komuniteteve jo-shumicë dhe respektimin e plotë të të drejtave të tyre në institucionet e lartpërmendura.

Në konferencë të pranishëm ishin: ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rašić, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Tiziano Balmelli, këshilltari i lartë i Kryeministrit dhe njëherit edhe drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrë të Kryeministrit, Srdjan Sentić, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Raif Elezi, si dhe përfaqësues të lartë nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore.

Në fjalën përshëndetëse para të pranishmëve në sallë, Sentić paraqiti studimin e bërë nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në vitin e kaluar dhe falënderoi në veçanti Qendrën Evropiane për Çështje të Komuniteteve dhe Departamentin Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës për përkrahjen dhënë gjatë përpilimit të këtij dokumenti.

“Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit vendosi të dedikoj një studim në çështjen e punësimit të komuniteteve jo-shumicë në shërbimin civil të Kosovës dhe në ndërmarrjet publike, duke e parë këtë si një çështje themelore dhe mjaft të rëndësishme në drejtim të reformës së ardhshme të administratës publike dhe miratimit të Ligjit të ri mbi Shërbyesit Civil”, theksoi Sentić.  

Ministri Bajrami duke bërë të ditur se Kushtetuta e Kosovës në shumë kaptina dhe dispozita i referohet komuniteteve jo-shumicë, dhe u mundëson atyre një përfaqësim adekuat që bazohet në parimin e njohur si parim i diskriminimit pozitiv, theksoi se ”koncepti i administratës publike që po e ndërtojmë bazohet kryesisht në parimin shumetnik, në parimin gjithëpërfshirës dhe në parimin e përfaqësimit adekuat të komuniteteve në gjithë sektorët e administratës publike”.

Në vazhdim ministri Bajrami përshëndeti studimin e hartuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve duke e vlerësuar si një studim mjaft të mirë dhe të punuar me mjaft profesionalizëm. “Është një studim shumë i mirë që do t’i hyjë në punë edhe Qeverisë së Kosovës për të parë se sa po implementohen politikat e saja në lëmin e punësimit të komuniteteve jo-shumicë”, tha Bajrami.

Ndërsa, ministri Rašić duke theksuar rëndësinë e studimit në fjalë dhe tha se “është obligim i yni që si institucion të jemi më afër qytetarëve. Ekziston papunësia në të gjitha qytetet, dhe duhet të punohet më shumë në këtë drejtim, por që ky veprim të jetë më gjithëpërfshirës, mendoj që ne duhet të jemi më shumë të angazhuar, më dinamik dhe transparent, ndoshta edhe më shumë publik përmes mjeteve të informimit sepse është shumë i rëndësishëm komunikimi efektiv”, tha në fjalimin e tij Rašić.

Ministri Ferati i pranishëm në këtë promovim e çmoi lartë këtë studim, i cili sipas tij është një analizë shumë, e mirë për të vërtetuar zbatimin e legjislacionit. “Unë premtoj mbështetjen e plotë dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe komunave për ta realizuar këtë strategji, në mënyrë që të krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, të ndërtojmë një perspektivë të përbashkët evropiane dhe të mirëqenies socio-ekonomike”, tha ministri Ferati.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Tiziano Balmelli vlerësoi lartë interesimin e institucioneve për integrimin të gjitha komuniteteve të cilat kanë qenë tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës. Sipas tij përfaqësimi institucional i komuniteteve jo-shumicë është kyç në çdo shtet shumetnik përfshirë edhe Kosovën si një shtet i ri dhe shumetnik, ku kjo çështje është jetike.

“Të gjitha institucionet duhet të kenë një numër të punësuarve kosovarë nga të gjitha komunitetet në mënyrë që Kosova të jetë një shtet i qëndrueshëm ku të gjithë qytetarët mund të ndihen si në shtëpi të vet dhe të jetojnë në paqe pa dallim nga përkatësia e tyre etnike”, tha Balmelli.

Studimi “Punësimi i anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë në Shërbimin Civil të Kosovës dhe në Ndërmarrje të Pronësisë Publike” është një analizë e situatës aktuale të punësimit të anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë në institucionet e lartpërmendura.

Të dhënat e studimit do të jenë të rëndësishme gjithashtu për institucionet që të kuptojnë situatën aktuale, të përshtatin politikat dhe të planifikojnë ndërhyrjen për përmirësimin e punësimit të komuniteteve jo-shumicë në të gjithë sektorët.

Ky dokument është një përpjekje për të konstatuar shtrirjen e përfaqësimit dhe shpërndarjen e përfaqësueseve të komuniteteve përgjatë hierarkive të ndryshme institucionale dhe për të vlerësuar nivelin e zbatimit të dispozitave legjislative, që rregullojnë përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë brenda Shërbimit Civil të Kosovës, identifikimin e zbrazëtive në kornizën ligjore në fuqi, si dhe përpjekjet e Ndërmarrjeve Publike për të arritur përfaqësimin e barabartë të punonjësve të tyre.

Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit bazuar në mandatin e saj, kontribuon në koordinimin e përpjekjeve të Qeverisë për zbatimin e kornizës ligjore për të drejtat e komuniteteve, për të siguruar që politikat dhe veprimet qeveritare i plotësojnë nevojat dhe interesat e komuniteteve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)