29 Janar 2022

Kërkohet përkushtim ndaj menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës

Prishtinë, 8 dhjetor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale SDC/DEMOS për vitin fiskal 2020”. Granti është bashkëfinancuar nga Fondacioni Zviceran në Kosovë/Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave.

Qëllimi këtij auditimit ka qenë që  të vlerësojë nëse shpenzimet dhe menaxhimi i projekteve kapitale të Grantit të Performancës Komunale janë në harmoni me kërkesat e donatorëve dhe nëse kanë arritur rezultatet e synuara. Subjekt i auditimit kanë qenë komunat: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Kllokot. 

Auditimi ka konkluduar se komunat në përgjithësi  kanë aplikuar rregullat në fuqi ndërsa Granti i Performancës Komunale i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike. Ai ishte në funksion të qëllimit për të ofruar shërbime më të mira të infrastrukturës komunale për qytetarët. 

Megjithatë menaxhimi i projekteve dhe fondeve nga Granti ka nevojë për vëmendje më të madhe duke filluar nga vendosja e prioriteteve, realizimi i projekteve dhe rezultatet e arritura. 

Rezultatet e këtij auditimit tregojnë se procesi i prokurimit ende ka hapësirë për përmirësim në disa aspekte siç janë: përfshirja e projektit në planin e prokurimit publik, përllogaritja e përafërt e vlerës së parashikuar të kontratës, evidentimi i pozicioneve të ndryshuara dhe trajtim i drejtë i operatorëve ekonomik në proceset tenderuese. 

Po ashtu gjysma e projekteve të audituara nuk ishin realizuar me kohë dhe nuk janë në shfrytëzim të plotë nga qytetarët. Arsyet për vonesa në realizimin e projekteve ndërlidhen me mos shpronësimet me kohë të pronave private dhe pengesat për shkak të zhvillimit të dy projekteve në kohë dhe zonë të njëjtë. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se Granti i Performancës Komunale në përgjithësi i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike duke ju ofruar qytetarëve projekte në lokacione të favorshme dhe qasje të lehtë në shfrytëzimin e tyre. Megjithatë mungesa e efikasitetit në realizimin e kontratave dhe mangësitë tjera të identifikuara zbehin rëndësinë e projekteve dhe pengojnë maksimizimin e përfitimit nga Granti i përcaktuar.  

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar komunat e audituara që të forcojnë procesin e menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale, duke filluar me planifikimin e duhur dhe me kohë të prokurimit deri te forcimi i kontrolleve për menaxhimin e kontratave duke siguruar realizimin e tyre sipas kushteve dhe specifikave të kontraktuara. 

Ky auditim është realizuar në bazë të marrëveshjes në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, (përmes Decentralizimit dhe Përkrahjes Komunale).

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.  


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 janar 2022

- Partia Socialdemokrate dhe Grupi Protestojë organiojnë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për të ruajtur profitin e interesat e KEDS e KESCO-s. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Smajl Latifi behën homazhe dhe nderime për dëshmorin e kombit Sahit Krasniqi, te varrezat e dëshmorëve në Ratkoc. (Ratkoc, ora 14:00)

- Në kuadër të flakës së Janarit mbahet festivali i Kënges për fëmijë "Xixat e Flakës". (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 17:00)