05 Korrik 2022

Kastrati viziton Qendrën Operative Emergjente Rajonale

Mitrovicë , 5 gusht - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga këshilltari për siguri, Ylber Durmishi, ka vizituar të enjten Qendrën Operative Emergjente Rajonale (QOER), e cila është funksionalizuar para një muaji.

Në takim me koordinatorin e kësaj qendre, Miran Demiri, kryetari Kastrati është njoftuar për kushtet e tyre të punës dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.

Kryetari Kastrati, pasi ju ka uruar për hapjen e zyrës dhe për suksese në punën e tyre të rëndësishme, ka ofruar mbështetje nga ana e komunës.

Ai ka thënë se komuna do të ofroj ndihmë në kuadër të mundësive për të gjitha nevojat e tyre, përkundër asaj se kjo qendër funksionon në kuadër të Departamentit të Menaxhimit të Emergjencës (DME) të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Në anën tjetër, Miran Demiri, koordinator i QOER-së, tha se stafi prej 10 vetash janë akomoduar mirë në një objekt të ofruar nga Komuna e Mitrovicës, për çka falënderoj drejtuesit komunalë.

Ai tha se qendra prej korrikut është funksionale dhe tashmë qytetarët janë duke e shfrytëzuar numrin emergjent 112 për rastet e tyre emergjente.

Demiri theksoi se kjo qendër është rajonale, e cila mbulon Mitrovicën, Skenderajn, Vushtrrinë, si dhe komunat e veriut të banuara me shumicë serbe.

“Kjo është qendra e pestë rajonale që funksionon në Kosovë. Përderisa qendrat tjera ka vite që janë funksionale, kjo në Mitrovicë për shkaqe të ndryshme është funksionalizuar vetëm para një muaji”.

Sa i përket qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ai sqaroi se ende nuk ka thirrje prej tyre në këtë qendër.

“Në ato komuna qytetarët shfrytëzojnë më tepër numrat e telefonit të operatorëve ilegalë të Serbisë, andaj automatikisht thirrjet prej atyre operatorëve arrijnë në qendrat emergjente të Serbisë, duke pasur parasysh se 112 është numër standard për emergjenca për gjithë Evropën”.

Demiri theksoi se qytetarët në përgjithësi janë në dijeni për funksionimin e kësaj qendre, e cila thirrjet e tyre i pranon në çdo kohë, mandej i verifikon, i specifikon dhe mandej koordinohet me institucionet përkatëse varësisht prej natyrës së rastit.

“Gjatë 24 orëve mesatarisht ka nga 20 thirrje, mirëpo problem janë duke shkaktuar personat e pandërgjegjshëm të cilët bëjnë thirrje provokuese”, thotë ai, duke shtuar se ndodh që brenda një nate të ketë rreth 300 thirrje provokuese.

Ai sqaron se të gjitha thirrjet evidentohen, poashtu regjistrohen edhe numrat e telefonave dhe deshifrohen të gjithë.

Në këtë drejtim ai bëri thirrje që mos të keqpërdoret kjo linjë, meqë një gjë e tillë pengon punën e qendrës. Poashtu ai tha se një gjë e tillë është edhe kundërligjore dhe ndaj personave që bëjnë thirrje provokuese mund të merren masa të parapara me ligj.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)