24 Maj 2022

ICG: Probleme shqetësuese në sistemin e drejtësisë në Kosovë

Bruksel, 20 maj - Grupi ndërkombëtarë i krizave u ka bërë thirrje autoriteteve vendase e ndërkombëtare në Kosovë që të punojnë për luftimin e korrupsionit dhe për reformat në sistemin e drejtësisë. Në raportin e këtij grupi mbi sundimin e ligjit në Kosovën e pavarur, thuhet se ajo duhet të forcojë sistemin e saj të dobët gjyqësor dhe të sigurojë sundim të ligjit në mbarë territorin e saj, nëse synon përparimin dhe njohjen më të gjerë ndërkombëtare.

Raporti shqyrton gjendjen e policisë dhe gjykatave në shtetin e ri dhe rekomandon që qeveria, EULEX-i dhe pjesa tjetër e pranisë ndërkombëtare të punojnë që të luftojnë korrupsionin, të miratojnë reformat e nevojshme ligjore, të rekrutojnë numër më të madh të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të përmirësojnë aftësimin e tyre.

“Qeveria ka bërë disa ndryshime pozitive, por nuk ka treguar vullnetin politik për të krijuar një gjyqësor të fortë dhe të pavarur”, ka thënë Marko Prelec, Drejtor i Projektit për Ballkani i Grupit të Krizave, duke nënvizuar se  “pa sundimin e ligjit vendi do të mbetet i varfër dhe i izoluar.”

Grupi tërheq vërejtjen se Kosova ka trashëguar një sistem gjyqësor të dëmtuar rëndë me një histori të diskriminimit të ndërlidhur me Sllobodan Millosheviqin. Nën Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë bërë përmirësime, por procesi i kalimit në vetëqeverisje nuk ka qenë i lehtë, thuhet në raport ku numërohen edhe dështime të Misionit të OKB-së për krijimin e policisë dhe gjyqësorit më të frytshëm.

Grupi tërheq vërejtjen se institucionet e dobëta ligjore kanë lejuar krimin e organizuar dhe korrupsionin të rriten. Zyrtarët e lartë të policisë u detyrohen politikanëve dhe janë të ngadalshëm në përshtatjen e metodave bashkëkohore, ndërsa gjykatat kanë shumë raste të pazgjidhura sa që një pjese të madhe të popullatës edhe iu mohohet drejtësia.

Statusi i diskutueshëm i pjesës veriore të kontrolluar nga serbët e ka lënë atë pa një sistem funksional të drejtësisë penale. Për të luftuar këtë, EULEX-i duhet të propozojë një kompromis për caktimin e numrit të ulëseve për gjyqtarët serb dhe shqiptarë, ndërsa policia duhet të veprojë kundër shkelësve të ligjit në këtë rajon.

“Pothuajse askush prej atyre me të cilët flasim në terren nuk vëren që Qeveria aktuale e Kosovës mbështetë sundimin e ligjit, dhe disa mendojnë se mosgatishmëria e saj për të trajtuar korrupsionin tregon mungesë mbështetjeje për investimet e huaja”, thotë Sabine Freizer, Drejtoreshë e Programit për Evropë në Grupin e Krizave.  Kosova citohet të ketë thënë ajo, nuk mund të pres më gjatë për të garantuar sundimin e ligjit, nëse dëshiron të ketë një të ardhme të suksesshme ekonomike dhe politike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 maj 2022

- Instituti Demokratik i Kosovës mbanë diskutimin publik me temën “Raportet Kosovë-Serbi: Tabelat e veturave dhe një Dialog që nuk po lëvizë!” një diskutim i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile me pjesëmarrës nga politika, mediat dhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 9:30)  

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, shqyrton raportin vjetor financiar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, etj. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)

- OJQ "Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi - Inject" organizon konferencën përmbyllëse  të Projektit me titull “Sigurimi i të Drejtave Pronësore të Grave përmes rritjes së Kapaciteteve Institucionale në Kosovë”.  (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, diskuton për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, pret në takim Christopher Hyland, kontribues në Pavarësinë e Kosovës në SHBA-të dhe në prezantimin e shtetit tonë te ish-presidenti amerikan Bill Clinton. (Shtëpia e Bardhë, Prizren, ora 11:00)

- Mbahet edicioni i 21-të të panairit ndërkombëtar EXPOKOS, që i dedikohet bizneseve të sektorëve të: Ndërtimit, Energjisë, Makinerisë dhe Sigurisë dhe Mbrojtjes. Merr pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. (Pallati i Rinisë, ora 11:00)

- Mbahet Kuvendi i pestë i Partisë Eko Lëvizja e Gjelbër e Kosovës. (Hotel Grand, salla e Kuqe, ora 11:00)

- Drejtoria e Mirëqenies Sociale, në kuadër të “Fushatës vetëdijesuese për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge” organizon një kampanjë me moton “Unë s’jap lëmoshë, AS TI! & Bashkë t’i mbrojmë fëmijët në situatë rruge” me qëllim të përçimit të mesazhit se dhënia e lëmoshës cenon dhe dëmton jetën e fëmijëve në situatë rruge. (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë në shenjë pakënaqësie për mosplotësimin e kërkesave të tyre për Ligjin për Lotarinë e Kosovës dhe pagat për këta punëtorë. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike mban mbledhje. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 14:00)

- Instituti Kombëtar Demokratik organizon debatin e parë mbi politika nën temën “Në mbrojtje të demokracisë: Politikat gjithpërfshirëse të punësimit kanë rëndësi”. (Objekti i komunës së re në Prishtinë, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Drita mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 14:00)

- Klubi Futbollistik Llapi mban konferencë për medie. (Selia e Federatës së Futbollit të Kosovës, ora 15:00)

 Fondacioni Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” dhe fillimin e programit të filmit LXX në ekran të madh. (Kino Bahçe në Prizren, ora 19:00)