28 Mars 2024

GAP prezanton raportin “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në Kosovë?”

Prishtinë, 29 prill - Sot, Instituti GAP organizoi konferencë për media ku prezantoi raportin “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në Kosovë?” 

Përcaktimi i nivelit të ri të pagës minimale në Kosovë në vitin 2022, e cila nuk është ndryshuar që nga viti 2011, është ndërlidhur me një periudhë të ngritjes së ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë. 

Qeveria e Kosovës, me një projektligj të ri, po synon ta shkëpusë pagën minimale nga tri pensione sociale si dhe t’i hapë rrugë vetës që ajo të përcaktojë pagën minimale në rast se nuk arrihet konsensus në mes të qeverisë, sindikatave të punonjësve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Këshillin Ekonomiko-Social. Qeveria veçse ka propozuar që paga minimale të bëhet 264 euro bruto.

Të gjeturat e këtij raporti, i cili bazohet në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, tregojnë se rritja e pagës bruto në 264 euro prekë rreth 30% të tregut të punës apo rreth 105 mijë punonjës. Nga ta, rreth 30 mijë punonjës (28%) janë të punësuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë; 16 mijë (15%) në industrinë përpunuese; rreth 12 mijë (11%) në gastronomi; rreth 11.8 mijë (11%) në aktivitetet financiare dhe të sigurimit; 8.5 mijë (8%) në ndërtimtari, etj.

Mbi 94% e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat. Përveç një numri të punonjësve tek sektori i sigurisë, rritja e pagës minimale nuk e prek fare sektorin publik. Me rritjen e pagës minimale në 264 euro, raporti në mes të pagës minimale dhe mediane rritet ndjeshëm, nga 43% në 66%.

Marrë parasysh ndikimin që mund të ketë rritja e pagës minimale në punësim, sidomos tek të rinjtë apo tek punonjësit me më pak shkathtësi, siç tregojnë gjetjet e studimeve të ndryshme, nivele tjera më të larta të pagës minimale sikurse prej 300, 350 apo 400 euro, e prekin një numër të lartë të punonjësve në tregun e punës dhe mund të dëmtojnë qytetarët dhe ekonominë e Kosovës, meqë sektorët më të prekur njëhëresh janë edhe sektorët me shkallën më të lartë të informalitetit në vend.

Krahas rritjes së pagës minimale, është e rëndësishme që të rriten kapacitetet zbatuese dhe monitoruese lidhur me implementimin e pagës minimale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)