06 Tetor 2022

GAP analizon shpërndarjen e projekteve kapitale të ministrive nëpër komuna

Prishtinë, 26 maj - Sot, Instituti GAP publikoi raportin “Ligji për Buxhet 2022: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investime kapitale?” 

Qëllimi i këtij raporti është të analizojë shpërndarjen e projekteve kapitale të ministrive nëpër komuna si dhe të tregohet nëse ka pasur favorizim apo diskriminim për komuna në baza partiake.

Si rezultat i vazhdimit të projekteve të mëhershme, në Ligjin për buxhet 2022 kishte pak hapësirë për projekte të reja. Mbi 86.6 milionë euro apo 86% e projekteve të ministrive në komuna janë vazhdim i viteve të kaluara, ndërsa rreth 10.3 milionë euro janë projekte të reja. Njësoj si në vitin e kaluar, komunat e Junikut dhe Deçanit janë përfitueset më të mëdha në raport me përqindjen e tërë investimeve kapitale krahas popullsisë. Ndërsa, komunat sikurse ajo e Shtërpcës dhe Graçanicës, përfitojnë më pak investime. Gjithashtu, Komuna e Junikut mbetet komuna më e privilegjuar, me 122.74 euro e gjithsej investimeve kapitale të ministrive për kokë banori, ndërsa Komuna e Graçanicës mbetet si komuna me investimet kapitale më të ulëta për kokë banori, përkatësisht me shumën 4.11 euro. Në përgjithësi, dallimi në mes investimeve të ministrive drejt komunave në këtë vit është më e ulët sesa në vitin e kaluar.

Gjatë vitit 2022, 20 komuna do të përfitojnë nga projektet e reja të ministrive (në vlerë rreth 10.3 milionë). Nga këto projekte të reja, në raport me përqindjen e investimeve kapitale krahas popullsisë, Komuna e Kamenicës renditet e para me 27 euro investime për kokë banori. Pas saj radhiten komunat e Vitisë me 15.65 euro dhe e Podujevës me 14.54 euro. Ndërsa nëse i analizojmë investimet për nga shuma, komunat të cilat do të përfitojnë më shumë janë Prizreni (rreth 1.9 milionë euro), Prishtina (rreth 1.5 milionë euro), Podujeva (rreth 1.2 milionë euro) dhe Gjakova (1 milion euro). 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)