19 Gusht 2022

G-20 mblidhet në Toronto më 26 qershor

Toronto, 24 qershor - Udhëheqësit e 20 ekonomive më të rëndësishme të botës mblidhen në Toronto, më 26 dhe 27 qershor për të shqyrtuar rrugët për përshpejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë globale.

Temat më delikate mbi të cilat do të diskutojnë krerët e shteteve dhe zyrtarët më të lartë të financave, përfshijnë monedhën, tregëtinë dhe defiçitin buxhetor. Ata do të analizojnë gjithashtu krizën evropiane të borxheve dhe pritet të diskutojnë rreth shtimit të rregullave për firmat financiare, rreth taksave, bankave dhe për çështje të tjera.

Udhëheqësit që mblidhen në Toronto drejtojnë vende që sigurojnë 90 për qind të prodhimit ekonomik, 80 për qind të tregëtisë botërore dhe ku jetojnë dy të tretat e popullsisë së botës.

Kriza financiare globale bëri të qartë nevojën për rrugë më efikase që të rregullohen firmat financiare,  por nuk janë përcaktuar ende mënyrat.

Disa ministra financash po u bëjnë thirrje bankave që të pakësojnë kreditë që japin  dhe të mbajnë më shumë kapital në dispozicion në rast se një hua ose investim del pa sukses.

Ide të tjera përfshijnë uljen e huasë që bankat marrin për të investuar  dhe gjetjen e mënyrave për të përballuar problemin e kompanive financiare të dështuara, duke minimizuar dëmin ndaj pjesës tjetër të ekonomisë.

Hoze Vinals i Fondit Monetar Ndërkombëtar pret që në takim udhëheqësit të vendosin nëse do të vënë taksa për bankat në mënyrë që të mbulojnë koston e problemeve të ardhshme financiare.  Por ai thotë se ata nuk do të marrin vendime për çështje të tjera.

“Takimi i Torontos do të jetë shumë i rëndësishmëm për të analizuar situatën e tanishme dhe për të parë mundësinë e miratimit të rregullave të reja që do të miratohen përfundimisht në Seul”.

Sebastian Mallabi, autor i një libri për çështjet financiare, thotë se është shumë e rëndësishme për vendet e 20-es që të bashkëpunojnë për të mbajtur nën kontroll firmat a tyre financiare.

“Institucionet financiare veprojnë përtej kufijve, ato janë shumë-kombëshe, janë globale, prandaj duhet të ketë rregulla globale për t’i përballuar ato. Por në fakt Kongresi në Shtetet e Bashkuara dhe rregullatorët në Evropë nuk po veprojnë duke e pasur parasysh një realitet të tillë”.

Zoti Mallabi, studjues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të ngadalësohet ndërsa tregëtia rifillon dhe shumë ekonomi vazhdojnë të rimëkëmben nga kriza financiare e vitit 2008.

Një lloj tjetër krize shpërtheu në Greqi ku nivelet e larta të borxhit në vend ngjallën dyshime mes huadhënësve për aftësinë e vendit për të ripaguar borxhin. Përpjekjet për të ulur defiçitin duke pakësuar shpenzimet qeveritare, shkaktuar trazira në Athinë.

Ekonomitë më të forta të Evropës, veçanërisht Gjermania nuk i lanë shumë hapësirë për manovrim Greqisë. Ata këmbëngulën që Greqia të hartonte një plan masash të rrepta si kusht për ndihmën. Vendet e grupit të 20-es pritet gjithashtu të diskutojnë objektivat për uljen e defiçitit.

Ekonomisti Fred Bergsten i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare thotë se kriza evropiane e borxhit është një nga çështjet kryesore të takimit të 20-es dhe është një shenjë paralajmëruese për vendet e tjera.

“Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera përballen me rreziqe të ngjashme, megjithëse deri tani në një shkallë më të ulët. Por nëse problemet nuk korrigjohen, ato mund të arrijnë të njëjtat përmasa edhe këtu, ashtu si edhe në vende të tjera me defiçit në gjithë botën”.

Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu për pabarazitë e tregëtisë globale, përfshirë defiçitin e madh tregëtar të Shteteve të Bashkuara dhe surplusin e masiv tregëtar të Kinës. Kjo mungesë ekulibri është burim tensionesh politike mes dy vendeve.

Udhëheqësit e tetë vendeve më të industrializuara të njohura si Grupi i Tetëshes, do t’i diskutojnë paraprakisht çështjet në takimet që do të mbajnë të premten dhe të shtunën në një pikë turisitike në Kanada, pranë Torontos ku do të mbahet takimi i 20-es.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 gusht 2022 - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë. (Hotel Palace në Mitrovicë, ora 10:00)

= Mbahet ceremonia solemne e vënies se gurthemelit të ndërtesës së re të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Nexhat Çuni” tek ish objekti i KRU “Mitrovica”. (Rruga “Bislim Bajgora” Mitrovicë, ora 12:00)