19 Prill 2024

Frika nga falimentimi bëri që shumë shtete të marrin masa

Athinë, 4 korrik - Nga hiri i krizës ekonomike të Evropës, disa analistë shohin farat e shpresës, kjo, sepse kërcënimi i falimentimit po i detyron qeveritë e vendeve të ndryshme që t’i marrin shumë seriozisht reformat financiare në vendet e tyre.

Në fakt, të gjithë në parim kanë qenë prej kohësh pro reformave, por kurrë nuk i morën seriozisht dhe tani duan apo nuk duan, të gjithë po nxitojnë që t’i kryejnë, sado të dhimbshme që të duken.

Ishte Greqia ajo që dha alarmin e para, por që tregoi edhe njëherë se sa të përçara janë vendet e BE-së kur është fjala për të marrë një vendim të përbashkët, të rëndësishëm, qoftë edhe një vendim që ka të bëjë me vetë ekzistencën e monedhës së përbashkët me të cilën operojnë plot 16 vende.

Por me t’u kaluar ky problem, pas vendosjes së Gjermanisë që të bashkohej me kontribuuesit e tjerë për shpëtimin e Greqisë dhe vendeve të tjera, një numër i madh vendesh europiane nisën që fillimisht të merrnin masa për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore dhe më pas menduan për të ristrukturuar shumë gjëra të tjera.

Fillimi ishte i Greqisë, me dy vendime të njëpasnjëshme për të reduktuar shpenzimet, por më pas nisën që të aplikonin masa të tilla edhe vetë Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja, sa për të përmendur disa nga vendet e BE-së.

Sipas disa analistëve, këto janë shenja të qarta të faktit se reformat janë shumë të domosdoshme në Europë dhe se është e rëndësishme që këtë herë ato të jenë të thella, gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha parandaluese për kriza të rënda.

Në fakt, qeveritë tashmë e dinë se nuk ka më kohë për t’i marrë gjërat me përtesë dhe me zvarritje, sepse në një rast të tillë do të bëhet fjalë për situata ekstreme, si ajo e falimentimit të vetë shteteve, ç’ka nuk do të ishte një ekstrem që mund të kishte ndodhur me Greqinë, nëse nuk do të kishte marrë masat shtrënguese dhe nuk do të kishte marrë edhe ndihmën financiare nga FMN dhe BE.

Sfida me të cilën përballen aktualisht qeveritë e BE-së, është ajo e çuarjes përpara me vrull të këtyre reformave.

Kjo nuk është aspak e lehtë. Berluskoni, qeveria e të cilit votoi për masat në fjalë, ka bërë të ditur dje se ka ndërmend që të rishikojë disa nga masat e marra dhe një masë të tillë mund ta marrë shumë shpejt edhe Franca, e ndodhur para kundërshtive popullore.

Por një gjë e tillë nuk vihet ende re në Spanjë dhe Greqi, që janë edhe vendet që mund të ishin rrezikuar, edhe pse rreziku nuk ka marrë akoma fund. Problemi i madh që u del qeverive në raste të tilla shkurtimesh të shpenzimeve buxhetore është shkalla e rritjes ekonomike.

Në kushte normale, kjo rritje do të dëmtohej rëndë, por në kushtet kur një numër i madh i vendeve europiane sapo ka dalë nga recesioni, paketa e shkurtimeve është shumë problematike, pra është një thikë me dy presa që duhet përdorur me shumë kujdes, për të mos shkaktuar më shumë dëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)