18 Gusht 2022

Fondi i punësimit synon të zvogëloj papunësinë në Kosovë

Prishtinë, 19 prill - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka organizuar një takim pune me të gjithë kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, për t'i njoftuar ata në lidhje me procedurat dhe afatet e aplikimit në Fondin për Nxitjen e Punësimit.

Institucionet e Kosovës synojnë që nëpërmjet projektit që mban emrin “Fondi i punësimit”, ta zbusin papunësinë në Kosovë. Shuma e ndarë për këtë Fond është 2 milionë euro dhe pritjet janë që në dy vitet e ardhshme të jetë edhe më e madhe.

Shuma e cila është në dispozicion për vitin financiar 2010 nga Fondi i punësimit është mbi 2 milion euro. Kjo vlerë, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pritet të rritet në dy vitet e ardhshme.

Fondi i punësimit pritet t'ua mundësojë të gjitha komunave të Kosovës të konkurrojnë me projektet e tyre, në mënyrë që të mund të thithin mjete nga ky fond.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq tha se programi për zvogëlimin e papunësisë do të filloj prej këtij viti dhe do të zgjasë deri në vitin 2012, ndërsa bëri të ditur se në vendet tjera kjo formë ka pasur ndikim në zvogëlimin e papunësisë prej 3 deri në 5 për qind.

Rashiq tha se vitin e parë të projektit janë paraparë të ndahen 2 milionë e 150 mijë euro, ndërsa në vitin e dytë 3.5 dhe vitin e tretë 5 milionë, por nëse komunat tejkalojnë në implementimin e projekteve, atëherë Komisioni Evropian do të financoj deri në fund të vitit edhe me 5 milionë euro shtesë.

Ministri Rashiq, ka kërkuar nga përfaqësuesit e komunave të Kosovës që të përgatisin projekte të cilat ndikojnë në zbutjen e papunësisë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Esenca e këtij projekti është punësimi i qëndrueshëm dhe kjo do të ndodh gjatë tre viteve. Do të bëjmë një zhvillim ekonomik perms projekteve që do t’i bëjmë se bashku. Shumica e projekteve duhet të kenë për qëllim punën publike, si dhe renovime të ndryshme nëpër komuna”, tha ai.

Projektet të cilat do të mund të financohen nga ky fond, duhet të kenë për qëllim punësimin dhe zhvillimin ekonomik të komunës. Sipas ministrit Rashiq, ky projekt është realizuar edhe në shumë vende të rajonit dhe ka rezultuar me zvogëlim të papunësisë prej 3 deri në 5 për qind.

“Projekti do të zgjasë tri vite dhe në vitin e parë kemi mbi 2 milionë euro, në vitin e dytë 3. 5 milionë ndërsa në vitin e tretë do të kemi 5 milionë. Ky projekt do të këtë ndikim të madh në drejtim të vërtetimit të asaj se ne si shoqëri dhe si komuna jemi të përgatitur t’i absorbojmë ato mjete dhe t’i përdorim në drejtimin e duhur”, u shpreh Rashiq.

Megjithatë, Drejtori për zhvillim ekonomik në komunën e Gjakovës, Shpëtim Rezniqi, thotë se kanë projekte të gatshme, por sipas tij, nuk mund të tejkalohet papunësia me projekte.

“Sipas mendimit tim kjo shumë nuk është edhe aq e madhe për të gjitha komunat të cilat janë në Kosovë, mirëpo sado kudo do ta ulë në një masë të caktuar shkallën e papunësisë”, tha ai.

Ndërkohë në bazë të statistikave të Ministrisë së Punës, mbi 40 për qind e popullatës të aftë për punë janë të papunë, megjithëse zyrtarët e kësaj ministrie thonë se mungojnë informacionet e sakta, duke pasur parasysh se në Kosovë nuk ka regjistrim të popullsisë.

Kryesues i divizionit të punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës, Hafiz Leka, thotë se shkalla e papunësisë në Kosovë vjen si pasojë e një zhvillimi të ngadalshëm ekonomik, që nuk ofron gjenerim të vendeve të reja të punës.

“Ajo çka e karakterizon tregun e punesës në Kosovën është një papunësi afatgjate, ku 92 për qind përfshin atë pjesën mbi 12 muaj. Gjithashtu rreth 73 për qind e të papunëve janë te nivelit shkollar me shkolla të mesme. Një karakteristik tjetër te tregut të punës në Kosovë është edhe kemi një punësim jo formal diku që sillet rreth 50 % dhe kjo e dëmton ekonomin e Kosovës”, tha ai.

Projekti “Fondi i Punësimit”, i cili ka për qëllim zbutjen e papunësisë, realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 gusht 2022

 - Mbahet seanca në rastin e falsifikimit të tenderit 800 mijë euro për rinovimin e objektit të PSRK-së ndaj të akuzuarit Tahir Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Komuna e Rahovecit mbant dëgjimi publik për buxhetin e vitit 2023 më bashkësit lokale, lagjet urbane dhe përfaqesues të shkollave. (Shtëpia e Kulturës 'Mensur Zyberaj' në Rahovec, ora 10:00)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mban konferencë për media e cila ndërlidhet me shpalljen e grevës së përgjithshme. (Zyrat e BSPK-së, ora 13:00)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon hapjen e programit Rezidenca 17. (Shtëpia e Hivzi Sulejmanit në lagjen Taslixhe, ora 18:00)