18 Qershor 2021

FKGK nënshkruan marrëveshje me dy institucione mikrofinanciare

Prishtinë, 12 maj - Sot, në ambientet e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), dy Institucionet Mikrofinanciare (IMF) më të mëdha për sa i përket vëllimit të kredive aktive - KEP Trust dhe FINCA Kosovë, nënshkruan Marrëveshjet e Garancisë për garantimin e kredive bujqësore brenda Dritares Agro të FKGK-së.

Kjo ngjarje shënon një moment kyç për FKGK-në dhe për sektorin mikrofinanciar duke ofruar garanci për kredi bujqësore për fermerët dhe agrobizneset vendore.

Arsim Bruçaj, Drejtor Ekzekutiv në Asociacionin e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) theksoi që nënshkrimi i marrëveshjes së Institucioneve Mikrofinanciare me FKGK-në do të jetë një shtysë e madhe në rritjen e kreditimit për bujqit dhe fermerët e Kosovës dhe është një hap domethënës drejt rritjes së përfshirjes financiare në Kosovë.

Kastriot Këpuska, Agro Ekspert në FKGK theksoi që ky është një hap i rëndësishëm për të gjitha palët e ndërlidhura drejt përfshirjes dhe garantimit të një baze më të gjerë të klientëve të financuar.

Fermerët e financuar nga Institucionet Mikrofinanciare paraqesin një pjesë të rëndësishme të sektorit bujqësor dhe garantimi i kredive të tyre presim që të lehtësojë kredidhënjen dhe të ndikojë dukshëm në krijimin e kushteve sa më të mira për financimin e tyre.

Dritarja Agro është skemë garantuese që operon në kuadër të FKGK-së me qëllim të mbështetjes së fermerëve dhe agrobizneseve duke garantuar kreditë për këtë sektor. Kapitali i përgjithshëm i Dritares Agro është në vlerë totale prej EUR 11.5 milion dhe është financuar plotësisht nga Qeveria Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Qershor 2021 - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli do të vizitojnë banesat kolektive ku janë përfunduar punimet për renovimin e kulmeve, si dhe ku kanë filluar punimet për lyerjen e korridoreve. (Përballë Qendrës Sportive, ora 10:00)

- Anulohet -  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mban tryeza e radhës bashkëbisedim me Ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli. (Zyrat e Odës Amerikane në Pejton, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, shefi i misionit të UNHCR, Erol Arduc, Drejtuesi i sektorit të bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, dhe Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, znj. Ulrika Richardsondo të zbulojn pllaken e përurimit të një pjese të sapo renovuar të Qendrës së Azilit, në Vranidoll të komunës së Prishtinës. (Qendra e Mbajtjes në Fshatin Vranidoll, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me nënkryetaren Memnuna Ajdini do të vizitojnë rajonin e Zhupës, ku do të shohin nga afër projektet e realizuara në këtë rajon. (Rajoni i Zhupës, ora 10:30)

- Kolegji Universum organizon një ligjeratë publike me Alain Le Roy - diplomat francez i cili ka qenë Zv. Sekretar i përgjithshëm i OKB-së, udhëheqës i gjitha operacioneve globale paqeruajtëse të OKB-së në botë, Ambasador i Francës dhe shumë poste tjera të rëndësishme. (Hapësirat e kolegjit Universum në kampusin e Lipjanit, ora 11:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton formimin e grupeve punuese për mbikëqyrjen e ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00)

- Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina mban në konferencë për shtyp rreth më të rejave të klubit. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 14:00)

- Prointegra organizon takim publik ''Kosova në lëvizje - Kontributi i diasporës''. (Online nëpërmjet ZOOM, ora 14:00)