28 Mars 2024

Ferizaj nuk ishte efikase në menaxhimin e projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”

Prishtinë, 30 qershor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësohej nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikim dhe menaxhim si edhe nëse janë arritur objektivat e këtij projekti.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar projektin që nga zanafilla e tij në dhjetor të vitit 2017 e deri në prill të vitit 2022, përfshirë planifikimin, procedurat e prokurimit, menaxhimin dhe arritjen e objektivave të projekti.

Subjekt i këtij auditimi janë Komuna e Ferizajt dhe departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i cili është përfshirë në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit.
 
Auditimi ka konstatuar se Komuna e Ferizajt nuk ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit "Bashkimi i qytetit" sepse kishte marrë më shumë kohë dhe kishte kushtuar më shumë se që ishte paraparë.

Auditimi ka nxjerrë në pah, se si pasojë e planifikimit jo të mirë të projektit, komuna kishte kontraktuar shumë punë të cilat nuk ishin parashikuar në fillim dhe për pasojë kishte kosto shtesë, menaxhim jo efektiv të kontratave, kishte vonesë në kryerjen e punëve dhe ende nuk është bërë pranimi teknik i projektit.

Po ashtu, komuna nuk ka bërë vlerësim lidhur me nivelin e arritjes së objektivave të ndërtimit të projektit, që do të thotë se nuk ka informacion se çfarë vlere i ka shtuar investimi jetës së qytetarëve të komunës.

Komuna nuk e kishte përfshirë projektin në dokumentet strategjike duke e zbehur kështu transparencën ndaj qytetarëve. Nuk ishin buxhetuar mjete të mjaftueshme për realizimin e projektit dhe si pasojë projekti nuk ka arritur të realizohet me kohë.

Komuna nuk kishte marrë të gjitha masat për të siguruar parakushte për ndërtim të papenguar të projektit. Përveç kësaj, kishte kontraktuar shërbime apo punë me çmim shumë më të lartë se vlera e parashikuar e kontratave duke e kufizuar konkurrencën mes operatorëve ekonomik.

Kemi gjetur edhe se Komuna i kishte paguar operatorit ekonomik punë të cilat ende nuk janë përfunduar dhe në anën tjetër operatori ekonomik ka përfunduar punë për të cilat ende nuk është paguar.

Komuna nuk ka njohuri se a i ka arritur objektivat e projektit sepse nuk ka hartuar një metodë për të matur ndikimin që do të ketë projekti në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca,  lidhur me këtë auditim ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e kontrolleve në fazën e planifikimit, tenderimit dhe menaxhimit të projektit dhe ka deklaruar se është më se  e nevojshme që fondet publike të shpenzohen me përgjegjshmëri të plotë.

Planifikimi i dobët dhe menaxhimi jo efektiv i kontratave publike që ndërlidhen me projektin “Bashkimi i qytetit” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës shpenzime shtesë, dhe, edhe pas katër viteve projekti nuk ka përfunduar.

Projektet e tilla me interes publik dhe me kosto të lartë financiare, duhet t’i nënshtrohen një diskutimi gjithëpërfshirës dhe me kohë me qytetarët dhe duhet të ketë objektiva të qarta dhe të matshme për realizmin e tyre.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të menaxhimit të projekteve të tilla ndërtimore kemi dhënë dy rekomandime për Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe 11 rekomandime për Komunën e Ferizajt.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)