16 Maj 2022

Evazioni fiskal po e dëmton ekonominë kosovare

Prishtinë, 20 maj - Autoritetet kosovare thonë se nuk kanë të dhëna se në çfarë mase mund të jetë evazioni fiskal në Kosovë, por, sipas tyre, gjatë viteve të fundit është shënuar rënie e kësaj dukurie. Ndërkaq, ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se kjo dukuri ka marrë përmasa të mëdha e shqetësuese dhe si e tillë ndikon rëndë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës japin mendime të ndryshme sa i përket shkallës së evazionit fiskal. Derisa zyrtarët institucionalë thonë se është shënuar rënie e kësaj shkalle, ekspertët pohojnë të kundërtën.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se kjo dukuri, e cila dëmton ekonominë kosovare, po luftohet.

“Është jashtëzakonisht vështirë të thuhet se sa është niveli i evazionit fiskal, por të hyrat dhe rezultatet që po i kemi gjatë viteve, po shkojnë në rritje të vazhdueshme dhe këto janë tregues i mirë se gjithnjë e më pak ka hapësirë për evazion fiskal”, thotë ai.

Ekspertët e çështjeve ekonomike kritikojnë institucionet e Kosovës për neglizhencën e treguar karshi kësaj çështjeje. Projektin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e arkave fiskale te bizneset, ata e shohin si një projekt, i cili nuk do të mund të ndikojë në përmirësimin e gjendjes aktuale.

Eksperti i ekonomisë, Lumir Abdigjiku, shprehet:

“Qeveria e Kosovës nuk ka projekte konkrete dhe nuk ka as lëvizje, të paktën verbale, në projektet e luftës kundër informalitetit. Nëse mendojnë se arkat fiskale do të mund ta zbusin informalitetin, është qasje e gabuar, mbivlerësim i rëndësisë së arkave fiskale”.

Vendosja e arkave fiskale ka filluar gjatë këtij viti. Arkat fiskale, sipas këtij projekti, janë të obliguara t’i vendosin të gjitha bizneset kosovare.

Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore dhe Policia e Kosovës, kohë më parë, kanë nënshkruar një memorandum për bashkëpunim në luftimin e evazionit fiskal. Ky memorandum ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve mes këtyre institucioneve dhe mbështetjen e njëra-tjetrës në luftimin e ekonomisë joformale.

Drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) thonë se rreth 80 për qind e obligimeve tatimore përmbushen në mënyrë vullnetare nga tatimpaguesit.

Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, thotë se janë krijuar mekanizma të nevojshëm për mbledhjen e këtyre mjeteve nga qytetarët dhe bizneset kosovare.

“Ne, me mekanizmat që kemi, po bëjmë përpjekje që tatimpaguesit të jenë në dijeni për obligimet e veta, por nëse ka shmangie të qëllimshme, pasojnë edhe ndëshkimet. Ka raste kur bëhet me vështirësi për shkak të rrethanave të caktuara, si: kontrollimi i të gjithë kufijve, qarkullimi i lirë në të gjitha territoret, pamundësia për të operuar me zyrtarët tatimorë në disa territore”, shprehet Haliti.

Kosova, së fundi, është kritikuar nga Komisioni Evropian për shkallë të lartë kontrabande dhe evazion fiskal, për shkak edhe të gjendjes në veri, ku që prej pavarësimit të vendit, qasja e institucioneve të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë është pamundësuar.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdigjiku, u sugjeron autoriteteve kosovare që të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për luftimin e kësaj dukurie, pasi që, siç thotë ai, zbutja e kësaj dukurie do të sillte përftime të mëdha.

“Luftimi i informalitetit do ta shpërblejë Kosovën mjaft, pasi që, nëse luftojmë informalitetin, do t’i rrisim të hyrat buxhetore, rrisim mundësinë për të shtruar më tepër rrugë, për të zhvilluar arsimin, për të ndërtuar më shumë shkolla. Do të ndihmonte edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit", thekson Abdigjiku.

/Evropa e lire/

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 maj 2022

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung, hapin nesër në Pejë edicionin e 8-të të Shkollës Diplomatike Verore. (Hotel Dukagjini në Pejë, ora 9:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, viziton familjen e veprimtarit Ukshin Hoti. (Krushë e Vogël, ora 9:50)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00‪)

- Konstituohet  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- ECIKS organizon ngjarjen përmbyllëse të programit Access - “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, program ky i cili përgjatë katër viteve pati për qëllim të lehtësojë zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, Goethe Zentrum hap dyert për të gjithë të interesuarit për tu njoftuar me ofertart e tyre. (Goethe Zentrum në Prishtinë, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me ekspertin e angazhuar nga UN Women lidhur me përfundimin e draftligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- OJQ Aktiv ka kënaqësinë t'ju ftojë në promovimin e ueb faqes “Miqësia Serbo-Shqiptare”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicë, Mbreti Petri I, 183a, ora 11:00)

- Me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së profesorit, politologut dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare Mr. Ukshin Hoti, do të bëhet një vizitë në Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit. (Fshati Krushë e Madhe, ora 11:00)

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes zyrtare e edicionit te dytë të panairit Max fest. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrtion raportin me rekomandime për Projektligjin për turizmin dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Brestoc, Hoçë e Vogël. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Brestoc dhe Hoçë e Vogël, ora 17:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, shfaqet filmi "Sami, Joe und ich" nga Karin Heberlein si dhe mbahet diskutim me temë "Diaspora në Kinema: Promovimi i imazhit të Kosovës në vende gjermano folese. (Kinema Armata, ora 18:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Nagac dhe Celinë. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Nagac dhe Celinë, ora 18:00)

- Shfaqet premiera e dokumentarit “Babai dhe Babai”. (Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, ora 20:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatit Krushë e Madhe. (Shtëpia e Kulturës “Muhamet Malsori”, ora 20:00)