18 Prill 2024

Euro mbetet monedhë e qëndrueshme

Bruksel, 9 korrik - Euro shënoi vlera të ulëta në muajt maj dhe qershor, por kohët e fundit i ka eliminuar humbjet. Frika se monedha e përbashkët mund të pësonte kolaps, nuk u bë realitet.

Të dhënat pozitive ekonomike nga Spanja dhe Greqia, dobësimi i dollarit për shkak të zhvillimit jo aq pozitiv të ekonomisë në SHBA si dhe treguesit që flasin për një rritje të qëndrueshme ekonomike në Gjermani, e kanë forcuar euron. Të humburit janë tani spekulatorët që kishin vënë baste për rënie të mëtejshme të kursit të monedhës së përbashkët.

Rolf Schneider, ekonomist pranë grupit Allianz dhe bankës Dresdner, e përshkruan euron një monedhë të qëndrueshme:

"Kushdo që vinte bast për kolapsin e euros, me siguri që këtë herë ka zgjedhur kalin e gabuar në garë. Për momentin euro nuk fluturon shumë lart por është pa asnjë dyshim një monedhë e qëndrueshme."

Në fillim të qershorit euro arriti nivelin e ulët prej 1.20 dollarësh amerikanë. Në fillim të gushtit monedha këmbehet me 1.30 dollarë amerikanë, duke rifituar terrenin e humbur.

Sipas Schneider-it, edhe vetë fakti që fondet hedge po tërheqin bastet e tyre kundër euros, mund të jetë një zhvillim pozitiv në favor të euros.

Spanja dhe Greqia po marrin veten

Rënia në kursin e euros u shkaktua pjesërisht prej krizave të borxheve në Greqi dhe në Spanjë. Greqia ia ka dalë gati ta përgjysmojë borxhin e ri, dhe ekonomia spanjolle po shfaq shenja rimëkëmbjeje thotë Schneider.

"E rëndësishme është që nuk pati recesion dhe treguesit ekonomikë janë të mirë thuajse kudo në Evropë. Gjermania kryeson por ne vlerësojmë se edhe ekonomia spanjolle po rritet përsëri", thotë Schneider.

"Skenarët e tmerrit" nuk u bënë realitet

Skenarët e tmerrit që përfytyroheshin në eurozonë në fillim të vitit nuk ndodhën. Sipas Jochen Mobert, analist pranë departamentit të kërkimeve të bankës Deutsche Bank, rimëkëmbja e euros i dedikohet pjesërisht tërheqjes së spekulatorëve.

"Kur është fjala për konsolidim buxhetesh të gjitha vendet e prekura thuajse i kanë tejkaluar objektivat dhe po bëjnë përparime të mira. Megjithëse ka ende dobësi strukturore dhe mbetet një lloj skepticizmi, për momentin kemi më shumë lajme të mira se sa këqija", thotë Mobert për Deutsche Welle-n.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)