28 Mars 2024

Dell: Papunësia dhe korrupsioni, shqetësime kryesore në Kosovë

Prishtinë, 24 nëntor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), sot ka prezantuar një studim të quajtur  “Kosova në Sytë e Investitorëve të Huaj” studim ky qe ka për qëllim që të kuptoj perceptimin e kompanive të huaja për Kosovën dhe ambientin e saj afarist.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Christopher Dell tha se Kosova gjatë viteve në vazhdim duhet të përballet me shqetësimet kryesore të qytetarëve të saj, që janë papunësia dhe korrupsioni.

Për këtë arsye, tha ai, është me rëndësi që vendi të ketë zgjedhje të mira e të lira që do të dërgonin mesazhe se Kosova është vend tërheqës për investime.

Dell ka thënë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për investitorët e huaj dhe për këtë  qeveria amerikane dëshiron që në Kosovë të ketë një demokraci dhe ekonomi të fortë, në mënyrë që Kosova të bëhet model stabiliteti në rajon.

Dell shprehu bindjen se investitorët do të kërkojnë informatat që mbështesin dyshimet e tyre se Kosova është një vend i korruptuar dhe  pa sundim të ligjit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të dëshmojnë se këto dyshime janë të pabazuara.

“Ne duhet të punojmë për të përmirësuar këtë duke i treguar botës se ka demokraci në Kosovë, se ka sundim të ligjit dhe se njerëzit e saj janë të përkushtuar për të ndërtuar, mbrojtur dhe shijuar lirinë”, ka deklaruar Dell.

Nderkaq Ministri i Ekonomisë dhe Financave në dorëheqje, Ahmet Shala, tha se përkujdesja ndaj investitorëve, si vendorë por edhe të huaj, është interes kombëtar. Prandaj ai tha se do të merren masa konkrete për krijimin e legjislacionit si dhe tejkalimin e barrierave burokratike.

“Ju si qytetar dhe ne si institucione të Kosovës, jemi shumë të interesuar për të ditur saktë diagnozën se ku janë elementet e dobëta dhe ku janë ato që kanë bërë progres”thekson Shala 

Edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Lekë Musa, tha se për hartimin e këtij studimi kanë intervistuar kompani nga dhjetë shtete të Ballkanit, anëtare të rrjetit të odave amerikane.

Në këtë studim thuhet investitorët e huaj kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë, por ata kanë kërkuar përmirësimin e infrastrukturës ligjore, luftimin e burokracisë dhe krijimin e lehtësirave tatimore.

Hulumtimi i zhvilluar me investitorët e huaj që janë prezent në Ballkan dhe në Evropën Juglindore, por jo në Kosovë, tregon se kompanitë në fjalë veç kanë dëgjuar për Kosovën dhe se fushata mediale Kosova‐ Evropianët e Rinj ka pasur ndikim pozitiv në këtë aspekt.

Megjithatë, situata ndryshon sa i përket njohurisë së investitorëve për mjedisin afarist në Kosovë. Gjithashtu, investitorët potencialë duket se nuk janë të informuar sa duhet lidhur me potencialet që Republika e Kosovës ka për t’u ofruar investitorëve të huaj.

Hulumtimi ka nxjerrë si konkluzion kryesor që pavarësisht përpjekjeve të vogla të institucioneve relevante për të tërhequr investimet, ekziston një interesim në mesin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë. Rekomandimet e dhëna nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tregojnë hapat kyçë që duhen ndërmarrë nga ana e institucioneve përkatëse të Kosovës në të ardhmen e afërt.

Sipas raportit,76 për qind e kompanive kanë vlerësuar se mjedisi afarist në Kosovë është premtues, ndërkaq mbi 50 për qind e kompanive janë shprehur se kanë nevojë për më shumë informacione që të investojnë në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)