05 Korrik 2022

Delegacion turk premton mbështetje për Mitrovicën

Mitrovicë, 6 gusht - Një delegacion turk nga pesë komuna, të përfaqësuar nga katër kryetarë dhe një nënkryetar, gjatë një takimi që kanë zhvilluar me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, kanë premtuar mbështetje për Mitrovicën. Ata kanë përmendur fushën ekonomike, kulturore, sociale etj, ku mund të investojnë në të ardhmen.

Kryetari i komunës Kizilcabölük, Abdülkadir Uslu, tha se kjo vizitë është organizuar për të shqyrtuar mundësitë për investime dhe mbështetje të projekteve të ndryshme në Mitrovicë.

“Institucionet qendrore dhe lokale në Turqi kanë raporte vëllazërore me Kosovën, andaj ne jemi të interesuar që të thellojmë bashkëpunimin dhe të ndihmojmë për realizimin e projekteve të ndryshme në të mirë të popullatës që jeton këtu”.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati, ka falënderuar delegacionin turk për vizitën dhe mbështetjen e ofruar. Pasi i ka njoftuar për gjendjen në Mitrovicë, si në fushën politike, të sigurisë dhe atë ekonomike, ku gjendja është e rëndë dhe papunësia e madhe, kryetari Kastrati, ka folur për hapat e ndërmarrë për krijimin e kushteve për investitorë.

Ai ka përmendur projektin për Zonën e lirë ekonomike, ku parashihet që investitorët do të mund të punojnë pa paguar fare tatime.

Ndër projektet e përmendura që mund të mbështeten nga komunat e Turqisë ka qenë edhe ai i Parkut Botanik që mund të realizohet në “Fidanishte”.

Ndryshe delegacioni turk ka zhvilluar një vizitë edhe në Fakultetin e Shkencave Aplikative në Mitrovicë, mandej ka parë për së afërmi hapësirën e ndarë nga komuna për ndërtimin e kompleksit universitar etj.    
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)