23 Prill 2024

Bullgaria humb 5 miliardë euro në vit nga ekonomia e zezë

Sofje, 29 shtator - Sipas opinionit publik nga 50 deri më 70 për qind prej ekonomisë bullgare është në sektorin informal. Kështu shteti humb mbi 10 miliardë leva (rreth 5 miliardë euro) në vit. Çdo bullgar i katërt është dakord të marrë pjesë në ekonominë e zezë.

Kjo do të thotë se ai është dakord të fillojë punë pa kontratë pune, ose të sigurohet mbi një shumë më të vogël nga ajo që merr.

¼ prej bullgarëve nuk kërkojnë faturë kur paguajnë disa llogari të veçanta. Të dhënat janë nga një studim i Asociacionit të kapitalit industrial në Bullgari, i shpallur në një tryezë të rrumbullakët, kushtuar ekonomisë së zezë te ne.

“Për fat të keq ekonomia e zezë në vitet e krizës po zgjerohet. Bullgaria nuk bën përjashtim në këtë drejtim – tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Vasill Velev, kryetar i Asociacionit të kapitalit industrial.

"Mbi 58 për qind prej popullsisë mendon se ekonomia e zezë te ne po rritet. Ky është mendimi edhe i punëdhënësve. Sipas tyre përqindja e ekonomisë së zezë prej Prodhimit të Brendshëm Bruto ka arritur 42 për qind. Në disa regjione dhe sektorë ekonomikë ekonomia e zezë është mbi 75 për qind prej ekonomisë.”

Të dhënat e biznesit janë krejt të ndryshme nga ato të statistikës kombëtare. Sipas Institutit Statistikor Kombëtar përqindja e ekonomisë së zezë te ne në vitin 2008 ka qenë pak mbi 10 për qind. Në rast se Prodhimi i Brendshëm Bruto është 70 miliardë leva (36 miliardë euro), kjo do të thotë se buxheti është dëmtuar me afro 7 miliardë leva (3.6 miliardë euro). Instituti Statistikor Kombëtar nuk disponon të dhëna për vitin e kaluar dhe për këtë vit, por sipas ekspertëve tendenca është për rritje të përqindjes. Ku jemi ne në kuadrin e BE-së.

“Në kuadrin e BE-së ne jemi ndër vendet e para – saktëson Vasill Velev. – Në fakt ekonomi të zezë ka kudo, çështja është nëse ajo është në përmasa të tilla, që të mund të kufizohet dhe të mos bllokojë biznesin legal, të mos jetë konkurrente ilegale, sepse kjo çon deri në rritje të korrupsionit për shembull.”

Zëvendës ministri i punës dhe i politikës sociale Krasimir Popov është i mendimit se te ne ekonomia e zezë është disa herë më e lartë nga ajo në vendet e tjera evropiane, ku sektori informal është rreth 10 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto. Për shkak të krizës ekonomike dhe financiare punëdhënësit kërkojnë mënyra për shkurtim të shpenzimeve, duke mos paguar tatime dhe sigurime.

Kështu konkurrenca e paligjshme thellohet dhe i shkakton dëme biznesit legal. Studimi i Asociacionit të kapitalit industrial tregon se një prej shkaqeve për përqindjen e lartë të ekonomisë së zezë te ne është mungesa e kontrollit nga ana e shtetit. Përqindja në rritje e biznesit ilegal në Bullgari tërheq firma nga Greqia, Rumania, Italia, të cilat përfitojnë nga sektori informal, duke zhvilluar një biznes më të lirë te ne.

Ekspertët përgjithësojnë tri praktika tipike bullgare nga ekonomia e zezë. Ato janë: fshehje e një pjese prej xhiros, fitime nga TVSH-ja e papaguar dhe mosdhënie e dokumenteve përkatëse financiare. Ekonomia e zezë është më e përhapur në sferën e ndërtimit, shëndetësisë dhe turizmit. Të dhënat tregojnë se firmat e vogla janë ato që përbëjnë përqindjen më të madhe të sektorit informal, por në të njëjtën kohë shkeljet e tyre janë më të vogla. Kontrolli mbi kompanitë më të mëdha është i përforcuar, por ato bëjnë dhe shkelje më të mëdha të legjislacionit. Si mund të luftojmë kundër ekonomisë së zezë?

“Kjo është një prej detyrave të studimit – të bëjë rekomandime për ndryshime në legjislacion, në praktikat administrative. Një sërë punëdhënësish, të cilat morën pjesë në anketim, shënojnë si shkak për zgjerimin e ekonomisë së zezë disa veprime të shtetit. Për shembull pagimi i vonuar i prokurimeve të zbatuara publike i detyron punëdhënësit të paguajnë pagat nën formën e avancave, që të kursejnë para nga sigurimet dhe tatimet. Domethënë veprimet, të cilat duhet të ndërmerren janë kryesisht nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ."

"Mirëpo kjo është një detyrë dhe para tërë shoqërisë që të mos ketë aspak tolerancë ndaj sektorit informal, sepse aktualisht jemi dëshmitarë të një tolerance ndaj ekonomisë së zezë, gjë që nuk çon deri në kufizimin e saj. Prandaj qëndrimi i opinionit publik është shumë i rëndësishëm në këtë luftë jo të lehtë.” 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)