09 Gusht 2022

Bordi i Trustit investon edhe 59 milionë euro

Prishtinë, 14 prill - Bordi Udhëheqës i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka bërë të ditur se ka përfunduar mbledhjen e radhës ku ka vendosur që t’i plasojë edhe 59 milionë euro shtesë nëpër menaxhuesit aktual të mjeteve.

Anëtari i këtij bordi Ymer Havolli ka thënë së gjithnjë sipas parimeve të investimeve të hartuara dhe miratuara nga Bordi në mbledhjen e kaluar, bordi ka vendosur që të investohen 10 milionë euro shtesë në tregun e aksioneve, përmes menaxhuesit të mjeteve Vanguard.

Ky vendim sipas tij është marrë konform stabilitetit në rritje të tregjeve ndërkombëtare financiare si dhe rezultateve të kënaqshme të cilat i kanë arritur investimet e Trustit gjatë tremujorit të parë këtij viti.

Ndërkohë Havolli ka bërë të ditur që 4 milionë euro shtesë është vendosur të deponohen në Raiffeisen Bank në Kosovë, e cila i ka garantuar këto depozita me bono thesari të sigurisë më të lartë (AAA).

Bordi sipas tij po ashtu ka vendosur që ta plasojë shumën prej 45 milionë eurove në tregun e parave të gatshme, përmes menaxhuesit të mjeteve Fortis, investime këto që llogariten të jenë më të sigurtat në treg.

"Plasmanet në Fortis janë të përkohshme dhe do të qëndrojnë aty deri në një kohë kur Bordi të vendos për rritjen e plasimeve në instrumentet tjera të investimeve", ka thënë ai.

Shumat për investimin e të cilave u vendos gjatë kësaj mbledhje të Bordit janë marrë nga llogaria e Trustit në Bankën Qendrore të Kosovës ku, pas këtyre transfereve, kanë mbetur afërsisht 20 milionë euro.

Sa i përket strategjisë afatgjate, Bordi pati përcaktuar në mbledhjen e kaluar se ajo do të orientohet në 3 kategori kryesore:

• 40% e fondit në fondet e indeksuara të aksioneve, aktualisht të investuara me Vanguard;

• 30% e fondit do të jetë i investuar në instrumente që kanë kthim absolut, të ngjashme me fondet që menaxhohen nga Schroders dhe ECM; si dhe

• 30% e fondit në instrumente financiare siç janë tregu i parasë së gatshme, depozita bankare, etj.

Bordi Udhëheqës gjatë kësaj mbledhje po ashtu e ka shqyrtuar listën e menaxhuesve potencial të mjeteve dhe ka hartuar listën e shkurtë të tyre në procesin e përzgjedhjes së menaxhuesve të mjeteve për kategorinë me kthim absolut.

Bordi është shprehur tejet i kënaqur me kthimin në investime gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Muaji mars ka qenë veçanërisht pozitiv duke rezultuar me rritje prej 3.2% të çmimit të njësisë së Trustit, ose, shprehur në vlerë monetare, me kthim prej 12.7 milionë eurove.


Pasqyrat individuale

Bordi Udhëheqës ka përshëndetur kompletimin efikas të procesit të raportimit për kontribuesit në Trust. Gjatë muajit mars Trusti ka përfunduar shtypjen e afro 300,000 pasqyrave për periudhën 2009. Këto pasqyra tashmë janë duke u shpërndarë përmes postës në adresat e kontribuesve.

Deri në fund të këtij muaji do të përfundohet shpërndarja e tyre. Trusti i fton kontribuesit që nuk marrin pasqyrë në adresën e tyre, që të na kontaktojnë për ta përmirësuar adresën apo për të krijuar qasje përmes internetit në llogarinë e tyre.

Për fund Bordi Udhëheqës i uron sukses dhe punë të mbarë z. Besim Beqaj, ish kryesues i Bordit Udhëheqës të Trustit, i cili kohë më parë u emërua në pozitën e Ministrit të Ministrisë për Integrime Evropiane.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 gusht 2022

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’ rast do të publikoj gjetjet nga monitorimi i realizimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar- qershor 2022. (Zyret e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, mban takimin me temën “Arsimi i komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës”, me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve relevant të institucioneve. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Hapet ekspozita “Ekonomia e Gruas në tregun e punës” e cil paraqet veprat e artistëve të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilët në mënyra të ndryshme trajtojnë format e padukshme/të neglizhuara/të panjohura të punës. (Mini Studio në Rr. Nazim Gafurri 25, ora 20:00)