29 Mars 2024

Biznesmenët nga Turqia vizitojnë Mitrovicën

Mitrovicë, 22 gusht - Një grup biznesmenësh nga Turqia të prirë nga kryetari i komunës së Inegolit, Alinur Aktash, kanë qëndruar dy ditë në Mitrovicë, ku gjatë takimeve me kryetarin e komunës, Avni Kastrati, janë njoftuar për gjendjen në këtë komunë dhe kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në projekte të ndryshme, në radhë të parë humanitare.

Kryetari Kastrati ka falënderuar homologun nga Inegoli si dhe qytetarët me prejardhje shqiptare atje për nismën dhe biznesmenët turq për mbështetjen që i kanë dhënë realizimit të projektit për shtrimin e nga 500 iftareve për çdo natë të Ramazanit në Mitrovicë.

“Mitrovicasit i janë mirënjohës kryetarit Aktash, biznesmenëve dhe popullit turk në përgjithësi për ndihmën”, tha ai, duke shtuar se ndihma nga Turqia nuk ka munguar as para luftës, as gjatë kohës së luftës dhe as tani.

Në takimin që është zhvilluar në komunë, kryetari Kastrati, i ka njoftuar mysafirët me rrethanat aktuale në Mitrovicë. Ai ka folur për gjendjen e rëndë ekonomike në këtë komunë, si pasojë e rrethanave politike.

“Prej përfundimit të luftës në Mitrovicë ka qenë një situatë specifike në rrafshin politik, ku në veri strukturat paralele serbe kanë krijuar një situatë të tensionuar, me qëllim që të sfidojnë shtetin e Kosovës.

Gjithashtu si pasojë e këtij realiteti shumë qytetarë shqiptarë janë zhvendosur nga veriu. Kjo ka krijuar një gjendje të rëndë sociale. Papunësia është e madhe, ndërsa ka probleme shumë të mëdha edhe për strehim”, tha ai.

Kryetari Kastrati, ka përmendur se viteve të fundit janë bërë investime të mëdha në veri, ku ka filluar procesi i rindërtimit të shtëpive të djegura të shqiptarëve gjatë luftës.

Megjithatë ai ka thënë se ende ka shumë nevojë që Mitrovica të ndihmohet, meqë gjendja ekonomike është shumë e rëndë. Në anën tjetër, ai ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë ofruar të gjitha mundësitë për pjesëtarët e pakicave, në mënyrë që të gjithë jetojnë pa probleme.

Megjithatë ai ka thënë se në veri strukturat paralele serbe që dirigjohen nga Beogradi janë duke tentuar ende që të mbajnë një situatë të tensionuar, me qëllim që të krijohet një imazh sa më negativ për Kosovën.

Ndërsa për mundësitë dhe masat që ka ndërmarrë pushteti lokal dhe ai qendror sa i përket zhvillimit ekonomik në Mitrovicë, kryetari Kastrati, ka përmendur projektin për Zonën e lirë ekonomike, ku të gjithë investitorëve do t’u ofrohet hapësirë që të investojnë dhe të prodhojnë pa kurrfarë tatimi.

Gjatë takimit me drejtuesit e komunës së Inegolit, me të cilën Mitrovica është e binjakëzuar që dy vite, kryetari i kësaj komune, Alinur Aktash, ka shprehur kënaqësinë që gjendet përsëri në këtë qytet dhe në mesin e këtyre qytetarëve me të cilët kanë krijuar miqësi të fortë.

“Miqësia dhe bashkëpunimi ynë do të vazhdoj edhe më shumë. Unë jam këtu bashkë me shumë biznesmenë të shquar, të cilët kanë ndihmuar në projektin për iftaret në Mitrovicë dhe të cilët janë të gatshëm që të ndihmojnë edhe në projekte të tjera”.

Ndërsa biznesmeni, Zekiria Ogllu, me avionin privat të të cilit ishte realizuar vizita e delegacionit turk, tha se populli shqiptar dhe ai turk kanë lidhje të ngushta meqë kanë kaluar bashkë nëpër periudha të ndryshme historike. “Ne e kemi mirëpritur nismën e kryetari Aktash për të ndihmuar qytetarët e Mitrovicës, të cilët kanë nevojë për ndihmë”.

Delegacioni turk i prirë nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, si dhe ministri, Mahir Jakgjillar, ka bërë iftar të shtunën në tendën e vendosur në sheshin në qendër të qytetit, ku janë takuar me qytetarë të shumtë. Ndërsa të dielën kanë vazhduar që të bëjnë vizita nëpër objekte të ndryshme historike dhe kulturore të Mitrovicës.    

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)