26 Prill 2024

BE u dorëzon shtëpitë familjeve të të kthyerve në Klinë

Prishtinë, 21 maj - Sot, Komisioni Evropian dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim ua dorëzuan mbi 17 shtëpi familjeve të të kthyerve në komunën e Klinës. Pas përfundimit të këtij projekti dyvjeçar të BE-së, së paku 210 familje të minoriteve të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatë pritet të kthehen dhe reintegrohen në Kosovë.

Shefi i Operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të KE-së, Kjartan Björnsson, pohoi: “Kthimi nuk do të ishte i mundur pa krijimin dhe frymëzimin e besimit në mesin e të gjithëve që jetojnë këtu. Shpresoj se të gjithë do t’u bashkohen përpjekjeve për ta bërë këtë kthim dhe reintegrim një ngjarje të suksesshme.” Ai shtoi: “Të shkosh në shtëpi nuk është vetëm të kemi kulm mbi kokat tona,  por është edhe të njohësh rrethin,  qëndrimi i autoriteteve lokale dhe mirëqenia e të kthyerve. Po ashtu ka të bëjë me arsimimin e fëmijëve, me qasjen në kujdesin shëndetësor, krijimin e biznesit, krijimin e marrëdhënieve të reja dhe mundësive të reja”.

Në emër të të kthyerve, përfaqësuesi i të kthyerve në fshatin Dollc, Bozhidar Sharkoviq, theksoi: “I nxis të gjithë njerëzit e zhvendosur nga komuna e Klinës që ta shfrytëzojnë këtë projekt e të kthehen në shtëpitë e tyre. Kërkoj nga të gjitha palët që të  bëjnë çdo gjë që të jetë e mundur lidhur me mundësitë për punësim pasi që është element kyç për reintegrim më të mirë dhe të qëndrueshëm  të komunitetit tonë.”

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasha Rashiq, iu drejtua familjeve të të kthyerve: “Dua që t’i falënderoj dhe përgëzoj në mënyrë të veçantë familjet për vendimin e tyre që të kthehen. Me një partneritet të mirë dhe të ngushtë mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore qeveritare, përkrahjen e Komisionit Evropian, punën e mirë që është bërë nga realizuesi, ju keni një të ardhme të re në shtëpi dhe ne së bashku me partnerët tanë do të vazhdojmë të ju ndihmojmë dhe përkrahim ju.”

Kthimi dhe reintegrimi i refugjatëve minoritarë dhe i personave të zhvendosur brenda do të përkrahet në komunën e Klinës, Ferizajt, Obiliqit dhe Rahovecit. Ky projekt i BE-së me vlerë prej € 5.1 milionë synon të kontribuojë për një shoqëri shumetnike stabile në Kosovë. Që prej vitit 2003, BE-ja ka ndarë më shumë se € 36 milionë për kthimin e minoriteteve të Kosovës dhe për nevojat e komunitetit.

Projekti dyvjeçar Kthimi dhe Reintegrimi në Kosovë (KRK) synon që të kontribuojë për një shoqëri shumetnike stabile në Kosovë e bazuar në tolerancë dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve. Synimi i tij i veçantë është përkrahja e kthimit dhe reintegrimit dinjitoz dhe të qëndrueshëm të refugjatëve minoritarë dhe personave të zhvendosur brenda në katër komuna të Kosovës me anë të angazhimit të shtuar të palëve qeveritare dhe lokale.

Komisioni Evropian kontribuon me € 4 milionë, Ministria për Komunitete me € 1.1 për këtë projekt. Projekti po realizohet nga Këshilli Danez për Refugjatë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)