24 Prill 2024

BB: Kosova vazhdon të ketë zhvillim të ultë ekonomik

Banka Botërore sot ka lëshuar një raport të ri te quajtur Memorandumi Ekonomik i Shtetit mbi Kosovën me titull “Zhbllokimi i potencialit të rritës: Strategjitë, Politikat, Veprimet”, në të cilin ajo identifikon burimet kyçe të rritës për ekonominë e Kosovës si dhe sfidat për zhbllokimin e këtij potenciali të rritës dhe njëherazi u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të përmirësojnë mjedisin për biznes dhe tregti, të zhvillojnë më tej kapitalin njerëzor, t’u qasen mangësive në sektorin e bujqësisë dhe të rrisin përfitimet e migrimit për zhvillimin e Kosovës.

Raporti vë në pah se rimëkëmbja ekonomike gjatë dekadës së fundit nuk ka qenë e mjaftueshme për të adresuar sfidat më të mëdha të Kosovës: nivelin e lartë të varfërisë dhe papunësisë. Për më tepër, modeli i rritës në të kaluarën kryesisht bazohej në financime të jashtme nga komuniteti i donatorëve dhe diaspora e Kosovës, të cilat nuk janë të qëndrueshme në afat të gjatë kohor.

Kosova ka potencial të lëvizë drejt një rritje më të shpejtë në krye me sektorin privat. Zhbllokimi i potencialit do të kërkojë angazhimin e tri aseteve kyçe të cilat tashmë janë pjesërisht të pashfrytëzuara: punën, tokën dhe burimet natyrore.

Z. Borko Handjiski, Ekonomist i Bankës Botërore për Shtetin e Kosovës dhe autori kryesor i raportit thotë: “Raporti u motivua nga nevoja për të kuptuar më mirë potencialin e Kosovës për zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe, çka është edhe më e rëndësishme, për të identifikuar pengesat kryesore të cilat e ngulfatin potencialin e saj për rritje ekonomike. Duke ofruar një vlerësim për pengesat kyçe të aktiviteteve ekonomike, raporti duhet të ndihmojë motivimin e një angazhimi më të madh të autoriteteve dhe të palëve të tjera për të trajtuar këto çështje të ngutshme.”

Duke pasur në konsideratë shkallën e ulët të ekonomisë së Kosovës, raporti thekson rëndësinë jetike të eksporteve për rritë ekonomike. Produktet e Kosovës kanë qasje në tregjet e lira në Bashkimin Evropian dhe vendet e Evropës Juglindore, kështu që eksporti do të mund të bëhej një shtyllë e rëndësishme e rritjes. Raporti po ashtu vë në pah rëndësinë e investimeve të jashtme të drejtpërdrejta për eksporte, me që baza e kapitalit e Kosovës është e vogël. Kosova ka disa përparësi konkurruese të rëndësishme për investuesit e huaj, përfshirë koston e lirë të fuqisë punëtore dhe taksat e ulëta.

Në të njëjtën kohë, kompanitë vendore dhe të huaja të shqyrtuara për këtë raport kanë radhitur disa kufizime të cilat e bllokojnë rritën ekonomike. Mbi të gjitha, me gjithë progresin e arritur në vitet e fundit në furnizim me rrymë, kompanitë ende përballen me reduktime të rregullta, një pengesë serioze për investimet private dhe për rritë ekonomike.

Së dyti, regjistrimi dhe licencimi i bizneseve kërkon një punë të lodhshme dhe merr shumë kohë. Për më tepër, sundimi i ligjit është i dobët dhe kompanitë nuk i besojnë sistemit të gjyqësorit për të garantuar të drejtat e tyre dhe për të mbrojtur pronat e tyre. Në fund, investuesve të huaj u duket se puna me administratën publike është e vështirë, kapacitetet janë të dobëta dhe se ata raportojnë për një praktikë të manipulimeve për përfitime ekonomike nga zyrtarët publikë. Raporti po ashtu ofron rekomandime se si të zgjidhen disa nga këto çështje.

Ky raport vjen në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës. Ai pasqyron mjedisin e krijuar pas pavarësisë në Kosovë në të cilin institucionet e vendit tashmë janë plotësisht përgjegjëse për zhvillimin e politikave ekonomike efektive dhe strategjike.

Lajmi inkurajues është se zhbllokimi i potencialit të Kosovës për rritje ekonomike është brenda mundësive të vendit, sepse shumica e pengesave aktuale janë të natyrës së politikave. Megjithatë, veprime të njëkohshme do të kërkohen në disa fronte të politikave. Tejkalimi i sfidave të cilat i mbajnë të pashfrytëzuara burimet e Kosovës jo vetëm që do të zhbllokojë potencialin e saj ekonomik, por po ashtu do të sjellë Kosovën, përmes konvergjencës së të hyrave, integrimit ekonomik dhe reformës institucionale, më pranë Bashkimit Evropian.

Raporti u prezantua në një konferencë të organizuar bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave të Kosovës. Ai është përgatitur në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës. Departamenti Britanik për Zhvillim Ndërkombëtar, DFID, siguroi një kontribut të konsiderueshëm financiar për përgatitjen e dokumentit të përgjithshëm, përderisa Zyra Zvicerane për Bashkëpunim ka bashkë-financuar studimin e migrimit i cili është kryer si pjesë e këtij studimi.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave i Kosovës, Ahmet Shala, tha: “Do të doja të shfrytëzoj këtë rast të shpreh mirënjohjen time të thellë për përfaqësuesit e Bankës Botërore për hartimin e këtij Memorandumi Ekonomik, i cili është i rëndësisë së madhe për Qeverinë e Kosovës. Ne e çmojmë lart qartësinë e tij dhe besojmë se do të shërbejë si udhërrëfyes dhe si referencë për të dy palët, për ne, Qeverinë dhe për palët e tjera të angazhuara në përpjekjet e Kosovës për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.”

“Shpresojmë se të gjeturat dhe rekomandimet tona do të bëhen pjesë e strategjive dhe planeve të veprimit të Qeverisë, me që kemi përshtypjen se implementimi i këtyre politikave do të përbënte një kontribut pozitiv për zhvillimin ekonomik të Kosovës,” tha Laura Kullenberg, Zyrtare e Lartë për Operacione në Selinë e Bankës Botërore në Kosovë.

Permbledhje e raportit


Zhvillimi ekonomik i Kosovës në dekadën e fundit ka qenë solid, mirëpo, me produktin vendor bruto (PVB) për kokë banori prej €1,760, ky shtet mbetet një nga më të varfrit në Evropë. Pas përfundimit të konfliktit, produkti u rrit në norma dyshifrore, i shtyrë nga përpjekjet e donatorëve për rindërtim. Nga viti 2005, zhvillimi vjetor është zvogëluar në më pak se 5 përqind. Ndërsa, shtetet tjera në Evropën Juglindore janë zhvilluar më shpejt, prandaj dallimi në të ardhura është rritur. Ekonomia e Kosovës duhet ta rrisë më se dyfish normën e zhvillimit në 10 përqind në vit gjatë dekadës së ardhme për të arritur nivelin e të ardhurave të Shqipërisë (duke supozuar që ekonomia e Shqipërisë vazhdon të rritet me 5.5 përqind në vit gjatë kësaj periudhe). Që të arrijë nivelin e PVB për kokë banori në Mal të Zi që tash është rreth €5,700, ekonomia duhet të rritet me 12 përqind në vit për një dekadë të tërë. Njëkohësisht, Kosova ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë: norma e papunësisë ka arritur 48 përqind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët (26 përqind). Si pasojë, varfëria mbetet persistente dhe e përhapur (edhepse e cekët) me 45 përqind të popullsisë që vlerësohet se konsumon më pak sesa kufiri kombëtar i varfërisë, ndërsa 17 përqind janë në varfëri ekstreme1.

2. Një pjesë e madhe e progresit ekonomik në periudhën e fundit është bazuar në ndihmën nga donatorët dhe në paratë e dërguara (remitancat), që nuk mund të jetë bazë e një strategjie të qëndrueshme ekonomike. Në vitet e para pas konfliktit, përpjekjet për rindërtim e shtynin aktivitetin ekonomik. Ndihma nga donatorët, edhepse është zvogëluar tash ndjeshëm ka mbetur një burim i rëndësishëm i zhvillimit, por roli i saj do të bjerë në planin afatmesëm. Zhvillimi në sektorin privat ka filluar ngadalë të dalë në pah seriozisht në dekadën e fundit. Megjithatë, aktiviteti ekonomik është përqendruar kryesisht në sektorin e shërbimeve që është rritur përmes të hyrave të mëdha nga paratë e dërguara dhe prania ndërkombëtare në Kosovë. Investimet e mëdha produktive në sektorin e mallrave të tregtueshme nuk kanë ndodhur ende, dhe këtë e konfirmon importi i lartë dhe në rritje dhe eksporti shumë i ulët. Në të ardhmen, rritja e qëndrueshme dhe e shpejtë ekonomike do të varet nga një angazhim më aktiv i sektorit privat, qoftë të vendit, qoftë të jashtëm.

3. Kosova ka potencial për të kaluar kah zhvillimi më i shpejtë i shtyrë nga sektori privat. Produktet e Kosovës kanë qasje të lirë në Bashkimin Evropian (BE) dhe shtetet e marrëveshjes për tregti të lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), kështu që eksportet mund të bëhen shtyllë e rëndësishme për zhvillim. Çlirimi i potencialit të tillë do të kërkonte harmonizimin e tre faktorëve të prodhimit që tash kanë mbetur pjesërisht të pashfrytëzuar: puna, toka dhe energjia dhe mineralet. Lajmi inkurajues është që çlirimi i këtij potenciali është në duart e vetë shtetit, sepse pjesa më e madhe e pengesave të tanishme janë të natyrës së politikave. Megjithatë, do të kërkohen veprime të njëkohshme në disa fronte të politikave. Ky memorandum ekonomik i shtetit fokusohet në disa nga mundësitë më të rëndësishme për zhvillim në Kosovë dhe kjo përmbledhje jep një paraqitje të shkurtër të rezultateve më të rëndësishme:

· Edhepse e vogël dhe pa dalje në det, lokacioni i Kosovës, qasja e lirë në treg dhe prospektet për anëtarësim në BE japin mundësi të mëdha për zhvillim përmes integrimit regjional dhe në BE. Ka edhe resurse të mëdha që nuk shfrytëzohen mjaft (fuqia punëtore, mineralet dhe toka) që duhet të fillohet të shfrytëzohen për të tërhequr investimet në biznes. Edhepse shumë aspekte të ambientit biznesor janë të favorshme, rregullore më të thjeshta të biznesit, forcimi i sundimit të ligjit dhe sigurisë, dhe lehtësimi më i mirë i tregtisë mbeten me rëndësi për t’i aktivizuar këto resurse pasive.
· Investimet e huaja në sektorin e minierave dhe rrymës elektrike si dhe në industritë e orientuara kah eksporti janë me rëndësi thelbësore për të hapur pengesat dhe për të fuqizuar zhvillimin.
· Në krahasim me fqinjët e saj, Kosova ka përparësi kompetitive edhe në fuqinë punëtore të lirë (por të bollshme dhe të moshës së mirë). Që të shfrytëzohet kjo fuqi punëtore pasive, përveç se të krijojë kërkesa për vende pune, Kosova duhet të investojë edhe në zhvillimin e kualifikimeve dhe të kalojë kah fleksibiliteti më i madh i kontratave në legjislacionin e punës dhe zbatimi më i mirë i tij.
· Në fund, toka bujqësore e fragmentuar që tash është djerrë mund të kthehet në një burim të rëndësishëm të punësimit. Forcimi i të drejtave të pronës, përfundimi i procesit të privatizimit dhe ofrimi i ndihmës më aktive për bujqit janë të nevojshme për të zhvilluar më shumë aktivitetin bujqësor.

4. Së pari, që të bëhet integrimi tregtar një shtyllë kryesore e strategjisë së Kosovës për zhvillim, autoritetet duhet të fokusohen në krijimin e një klime më të favorshme për eksportet dhe për investimet direkte të huaja të drejtuara kah eksportet (IHD-të). Ambienti biznesor në Kosovë ofron disa përparësi që janë të rëndësishme për një sektor privat të lulëzuar si dhe për të tërhequr IHD-të në sektorët e tregtisë. Për shembull, sistemi tatimor është i thjeshtë dhe ka norma të ulëta, dhe tregu i punës nuk është i ngurtë, ndërsa njëkohësisht pagat janë shumë më të ulëta se në rajon. Këto përparësi në krahasim me rajonin janë shumë me rëndësi për të tërhequr investitorët e huaj. Megjithatë, këto janë fushat e ambientit biznesor që janë brengë e madhe në praktikisht të gjitha firmat në Kosovë, si dhe për investitorët potencialë:

· Energjia: ndërprerjet e shpeshta të rrymës e kufizojnë prodhimin duke rritur koston për shkak të nevojës për të përdorur burime alternative të energjisë dhe duke penguar investimet në pajisje të sofistikuara.
· Korrupsioni, krimi dhe funksionimi i përgjithshëm i sundimit të ligjit: gjithashtu rrit ndjeshëm koston e të bërit biznes, për shembull firmat në Kosovë paguajnë shuma jashtëzakonisht të mëdha për sigurim.
· Procedurat e kushtueshme dhe të gjata të regjistrimit të biznesit dhe të licencimit: pengojnë aktivitetin e ndërmarrjeve, ose së paku i shtyjnë firmat në ekonomi joformale.

5. Kosova do të ketë nevojë të tejkalojë edhe dy pengesa ndaj tregtisë. Së pari, kur është fjala për konkurrencën në tregjet e huaja, të gjitha shtetet tjera në rajonin e Evropës Juglindore (EJL) duket se kanë përparësi në konkurrencë në krahasim me Kosovën sa i përket plasimit të produkteve të tyre në tregun e synuar. Shqipëria, Kroacia dhe Mali i zi kanë qasje të drejtpërdrejtë në det, që e zvogëlon dukshëm koston e transportit. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM) është më afër portit detar të Selanikut dhe ka ambient më të mirë të tregtisë dhe logjistikës. Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia e Mali i zi janë shumë më afër tregjeve të Evropës Perëndimore, që është destinacioni kryesor për produktet e rajonit.

6. Infrastruktura e transportit në Kosovë ka vuajtur nga vite të tëra të mungesës së investimeve si dhe nga dëmi nga lufta, prandaj ekziston barra e mirëmbajtjes dhe nevoja për investime të reja. Për më tepër, barrierat politike i bllokojnë eksportet në Kosovë: vula doganore e autoritetit doganor të Kosovës nuk njihet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia dhe Mali i Zi, dhe kamionët me tabela të regjistrimit të Kosovës mund të hyjnë vetëm në Shqipëri, ish RJ të Maqedonisë dhe në Mal të Zi. Në fund, që të dërgohen mallrat përtej kufirit megjithë progresin e madh të bërë në vitet e fundit, kërkohet më shumë kohë dhe para sesa në shumicën e shteteve në rajon. Eksportuesit në Kosovë kanë nevojë për më shumë dokumentacion sesa në shtetet tjera në rajon dhe koha për ta kryer eksportin është mesatarisht më e madhe sesa në shtetet tjera të EJL-së (shih kapitullin 3).

7. Tejkalimi i këtyre pengesave do të kërkojë të ndërmerren masa të politikave si dhe investime në infrastrukturë. Kapitulli 3 për lehtësimin e tregtisë dhe transportit ofron një listë të rekomandimeve për politika për mënyrat për të rritur efektivitetin e funksionimit të doganave dhe agjencive tjera kufitare. Disa nga këto masa, siç është sinkronizimi i orarit të punës së doganave dhe shërbimeve të inspektimit veterinar janë shumë lehtë të implementohen dhe mund të shkurtojnë kohën e pritjes në kufi. Gjithashtu, përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë (standardizimi, akreditimi dhe metrologjia) është me rëndësi për të siguruar që produktet e Kosovës të mund të hyjnë në tregjet e synuara. Miratimi i standardeve evropiane dhe ndërkombëtare është detyrim për të plasuar produktet në tregun e BE-së dhe gjithnjë e më shumë edhe në tregun e CEFTA-s, sepse shtetet tjera të CEFTAS shpejt janë duke miratuar standardet e BE-së. Progresi në këtë fushë do të thotë edhe një hap të madh përpara në procesin e integrimit të BE-së sepse kjo është një nga fushat kryesore të acquis communautaire Evropian2.

8. Njëkohësisht, Kosova duhet të investojë në rrjetin e saj të transportit për të plotësuar kërkesat në rritje. Në ambientin e tanishëm të resurseve të kufizuara financiare, duhet t‘i jepet prioritet pikave të vendkalimit kufitar ku pjesa më e madhe e eksporteve dalin nga shteti. Përveç kornizës së qëndrueshme të financimit për këto investime, duhet t‘i kushtohet më shumë vëmendje efikasitetit të shpenzimeve në infrastrukturë: kornizat joadekuate të prokurimit dhe partneriteteve publiko-private (PPP) mund të rrisin në mënyrë të ndjeshme koston e projekteve të transportit. Në parim, preferencë duhet gjithmonë t‘i jepet procedurave transparente dhe të hapura të ofertimit për të marrë vlerën më të mirë.

9. Baza e kapitalit në Kosovë është e kufizuar prandaj ekonomia duhet të bazohet në investimet e huaja për të çliruar plotësisht potencialin e saj për eksport dhe zhvillim. Një anketë e investimeve të huaja që është kryer nga Banka Botërore në vitin 2009, tregon që investitorët e huaj kanë pak a shumë të njëjtat brenga për kushtet e investimit në Kosovë si edhe firmat vendore. Investitorët e huaj ngurrojnë të investojnë për shkak të perceptimeve të tyre lidhur me joefikasitetin në administratën publike, rregulloret komplekse (për shembull për të marrë një leje ndërtimi), dhe korrupsionit, përveç tjerash. Përveç këtyre sfidave, që janë shpjeguar më të detaje në kapitullin 2, edhe një pengesë tjetër për investimet e firmave të huaja është perceptimi i tyre i rrezikut të lartë politik në Kosovë. Firmat e huaja që tashmë janë në Kosovë kanë perceptim shumë më pozitiv të mundësive të Kosovës për investime sesa firmat e huaja që ende nuk kanë hyrë në tregun e Kosovës, prandaj për të tërhequr më shumë investime të huaja, autoritetet duhet të marrin masa për të përmirësuar imazhin e Kosovës jashtë.

10. Që të përmirësohet ambienti i biznesit, autoritetet duhet të veprojnë në disa fronte, por fokusi kryesor duhet të jetë që të sigurohet mbrojtja e pronës, zbatimi më i mirë i kontratave, dhe transparenca më e madhe për të zvogëluar në minimum sjelljen korruptive. Këto përmirësime kërkojnë një proces që nuk është i lehtë dhe kërkon shumë kohë. Megjithatë, mund të arrihet shumë në planin afatshkurtër dhe afatmesëm duke marrë masat si:

· Zgjerimi i kadastrës së pronës së patundshme dhe fillimi i planifikimit të zonave
· Thjeshtimi i regjistrimit të bizneseve duke paraqitur një pikë ku ofrohen të gjitha shërbimet (one-stop-shop) dhe zvogëlimi i shpenzimeve të regjistrimit dhe kërkesave minimale të kapitalit
· Eliminimi i rregulloreve të panevojshme të biznesit lidhur me marrjen e licencave dhe lejeve (fokusi urgjent duhet të jetë te lejet e ndërtimit)
· Forcimi i kapacitetit (me personel dhe pajisje) të atyre institucioneve publike që ofrojnë shërbime për firmat (për shembull, regjistrimi i bizneseve dhe lejet).
· Forcimi i sistemit të gjykatave për të përmirësuar zbatimin e kontratave

11. Një burim tjetër i zhvillimit për Kosovën janë resurset e bollshme natyrore, veçanërisht ato në sektorin e energjisë. Momentalisht, linjiti në Kosovë dhe resurset tjera natyrore janë kryesisht të pashfrytëzuara, ndërsa energjia është problemi kryesor dhe më i madh i afarizmit. Shfrytëzimi i resurseve të mëdha të linjitit do të ndihmonte që të hiqet një nga pengesat më të mëdha me të cilat përballen firmat në Kosovë dhe mund të gjenerojë të hyra të konsiderueshme për buxhetin qendror dhe mundësisht edhe eksport të rrymës elektrike. Plumbi, zinku dhe magnezi janë gjithashtu të bollshëm dhe rivënia në funksion e këtyre minierave mund të japë kontribut të vlefshëm për punësim dhe zhvillim.

12. Qeveria është duke zhvilluar një strategji për të zgjidhur problemin e energjisë. Një program për zvogëlimin e shpejtë të humbjeve komerciale është me rëndësi kritike për shëndetin e këtij sektori dhe për buxhetin. Qeveria duhet ta bëjë vjedhjen e rrymës vepër penale, të fillojë t‘i dënojë kryesit e kësaj vepre ashpër dhe të japë fonde për gjykatat që të merren në mënyrë ekspeditive me rastet e mospagesës së faturave dhe me vjedhjet. Që të krijohen resurset financiare për investimet që janë urgjente në këtë sektor, qeveria duhet t‘i ndihmojë Korporatës energjetike të Kosovës (KEK-ut) që të zvogëlojë numrin masiv të punëtorëve në kompani dhe të vendosë një program të rritjes së rregullt të tarifave, siç kërkohet nga nevojat e investimeve dhe ato të punës. Në fund, kryerja e shpejtë e procesit të tenderit për kompleksin e ri të minierës së linjitit/fabrikës është me rëndësi të madhe për të siguruar furnizim afatgjatë me rrymë. Ri-funksionalizimi i kapaciteteve tjera të minierave kërkon kapital të huaj. Që të tërhiqen IHD-të në sektorin e minierave, të drejtat pronësore të minierave shtetërore duhet të sqarohen para se të vazhdojë procesi i privatizimit. Privatizimi i suksesshëm do të varet edhe nga forcimi i fushave të diskutuara më parë të klimës së investimeve.

13. Si burim i tretë i zhvillimit potencial, fuqia punëtore e madhe dhe e pashfrytëzuar e Kosovës është edhe e re dhe e lirë me standarde regjionale, së paku në nivelin e pakualifikuar. Kosova dhe Shqipëria kanë pagat më të ulëta në rajon, një përparësi e rëndësishme për eksportet që kërkojnë fuqi punëtore. Konkurrueshmëria e Kosovës në paga është shumë e fuqishme në sektorët ku nuk kërkohen kualifikime të larta, por shumë më e dobët në sektorët që kërkojnë kualifikime të larta për shkak të premiumit të lartë të kualifikimit. Prandaj, në planin afatmesëm dhe afatshkurtër, fokusi duhet të vendoset në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në sektorët me kualifikime të ulëta, ku kërkohet fuqi punëtore, dhe të orientuara kah eksporti për të shfrytëzuar numrin e madh të kosovarëve të papunë.

14. Momentalisht, pjesa më e madhe e fuqisë punëtore është e pashfrytëzuar. Megjithë zhvillimin solid të arritur në vitet e fundit, papunësia është rritur në 48 përqind, sipas statistikave të fundit. Edhepse një pjesë e të papunëve janë të angazhuar përmes sektorit joformal, papunësia është e përhapur gjerë, në veçanti te rinia dhe gratë. Presioni në tregun e punës do të vazhdojë të rritet sepse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, dhe me dhjetëra mijëra njerëz hyjnë në tregun e punës çdo vit, me pak shpresa se do të gjejnë punë. Përveç implikimeve ekonomike, mungesa e vendeve të punës i detyron shumë njerëz që të jetojnë në varfëri.

15. Shkaku kryesor i rezultatit të dobët të tregut të punës janë kërkesat e pakta për punë. Sektori privat në Kosovë është i dobët dhe i paktë, pjesa më e madhe e punëtorëve janë të punësuar në mikro-biznese, në sektorë me pak vlerë të shtuar dhe punë pa kualifikime të larta. Për më tepër, pjesa më e madhe e firmave kanë stagnuar, prandaj prospekti për të rritur kërkesat për punë është i dobët. Shumë firma punojnë në sektorin joformal, që edhe më shumë e dëmton produktivitetin e tyre. Kjo nuk duhet të jetë befasuese sepse mesatarisht kërkohen shtatë javë që të fillohet një biznes në Kosovë dhe kostoja dhe kërkesat minimale të kapitalit janë të konsiderueshme. Për krahasim, kërkohet më pak se katër ditë dhe aspak kapital minimal që të fillohet një biznes në IRJ të Maqedonisë dhe në Gjeorgji. Njëkohësisht, organizimet fleksibile për punë në legjislacionin e tanishëm të punës janë të kufizuara, dhe respektimi i legjislacionit nga ana e firmave është i dobët.

16. Rritja e kërkesës për punë kërkon pikë së pari të përmirësohen kushtet e bërjes biznes. Përveç kësaj, draft kodi i punës duhet të bëhet më i lehtë për t‘u zbatuar dhe të ofrojë më shumë llojllojshmëri dhe fleksibilitet të kushteve të punësimit. Këto dispozita duhet të ndihmojnë që të rritet formaliteti në punë dhe mund të ndihmojë promovimin e punësimit të femrave. Është gjithashtu me rëndësi të sigurohet që kodi i punës të përfshijë dispozita adekuate për mbrojtje të punëtorëve dhe që këto të implementohen mirë.

17. Kualifikimet e ulëta të popullsisë janë shkaku i dytë për nga rëndësia i funksionimit të dobët të tregut të punës. Mbi gjysma e popullsisë së moshës së punësimit në Kosovë nuk e kanë përfunduar arsimin e mesëm, dhe vetëm 1 nga çdo 12 kosovarë ka diplomë universitare. Edhepse Kosova ende është larg nga ekonomia e kualifikimeve të larta, tashmë ka shenja që kërkesa për aftësi më të larta është në rritje dhe megjithë numrin e madh të të papunëve, për disa firma është vështirë të gjinden punëtorët me aftësitë e duhura.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)