28 Mars 2024

BB jep kredinë e parë 20 milionë dollarësh për Kosovën

Prishtinë. 10 mars - Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore nënshkruan sot dy marrëveshje në vlerë prej 20 milionë dollarësh. Njëri projekt i Bankës Botërore, në vlerë prej 12.3 milionë dollarësh, ka të bëjë me regjistrimin e pasurive të patundshme dhe kadastrën në Kosovë. Projekti tjetër në vlerë prej 8 milionë dollarësh ka të bëjë me administratën publike.

Kryeministri Hashim Thaçi i vlerësoi shumë të rëndësishme këto projekte. Kjo është kredia e parë e Bankës Botërore për Kosovën, që nga anëtarësimi i vendit në këtë institucion të rëndësishëm financiar ndërkombëtar në qershor të vitit të kaluar.

Këto dy marrëveshje janë marrëveshjet e para për financim te kësaj natyre me Bankën Botërore, në historinë e re te Kosovës, nëntë (9) muaj pas anëtarësimit te suksesshëm te shtetit tone në ketë institucion. 

Implementimi i tyre do te ndikojë drejtpërdrejt ne ngritjen e mëtutjeshme të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të shërbimeve që ato ofrojnë.

Po ashtu do të krijohen parakushtet e nevojshme që përmes ofrimit te shërbimeve efikase të përmirësohet edhe më tej ambienti për punë dhe jetë në Kosovë.

"Përmes këtij financimi janë orientuar fonde në sfera tejet te rëndësishme për përmirësim te vazhdueshëm te menaxhimit te financave publike dhe buxhetit ne disa Ministri dhe Organizata tjera Buxhetore, si dhe për përmirësim te sektorit publik ne tërësi", ka theksuar Thaqi.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve sipas kryeministrit është edhe një dëshmi se Shteti i Kosovës po arrin pjekurinë dhe qëndrueshmërinë e vet ne rrugën e mëtutjeshme te zhvillimit.

"Kam besimin e plotë që Kosova do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme te Bankës Botërore dhe te institucioneve tjera financiare ndërkombëtare në ketë rrugëtim", është shprehur Thaqi. 

 

Ndërkaq menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Nayak ka thënë se ky dokument cakton kornizën e bashkëpunimit mes Grupit të Bankës Botërore dhe Qeverisë së Kosovës dhe përshkruan operacionet e planifikuara të Bankës në vend – kreditë, punën analitike dhe asistencën teknike. Strategjia e re për Kosovën sipas tij përfshin rreth 87.5 milionë dollarë amerikanë nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, me mundësi financimi shtesë nga Korporata Ndërkombëtare Financiare me 20 milionë dollarë të tjera.

Veç kësaj, Nayak ka bërë të ditur se aspektet kyçe të strategjisë do të financohen edhe nga grante tjera nga partnerë të tjerë të jashtëm bilateralë dhe multilateralë, në vlerë prej afër 200 milionë dollarësh. "Do të ketë edhe fonde tjera për të siguruar garancione për sektorin e energjisë për të tërhequr investitorët private dhe investimet e huaja. Është herët për të biseduar tash për vlerën e garancioneve që do të jenë në dispozicion në kohën adekuate", ka pohuar ai.

"Tash do të nënshkruajmë marrëveshjet për dy projekte të reja të përkrahura nga Banka, e që janë pjesë e strategjisë së re të Grupit të Bankës Botërore për Kosovën për dy vitet e ardhshme."

Projekti i Regjistrimit të Pronës së Paluajtshme dhe Kadastër – prej 12.3 milionë dollarësh, nga të cilët 6.74 milionë janë kredi me 0% kamatë, me 40 vjet afat të kthimit dhe me 10 vjet të periudhës së mospagimit (do të thotë se në dhjetë vjetët e parë, Kosova nuk ka nevojë të paguajë kthim të kredisë), është një pjesë vitale e përpjekjeve për të shpejtuar rritën dhe për të përmirësuar klimën afariste në Kosovë përmes lehtësimit të zhvillimit të tregjeve të tokës dhe pronave si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale.

Projekti i dytë, për Modernizimin e Sektorit Publik, 8 milionë dollarë, nga të cilat 4.4 milionë në formë kredie, me 0% kamatë dhe me 40 vjet të periudhës së kthimit dhe 10 vjet të periudhës së mospagimit. Ky është një element i mbështetjes sonë për përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar institucione publike të fuqishme dhe transparente.

"Do të doja të siguroja qytetarët e Kosovës se Grupi i Bankës Botërore do të punojë me Kosovën për të promovuar projekte zhvillimore ekonomikisht të qëndrueshme. Po ashtu do të doja të shfrytëzoj rastin për të falenderuar partnerët tonë donatorë, si dhe stafin e Bankës Botërore", ka theksuar në fund Nayak.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)