24 Prill 2024

Banka Botërore nga 1 korriku ofron qasje në informata

Washington, 4 qershor - Banka Botërore ka njoftuar sot se është në rrugë të mirë të jetësojë fazën e parë të politikës së saj të re mbi Qasje në Informata me 1 korrik, një nga reformat e shumta madhore të cilat Banka i ka ndërmarrë për të rritur efektivitetin, efikasitetin dhe llogaridhënien e saj.

Kjo politikë e re e bën Bankën lider të transparencës në mesin e organizatave multilaterale. Ajo e shpie Bankën nga një qasje që precizonte në hollësi se cilat informacione mund të viheshin në dispozicion publik tek një politikë aktuale e hapjes, që siguron se të gjitha informacionet që Banka posedon të jenë të dispozicion për publikun, përveç informatave të cilat qartazi bien në një kategori të përjashtimeve, siç janë informacionet personale për stafin dhe dokumentet që janë në diskutim e sipër.

Politika e re ofron qasje shumë më të madhe në informacione rreth projekteve në jetësim e sipër për t’i mundësuar publikut të përcjellin një projekt gjatë tërë ciklit të jetësimit të tij.

“Politika e re e Qasjes në Informata është shumë më shumë se një ndryshim i thjeshtë i politikës. Ajo përbën një ndryshim të madh kulturor për institucionin, si për kah mënyra e angazhimit tonë me botën e jashtme ashtu edhe mënyra se si ne i shohim dhe i trajtojmë informacionet,” tha Jeff Gutman, Zëvendëspresident për Politika Operative dhe Shërbime për Shtetet.

Banka do të vë në dispozicion shumë më tepër informacione në lidhje me vendimet kyçe të marra gjatë zhvillimit dhe jetësimit të projekteve për të mundësuar vetëdijesim më të madh për operacionet e mbështetura nga Banka dhe për të arritur rezultate më të mira zhvillimore. Informacionet e reja të cilat do të vihen në dispozicion përfshijnë vendimet nga takimet e Shqyrtimit të Konceptit të Projekteve, misionet e mbikëqyrjes së projekteve dhe rishikimet afatmesme të projekteve. Shembuj të informacioneve të cilat do të vihen në dispozicion publik nga 1 korriku përfshijnë:

      · Procesverbalet nga takimet e Komitetit të Bordit
      · Përmbledhjet e kryesuesit të takimeve të Bordit dhe takimeve të Komitetit të Lartë
      · Përmbledhjet e diskutimeve
      · Raportet vjetore të Komiteteve të Bordit
      · Statusi i implementimit dhe raportet e rezultateve (pjesë)
      · Pasqyrat financiare vjetore të audituara të huazuesve për projekte (për të cilat ftesa për negocim është bërë pas 1 korrikut 2010)
      · Rishikimet e performances së portofoleve të vendeve
      · Shënimet konceptuale dhe planet konsultative për rishikim të politikave të cilat u nënshtrohen konsultimeve të jashtme.

“Përvoja nga institucionet dhe vendet e jashtme të cilat kanë miratuar politika të hapjes të këtij niveli qartazi demonstron se para nesh kemi një kthesë mësimi mjaft të madhe, megjithatë Banka është e përkushtuar ndaj parimit që përbën bazën e kësaj politike të re – maksimalizimit të qasjes në informacione për të përmirësuar cilësinë e procesit zhvillimor,” tha Peter Stephens, Kryesues i Grupit Punues për Qasje në Informacione dhe Drejtor për Punë të Jashtme.

Në veçanti, për Bankën do të jetë një sfidë e madhe të kapë të gjitha informacionet historike të cilat do të gëzojnë të drejtën të hapen për publikun që nga 1 korriku dhe të ballafaqohet me valën e pritur të vëllimit të kërkesave deri në themelimin e plotë të sistemeve të reja dhe në trajnimin dhe njohjen e stafit me mënyrën se si këto politika do të funksionojnë në praktikë. Banka do të vazhdojë edhe pas 1 korrikut të trajnojë stafin, të kryejë avancimin e sistemeve, të shpalosë dokumente historike që tashmë gëzojnë të drejtën të bëhen publike dhe të rafinojë proceset e rrjedhës së punës.

Përgatitjet janë duke u bërë që nga nëntori i vitit 2009 – kur Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës aprovoi politikën e re – për të instaluar sistemet dhe proceset e nevojshme për implementim. Këto përfshijnë:

      · përmirësimin, zgjerimin ose krijimin e sistemeve të reja të teknologjisë informative dhe përmirësimin e shfrytëzimit të bazës së të dhënave dhe programeve që rregullojnë paraqitjen e kërkuesve të informacioneve;
      · modelimin dhe automatizimin e procesit të rrjedhës së punës për të lehtësuar hapjen proaktive në uebfaqen e jashtme të Bankës;
      · përgatitjen e mijëra dokumenteve historike që futen në kategorinë e bërjes publike që nga 1 korriku 2010;
      · zhvillimin e një programi të trajnimit dhe implementimin e burimeve mbështetëse për më shumë se 10,000 pjesëtarë të stafit;
      · përkufizimin e një strategjie për përmirësimin dhe ri-projektimin e funksionit të informatave publike dhe qasjes ndaj ofrimit të informacioneve publike përmes qendrave lokale për informim publik;
      · harmonizimin e kornizës së përkthimeve të Bankës me politikat e reja; dhe
      · rishikimin e përkufizimeve tona për klasifikimin e informatave.

“Ne kemi bashkëpunuar me disa organizata të shoqërisë civile përderisa përgatitemi për këtë ndryshim të politikës dhe kërkojmë kontributin e tyre për këtë çështje komplekse të ‘qasjes’ për grupe të ndryshme të interesit, sidomos atyre që nuk ndodhen në kryeqytetet e vendeve në zhvillim, si dhe për përkthimet dhe mënyrat se si mund të na ndihmojnë për të testuar sistemin e ri dhe për të identifikuar ndonjë pengesë të mundshme të paparaparë,” tha Marwan Muasher, Nënkryetar i lartë për punë të jashtme.

Politika e re, e cilat mbështetet në Ligjin e Indisë për të Drejtën në Informim dhe Ligjin e SHBA-ve për Lirinë e Informimit, po ashtu përmban një dispozitë e cila do të mundësojë publikimin e disa llojeve të kufizuara të informacioneve me kalimin e kohës – pas 5, 10 ose 20 vjetësh – duke pasur parasysh se ndjeshmëria e atyre informacioneve bie me kohë. Ajo po ashtu mundëson edhe të drejtën për t’u ankuar.

“Një kërkues mund të ankohet nëse ai ose ajo beson se Banka ia ka mohuar në mënyrë të pavend ose të paarsyeshme qasjen në informacione të cilat duhet të jenë në dispozicion publik sipas politikës së re, ose kur një kërkues dëshiron të paraqesë një rast me interes publik për zbulim të informacioneve të cilat janë të kufizuara sipas kësaj politike,” tha Anne-Marie Leroy, Nënkryetare e lartë dhe këshilltare e përgjithshme, Grupi i Bankës Botërore.

Politika e re e qasjes në informata vlen për IBRD dhe IDA. IFC dhe MIGA i kanë politikat e veta të zbulimit të informatave.

Kjo politikë mund të gjendet edhe në internet në www.worldbank.org/wbaccess dhe do të përkthehet në shumë gjuhë, përfshirë gjuhët arabe, kineze, frënge, portugeze, ruse dhe spanjolle.

Reforma të tjera të brendshme të Bankës Botërore po mbulojnë edhe fusha të tjera kyçe me qëllim të arritjes së efikasitetit më të madh të huazimeve, duke u dhënë vendeve në zhvillim më shumë ndikim në institucion, duke angazhuar më shumë staf në vendet në zhvillim për të mbështetur më mirë klientët në fushën e zbutjes së varfërisë dhe duke ofruar qasje pa pagesë dhe të lehtë në depot e pafund me të dhëna zhvillimore të Bankës.

Historiku dhe evoluimi i politikës

Banka lëshoi Direktivën e saj të parë mbi Zbulimin e Informacioneve në vitin 1985. Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë aprovoi politikat e para të Bankës për publikimin e informacioneve në vitin 1993. Kjo ka evoluar gjatë 15 vjetëve të fundit – Drejtorët Ekzekutivë dhe Menaxhmenti i Bankës në mënyrë periodike kanë rishikuar politikat dhe kanë zgjeruar fushëveprimin e tyre në vitin 2001, 2002, 2003 dhe 2005.

Politika e re për qasje në informata është frymëzuar nga konsultime të jashtme dhe të brendshme të mbajtura në 33 shtete dhe përmes uebfaqes së jashtme të Bankës, të cilat u kryen nga marsi deri në qershor të vitit 2009. Ajo pasqyron pikëpamjet e vendeve anëtare, organizatave të shoqërisë civile, akademisë, parlamentarëve, medieve, sektorit privat, organizatave ndërkombëtare, agjencive të donatorëve dhe stafit të Bankës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)