25 Qershor 2022

Auditimi nxjerrë në pah parregullsi në menaxhimin financiar dhe kontrollet

Prishtinë, 12 maj - Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka prezantuar trembëdhjetë raporte të auditimit për sezonin auditues 2021/22, prej të cilave njëmbëdhjetë auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe dy auditime të performancës.

Para gazetarëve znj. Spanca ka prezantuar gjetjet kryesore për raportet e auditimit për komunën e Gjilanit, Skenderajt, Vushtrrisë, Kamenicës, Gracanicës, Zveçanit, Shtërpcës, Mitrovicë së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Novobërdës. Po ashtu në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i auditimit për Ministrinë e Ekonomisë, si dhe dy raportet e auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës” dhe “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”. 

Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se në 11 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë 9 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara dhe 2 opinione të pamodifikuara. “Arsyet kryesore pse opinioni i auditimit është kualifikuar kanë qenë, për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare përmbajnë keqdeklarime materiale. Këto keqdeklarime, kryesisht kanë të bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jo financiare, shpalosjet jo të plota dhe jo të sakta për llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontigjente si dhe keq klasifikimet e shpenzimeve në kategori (kode) të caktuara ekonomike”, ka deklaruar znj. Spanca.

Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, me ç’rast rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit. 

Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve si në vijim: 

Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për pune dhe detyra të rregullta të organizatës; 

Mangësi në procesin e prokurimit publik, siç janë: përdorimi i procedurës jo adekuate te prokurimit publik, tejkalim i vlerës së kontratave, mangësi në menaxhimin e kontratave, dhe inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të fondeve; 

Mos pagesa e faturave brenda afatit 30-ditor;

Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve;

Mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencione;

Jo efikasitet në verifikimin e pronave komunale;

Masa jo të mjaftueshme në inkasimin e llogarive të arketueshme; dhe

Njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se këto mangësi të identifikuara në këto auditime po përsëritën çdo vit, dhe ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivel të kënaqshëm. 

Znj. Spanca ka ftuar krerët e organizatave buxhetore që të ndërmarrin veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e auditimit dhe të ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike të shpenzohet në përputhje me ligjin dhe për qëllimin e synuar.  “Ftojë të gjitha institucionet e audituara që raportet e auditimit, në veçanti rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz më qëllim kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë se shërbimeve të ofruara” ka theksuar znj. Spanca. 

Ndërsa sa i përket auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës 2018 - 2020”, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se sipas konkluzionit të auditimit Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Po ashtu nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente. 

Kurse sa i përket raportit të auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”, i cili përfshin periudhën 2018-2021, Auditorja e Përgjithshme, konkluzioni i auditimit nxjerr në pah se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë. Për më shumë, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare, që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet, nuk është themeluar. Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit”, thuhet në raport. 

Në këtë konferencë kanë qenë të pranishëm edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka si dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2022 - Pishina e vetme e kryeqytetit hapë sezonin veror 2022. (Pishina në hyrje të parkut Gërmia, ora 10:00)

- Komisioni i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës - Dega Gjilan, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)  

- Rrjeti i OJQ-ve AVONET dhe komuniteti i biznesit në Komunën e Vitisë organizon konferencë për media lidhur me mosbashkëpunimin e Qeverisë lokale, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka ndikuar në ngecje të projekteve, neglizhencë, e mosadresim të tyre. (Përballë Shtëpisë së Kulturës "Gursel e Bajram Sylejmani" në Viti, ora 12:30)