29 Mars 2024

AKP shpërndan 20 për qindëshin për 4 ndërmarrje

Prishtinë, 29 tetor - Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), gjatë mbledhjes së radhës diskutoi një numër të çështjeve dhe mori vendime të rëndësishme për proceset nëpër të cilat po kalon AKP-ja.

Bazuar në strategjinë për përshpejtimin e ndarjes së 20 për qindëshit, të miratuar më parë nga ana e Bordit të AKP-së, në këtë mbledhje, Bordi i Drejtorëve miratoi listat e punëtorëve të shqyrtuar nga Komisioni përkatës për shpërndarjen e pjesshme të shumës së 20% punëtorëve të kualifikueshëm për katër ndërmarrje shoqërore: për Ndërmarrjen Shoqërore (NSH) Ferronikeli; për NSH Banesa - Prizren; për NSH Fabrika e Armaturës – Deçan dhe për NSH Sek-Kos (Sirkos) - Prishtinë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka diskutuar dhe shqyrtuar gjendjen në ndërmarrjet e privatizuara me metodën spin-off special, dhe ka vendosur që t’i lirojë nga raportimi i mëtejmë në AKP ndërmarrjet në vijim: Ndërmarrjen e Re Kosovatex; Ndërmarrjen e Re Tullara dhe Ndërmarrjen e Re Fabrika e Bukës-Ferizaj. Bordi e mori këtë vendim pas konstatimeve të auditorëve se blerësit e këtyre ndërmarrjeve i kanë përmbushur zotimet në investime dhe në punësime.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi diskutoi për Ndërmarrjen Llamkos, dhe vendosi që për shitjen e Ndërmarrjes së Re Llamkos të aplikohet metoda e likuidimit vullnetar, e cila metodë do të siguronte rinisjen e prodhimtarisë në afat sa më të shpejt të mundshëm, kurse obligimet e Ndërmarrjes së Re nuk do të barten tek blerësi i ri, pasi që ato trajtohen gjatë procesit të likuidimit.

Bordi i Drejtorëve aprovoi shitjet e aseteve përmes metodës së likuidimit nr.4, si dhe aprovoi Valën e 47 të privatizimit, e cila përfshinë 14 Ndërmarrje Shoqërore, prej të cilave janë krijuar 20 Ndërmarrje të Reja.

Poashtu, Bordi aprovoi fillimin e procesit të likuidimit për 8 NSH.

Në këtë mbledhje, Bordi aprovoi Raportin Tremujor për Kuvendin e Kosovës për periudhën Korrik-Gusht-Shtator 2010, në bazë të nenit 20.1 të Ligjit nr. 03/L067 mbi themelimin e AKP-së.

Kjo është mbledhja e 27 me radhë e Bordit të Drejtorëve të AKP-së. 
AKP është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur publik, duke pas parasysh se rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj është më rëndësi jetike dhe kërkon administrimin dhe privatizimin ose likuidimin me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore.

Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve në investitorë privatë, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

AKP deri më tani ka privatizuar 601 ndërmarrje të reja, prej të cilave 576 janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt, ndërsa 25 prej tyre janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it Special.

Nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore deri më tani janë grumbulluar 460 milionë €uro, nga procesi i likuidimit me shitje të aseteve të ndërmarrjeve janë grumbulluar 27 milionë €uro, kurse nga fondi i privatizimit, punëtorëve të Ndërmarrjeve Shoqërore iu janë shpërndarë rreth 30 Milionë€.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)