15 Gusht 2022

Afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve deri më 31 mars

Prishtinë, 26 mars - Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ka përfunduar sot shpërndarjen e formularëve për deklarimin e pasurisë në të gjitha institucionet, ku të gjithë zyrtarë të e lartë publikë duhet të deklarojnë pasurinë e tyre. Afati i fundit për deklarimin e pasurisë së tyre është 31 marsi.

Zyrtarë të AKK thanë për emisionin LEX të Radio Kosovës (RTK) se gjatë dy muajve të ardhshme do të publikohet pasuria e të gjithë zyrtarëve të lartë. Për zyrtarët që mund të fshehin pasurinë e tyre do të iniciohen hetimet të veçanta, thotë kryeprokurori Ismet Kabashi.

Zyrtarët e lartë publikë kanë afat që deri të mërkurën, pra më 31 mars të deklarojnë pasurinë e tyre. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit sot ka përfunduar shpërndarjen e formularëve në të gjitha institucionet në Kosovë. Zyrtari i kësaj agjencie Jetullah Aliu tha se javën e ardhshme do të dilet me një raport të saktë se sa zyrtarë publikë duhet të deklarojnë pasurinë e tyre. Ai tha se do të bëhet verifikimi i përmbajtjeve të të gjithë formularëve, duke i krahasuar ata më deklarimin e mëhershëm të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë. Për verifikimin më të saktë të të dhënave, Agjencia do të punojë edhe me institucionet tjera përkatëse, thotë Jetullah Aliu.

“Zakonisht duke pasur parasysh se mund të ketë edhe deklarime të rrejshme, ne kemi krijuar kontakte me të gjitha institucionet, vlen të veçohet me administratën tatimore, me drejtoritë nëpër komuna sidomos kur bëhet fjalë për çështjen e pronave”, tha Aliu.

Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë, i obligon zyrtarët publikë në Kosovë që të respektojnë afatet ligjore për deklarimin e pasurisë së tyre. Në të kundërtën do të ketë edhe masa ndëshkimore. Ndërsa në qoftë se vërtetohet se ndonjë zyrtar mund të fshehë pasuritë e tij, atëherë do të iniciohen hetimet të veçanta thotë kryeprokurori Ismet Kabashi.

“Nëse AKK paraqet ndonjë çështje për të cilën dyshon se mund të përmbajë edhe vepër penale, prokuroria do të studiojë atë dhe do të ndërmarrë masat dhe veprimet për të cilat është e autorizuar me ligj dhe varësisht nga çështja do të fillojë procedurën e hetimit ose do të njoftojë agjencinë që nuk ka filluar procedura”, tha Kabashi.

Zbatimin e ligjit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë do ta mbikëqyrë Agjencia kosovare kundër korrupsionit. Ndërsa tash e tutje pasuria e të gjithë zyrtarëve të lartë do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Zyrtarë të agjencisë thanë se kjo do të bëhet e mundur brenda dy muajsh.  

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 gusht 2022  - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu  pret me ceremonitë më të larta shtetërore, me rastin e fillimit të mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 10:00 - Mediat duhet të jenë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më së voni në ora 9:15)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik me organizatat jo qeveritare për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 10:00)

- Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" organizon ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, ora 11:00).

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kabineti i kryetarit, ora 12:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni pret sot në takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ku më pas do të ketë prononcim për media në Zyrën e Kryetarit. (Gjilan, ora 15:00)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. (Velani, ora 15:45)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varrezat e Familjes Jashari. (Kompleksi Memorial  në Prekaz, ora 16:35)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit. (Pallati i Kulturës, "Hasan Prishtina", ora 19:30)