29 Mars 2024

35 për qind të të rinjve të papunë, 67 për qind duan të largohen nga Kosova

Budva, 14 qershor - Papunësia është problemi më i madh me të cilin ballafaqohen të rinjtë e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, në Kosovë në veçanti.

Anketat e realizuara me të rinjtë e të gjitha shteteve Ballkanike tregojnë shifra të larta të përgjigjeve të të rinjve të cilët thotë se papunësia dhe edukimi jo cilësor po ndikojnë më së shumti në ofrimin e një perspektive të sigurtë në jetën e tyre.

35.1 % është mesatarja e papunësisë së të rinjve në rajon.

Ndërkaq, 62 % e të rinjve e konsiderojnë papunësinë si problemin më të madh me të cilin ata ballafaqohen, të përcjellë nga 14 % të të tyre që mendojnë se pamundësia e qasjes në edukim cilësor, është problemi i dytë për ta.

Këto shifra u prezantuan sot në Laboratorin e Rinisë së Ballkanit Perëndimor, projektit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), të organizuar sot në Budva të Malit të Zi.

“Mundësitë e papërshtatshme të punësimit janë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen të rinjtë.  1 në 3 të rinj janë të papunë,  që përkthehet në më shumë se dyfishi i shkallës së papunësisë së të rinjve në BE, 17%. Por, në një notë pozitive, 43% e të rinjve konsiderojnë se është më e rëndësishme ajo që i bashkon se sa ajo çka  i ndan."

"Bashkëpunimi rajonal funksionon. Çdo veprim e aksion që ndërrmerrni,  i jep mundësi vendeve  tuaja të jenë një hap më pranë mundësive më të mira të punësimit për të rinjtë,” tha Pranvera Kastrati, Koordinatore E Tregut të Përbashkët në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në hapjen e Konferencës Përfundimtare “Laboratori i Politikave Rinore për Papunësinë e të rinjve”, sot në Budva.

Veprimtaria, e quajtur "Jepi zë të rinjve, një rajon  i përshtatshëm për JU, organizuar nga Projekti i KBR për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor, mblodhi më shumë se 40 të rinj dhe politikëbërës nga i gjithë rajoni, për të prezantuar aktivitetet e tyre dhe zgjidhjet për çështjet e të Rinjve.

Ditjon Fetahu, Menaxher i Projektit në Këshillin Rinor të Kosovës, duke potencuar se Kosova ka popullsinë më të re në Ballkan, ka thënë se shteti akoma nuk ka krijuar një mjedis për shfrytëzimin e plotë të këtij potenciali të madh. Rrjedhimisht, edhe përqindja e të rinjve për të dalë nga Kosova është jashtëzakonisht e madhe.

“60 për qind e popullsisë së Kosovës janë nën moshën 30 vjeçare. Meqë edhe papunësia është në nivele të larta, edhe numrat e të rinjve të cilët dëshirojnë ta lënë Kosovën për të dalë e punuar në Bashkimin Evropian, është shumë e madhe."

"Natyrisht, këtu ndikojnë shumë rrethana të tjera që kanë ngritur këtë përqindje, duke u nisur nga mungesa e liberalizimit të vizave, sistemi arsimor jo cilësor, mungesa e një sistemi shëndetësor jo të qëndrueshëm e të sigurtë dhe, natyrisht, mungesa e një ekonomie që ofron perspektivë dhe punë të qëndrueshme për ta.”, ka thënë Fetahu.

70 % e të rinjve të Ballkanit Pernëdimor besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ishte gjë e mirë për ekonomitë e tyre respektive, ndërsa 93 % besojnë administratat publike në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të forcojnë mekanizmat për konsultimin dhe përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje.

Sejnur Veshall, zëvendësministër i Kulturës në Kosovë, ka thënë se Qeveria po punon për fuqizimin e një mjedisi që siguron më shumë mundësi për të rinjtë.

“Qeveria ka ndarë 20 milion euro për realizimin e projekteve dhe ideve të reja. Posaçërisht në idetë inovative. Qëllimi ynë që të krijojmë një treg që është në gjendje të përfshijë sa më shumë kërkesat e të rinjve për punë dhe realizimin e tyre.”, ka thënë Veshall.

Laboratori i Rinisë së Ballkanit Perëndimor  - është koha për të ndryshuar, koha për veprim – koha për të rinj!

Projekti tre-vjeçar i financuar nga BE dhe RCC (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), i zbatuar në Laboratorin Rinor të Ballkanit Perëndimor, i cili filloi në janar 2020, synon të ofrojë mundësi për të rinjtë që të marrin pjesë në vendimmarrje. Projekti mbulon gjashtë ekonomi të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedonia e Veriut) në të cilat të rinjtë përbëjnë 21.27% të popullsisë së përgjithshme.

Qëllimi i këtij Laboratori është forcimi i mekanizmave formal dhe joformal të pjesëmarrjes së të rinjve.

Rezultati i pritshëm është rritja e mobilizimit të të rinjve në politikëbërje dhe rritja e bashkë-krijimit të politikave përkatëse me të rinjtë.

Përfituesit më të mëdhenjë të këtij projekti janë Rinia në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Administratat Kombëtare dhe Këshillat Rinor Kombëtar.

 Projekti i Laboratorit Rinor të Ballkanit Perëndimor përpiqet të krijojë një dialog afatgjatë të strukturuar rajonal midis organizatave rinore dhe administratave kombëtare të fokusuar në zhvillimin e përbashkët të politikave që do të rrisin pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, për të përmirësuar mjedisin e përgjithshëm socio-ekonomik dhe lëvizshmërinë e të rinjve në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor përmes llojeve të ndryshme të aktiviteteve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)