19 Prill 2024

U mbajt “Festivali i Domates” në komunën e Mamushës

Prishtinë, 24 korrik - Ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci mori pjesë në “Festivalin e Domates” në komunën e Mamushës. Kjo ngjarje mëton të jetë tradicionale në të ardhmen dhe është e dyta me radhë që organizohet nën patronatin e komunës së Mamushës.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministri Stavileci tha se organizimi i ngjarjeve të tilla mundëson që fermerët, shoqatat e fermerëve dhe ekspertë të kësaj fushe të promovojnë të arriturat e sektorit të prodhimtarisë së domateve dhe perimeve në këtë regjion, si dhe të këmbejnë përvojat e tyre të shquara që afektojnë ndjeshëm zhvillimin e këtij sektori.

Ministria e Bujqësisë, shtoi ministri Stavileci, Hortikulturën e konsideron si një ndër sektorët më prioritar dhe me potencial të shtuar për të rritur nivelin e prodhimtarisë në vend dhe ne tashmë, me vet faktin e dyfishimit të buxhetit për vitin 2010-të, e kemi konfirmuar qartë dhe në mënyrë të vendosur gatishmërinë dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha objektivave që dalin nga Strategjia për Zhvillimin e Hortikulturës.

Vlera e mjeteve të ndara për zbatimin e programit zhvillimor të hortikulturës, këtë vit arrinë vlerën 1.4 milion euro dhe ne kemi hartuar programin e granteve investuese për ngritjen e pemishteve të reja, vreshtave të reja, serrave të reja, si dhe për përkrahje me pajisje për ekonomitë bujqësore.

Tashmë jemi në fazën e realizimit të këtij projekti, vazhdoi më tej ministri Stavileci, dhe vetëm deri me tani në komunën e Mamushës janë investuar rreth 30.000€.

Ndërkaq, duke e përfunduar fjalën e tij, ministri Stavileci tha se fushat e punuara të komunës së Mamushës dhe rezultati i arritur nga fermerët e kësaj ane, janë shembull i mirë për të gjithë ata që mendojnë se s’ka levërdi të punohet toka.

Ndërsa, Kryetari i KK të Mamushës z. Arif Bytyçi tha se komuna e Mamushës ka traditë në kultivimin e kulturave bujqësore dhe rreth 80% e popullatës që jetojnë në këtë komunë merren me bujqësi.

Organizimi i “Festivalit të Domates”, shtoi Bytyçi, ndikon fuqishëm në rritjen e kultivimit të kulturave bujqësore dhe ndihmon prodhuesit që produktet e tyre t’i plasojnë më lehtë në tregun tonë dhe në tregun e jashtëm.

Domatet e Mamushës, janë të njohura në tërë vendin për cilësinë e tyre, prandaj shfrytëzojë rastin që t’i ftojë biznesmenët që të investojnë edhe në këtë pjesë, përfundoi ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)