18 Prill 2024

Sindikata e Bujqve të Kosovës sot mban protesta

Prishtinë, 10 prill - Federata e Sindikatës së Bujqve të Kosovës ka paralajmëruar që sot do të zhvillojë një protestë, në shenjë pakënaqësie me politikat agrare qeveritare. Në këtë protestë pritet të marrin pjesë bujq nga gjithë Kosova në mënyrë të organizuar, madje edhe me traktorë.

Protestën bujqit do ta mbajnë para Ministrisë së Bujqësisë, prej nga më pastaj do të zhvillojnë një marsh drejt ndërtesës së Qeverisë të Kosovës, ku do të paraqiten 16 kërkesat e tyre.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës të Sindikatës së Bujqve të Kosovës, ka thënë se protesta mbahet për shkak të gjendjes shumë të vështirë të bujqve dhe të pakënaqësisë së tyre me politikat agrare qeveritare.

Duke shpjeguar kërkesat e bujqve, të cilat do t’ia drejtojnë Qeverisë së Kosovës, Tahir Tahiri, në një konferencë për mendia një ditë më herët, vuri theksin te subvencionet e ulta për bujqit dhe te kreditimet me kamata të larta për bujqësinë kosovare.

“Kemi kërkuar që bujqit të subvencionohen me nga 200 euro për çdo hektar toke të punuar, të formohet një bankë për dhënien e kredive për bujqit me kamata të ulëta 3 deri në 4 për qind, pastaj subvencione të veçanta për sektorin e qumështit dhe naftës. Kemi kërkuar që 10 për qind e buxhetit të Kosovës të ndahet për bujqësinë e Kosovës”, ka deklaruar Tahiri kërkesat e sindikalistëve.

Gjithashtu është kërkuar nxjerrja e ligjit të punës, ligjit për ndalimin e uzurpimit të tokave, ligjit për organizimin sindikal, si dhe ligjit për sigurim shëndetësor dhe pensional për bujqit.

Është kërkuar të ketë sigurim të produkteve bujqësore, themelim të një instituti shtetëror i cili do të bëjë analizat e tokave bujqësore në Kosovë, si dhe të ndalohet importi jolojal nga Serbia.

Tahiri ka thënë se të gjitha këto kërkesa ia kanë adresuar Qeverisë së Kosovës dhe direkt kryeministrit, Hashim Thaçi. Ai paralajmëroi se protesta nuk do të ndërpritet nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës, e cila si tha ai deri tash i ka injoruar.

Ministri i ri Bujqësisë, Blerand Stavileci, lidhur me protestën e paralajmëruar ka thënë se rruga më e mirë për të zgjidhur problemet është dialogu social ndërmjet palëve të interesit, në këtë rast, ndërmjet Ministrisë dhe bujqve. Ai ka premtuar se do të angazhohet për realizimin e politikave agrare në harmoni me kriteret e shteteve të Bashkimit Evropian dhe me këtë rast prioritet do të jetë përmirësimi i kushteve të bujqve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)