29 Mars 2024

Qytetarët kundër përdorimit të qeseve plastike

Prishtinë, 27 prill - Më se 99 për qind e vizitorëve të panairit Dita e Turizmit në Kosovë 2010, që u organizua të enjten e kaluar, më 22 prill, në Prishtinë, kanë përkrahur iniciativën e studentëve të Institutit për Studime “Pjetër Budi”, të titulluar “Thuaj jo qeseve të plastikës”.

Iniciativa është ndërmarrë me rastin e Ditës së Tokës, si një kontribut modest për ruajtjen e ambientit në Kosovë. Me këtë iniciativë, “Pjetër Budi” kishte për synim vetëdijesimin e qytetarëve që t’i përdorin sa më pak ose të mos i përdorin fare qeset e plastikës, si dhe zëvendësimin e tyre me qese të letrës.

Bazuar në përkrahjen e qytetarëve për iniciativën, “Pjetër Budi” do të kërkojë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të vendosë një taksë për qese të plastikës, ashtu siç funksionon në disa vende të Evropës.

Po ashtu, “Pjetër Budi” do të kërkojë nga ministria procedimin sa më të shpejtë në parlament të ligjit për krijimin e fondit për mbrojtjen e mjedisit, nëpërmjet të cilit parashihet aplikimi i një takse, duke bërë që në mënyrë graduale të sigurohen para për zëvendësimin e qeseve të plastikës me ato të letrës.

Loja “kapuças” për lojë tradiconale

Ndërsa, iniciativa tjetër për zgjedhjen e lojës tradicionale kombëtare, ka nxjerrë si lojën “kapuças” si më të votuarën. Nëpërmjet kësaj iniciative, “Pjetër Budi” deshi të kontribuojë sadopak që Kosova të ketë lojën e vet popullore tradicionale kombëtare.

Duke pasur parasysh që  lojërat popullore kanë rëndësi edukative dhe relaksuese, si dhe karakterizohen me shpirt garues dhe në anën tjetër duke pasur parasysh që Kosova ka një begati, larushi të madhe të lojërave popullore, “Pjetër Budi” propozimet e qytetarëve do t’ia dorëzojë Ministrisë së Kulturës së Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)