29 Mars 2024

Qytetarët kërkojnë të ndalet degradimi i tokës, ujit dhe natyrës në Grykën e Deçanit

Prishtinë, 22 shtator - Një grup prej 9 qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile kërkuan nga Blerim Kuçi të ndal degradimin e tokës, ujit dhe natyrës në Grykën e Deçanit ku po operon kompania Kelkos Energy.

Në këtë takim ishin përfaqësues nga organizatat që mirren me mbrojten e ambientit dhe të ujërave si Pishtarët, KOSID, Mos Ma Prek Lumbardhin, Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit dhe banorë të afektuar nga degradimi i natyrës në fshatrat e Deçanit.

Kelkos/Kelag është kompani austriake që po kritikohet nga aktivistët për shkak se nuk i ka përmbushur obligimet që i ka pasur pas ndërtimit të hidrocentraleve të cilat e kanë shterrur ujin e Bistricës së Deçanit.

Kelkos Energy, kompani Austriake ka ndërtuar dhe operon me disa hidrocentrale në Parkun Kombëtar te Bjeshkëve të Nemuna të Kosovës, më saktësisht në Luginën e Deçanit, e cila eshte e mbrojtur nga Ligji për Parkun Kombëtar “Bjeshket e Nemuna”.

Shpresa Loshaj, përfaqësuese e organiztës joqeveritare “Pishtarët” kërkoi nga ministri që sa me pare te filloj rehabilitimi dhe të përmbushen obligimet që i ka KELKOS-i para se t’i lëshohet leje ujore e mjedisore prej ministrisë së ambientit.

“Kërkojmë të plotësohen kushtet që Kelkos është dashur deri tash t’i plotësojë në bazë të obligimeve që i ka: 1. Rehabilitimi i Grykës së Deçanit; 2. Të ndërtohet bazeni akumulues ose/dhe të rehabilitohet Zalli i Rupes-me ndihme te eksperteve te pavarur. 3. Të zbatohet ligji i cili thotë që 30% e lumit duhet të lihet në rrjedhën e tij e jo të futet i tëri në gypa.4. Të permbushën të gjitha obligimet e Kelkosit ndaj komunës së Deçanit, në mënyrë retroaktive, sipas marrëveshjes kontraktuese” tha Loshaj.

Zalli i Rupës është lokacioni kryesor në Bjeshën e Deçanit që është dashur të riparohet sepse kjo kjo hapësirë eshte shfrytezuar si burim i zallit per ndertimin e Hidrocentraleve. Pas përfundimit të punes në hidrocentrale kjo zone ka mbetur e pa revitalizuar dhe paraqet rrezik per bjeshkataret.

Ardian Ndrecaj, përfaqësues i “Grupit për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit” tha:

“Ne rastin e Kelkosit janë bërë 4 shkelje ligjore, 1. Sipas ligjit në Kosovë hidrocentralet duhet të ipen me koncesione e ky nuk është dhënë me koncesion, 2. Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për këto hidrocentrale është studim që duhet të ishte bërë nga një kompani e licencuar vendore që s’është bërë në këtë rast, 3. Ministria ka dhënë pëlqim mjedisor përderisa kompania nuk i ka përmbushur kushtet e rehabilitimit të natyrës dhe 4. Kelkos është lejuar të shes rrymë pa e pas lejen mjedisore, e ligji thot që ai nuk guxon me shit rrymë pa e pas lejen mjedisore, ligji osht shumë i qartë”

Bajram Gjocaj, banor i Bjeshkës së Deçanit spjegoi se si është ndikuar nga dëmet e shkaktuara nga Kelkosi:

“Gropen qe ka lënë pas Kelkosi para stanit tim ka shkaktu që disa herë me ndodh që me i marrë familjen e me dalë ne shpat për shkak se gropa është mbush me ujë dhe ka pas vërshime. A ka vend ne botë qe i lë fëmijet e rrethuar me gropa e ujë”.

Arben Qorraj, banori tjetër i kësaj bjeshke tha:

“E kam frekuentu at pjesë gati çdo të dytën ditë. Është shkatërru flora e fauna, për shkak se është ndal rrjedha e lumit. Jam shumë i zhgënjyer dhe shpresoj që këto fjalë tona nuk po hasin sot në vesh të shurdhër. “

Ministri Z.Blerim Kuqi, i cili është i njohur më këtë rast tha:

“Çështjen e ndërtimit dhe vrazhdësinë e ndërtimit e kam shumë të qartë. Ne do të mundohemi të insisitojmë në përmirësimin e këtyre kushteve sa të mundemi. Kërkesat tuaja janë legjitime dhe kemi me u mundu me i adresu” tha Kuçi.

Kur aktivistët pyetën se a ka qenë ministri me e pa këtë degradim ai tha:

“Nuk kam shku me e pa se më ka ardh marre se çka ka ndodh aty”, tha ai. “Por gjithashtu ju duhet ta keni të qartë që unë s’kam qenë më parë në këtë post dhe nuk jam përgjegjës për këtë degradim si dhe, duhet të punojmë t’i adresojmë këto çështje sa të mundemi sepse unë sot jam këtu, e nesër s’jam”, shtoi Kuçi.

Kuçi gjithashtu spjegoi se si lejet për ndërtimin e hidrocentraleve janë dhënë në kohën kur Kosova ka qenë në presion të arrijë obligimin që ka dhënë te partnerë ndërkombëtar që rreth 30% të rrymës së prodhuar në vend do të jetë prej burimeve të ripërtritshme. Por, ai e theksoi njëkohësisht që është i vetëdijshëm që Kosova ka shumë pak ujë.

Aktivistët ngritën shqetësimin që është e çuditshme që një investitor si Kelkos/Kelag thirret që është evropian por ka shkaktuar probleme ambientale me hidrocentrale që i ka në vendet tjera të Ballkanit dhe nuk ka faqe të internetit, as informata kontaktuese, gjë që e bën jotransparente këtë kompani dhe njerëzit që afektohen prej punës së kësaj kompanie nuk kanë ku t’i adresojnë pyetjet e tyre e të informohen për këtë biznes.

Përfaqësuesit e KOSID në këtë takim e informuan ministrin e ambientit që rasti i Kelkosit është nën hetime nga prokuroria e Kosovës, gjë për të cilën ata janë  informuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të ciëve KOSID ju ka kërkuar informatë se sa rrymë prodhon KELKOS prej këtyre hidrocentraleve.

Si pretekst se ‘janë nën hetime’ ZRrE nuk kishte dhënë qasje në informata duke e thyer kështu Ligjin për Qasje në Dokumente Publike sipas të cilit informatat duhet të jenë të hapura për publik përderisa gjykata s’ka ndonjë vendim që këto informata janë konfidenciale.

Në takimin që u mbajt në ndërtesën e Ministrisë morrën pjesë edhe Gani Berisha, Drejtor i Departamentit të Ujërave, Muhamet Malsiu, Drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit, Muharrem Nitaj, zv. Ministër dhe Uran Haxha, këshilltar.

Në takim mungoi drejtori i Inspektoratit të ministrisë së ambientit, departamenti që është përgjegjës për mbikqyrjen e përmbushjes së kushteve mjedisore prej operatorëve ekonomik apo personave juridik që e prishin ambientin.

Loshaj e përfundoi takimin me kërkesën që rehabilitimi i Zallit të Rupës të fillojë sa më parë në mënyrë që kjo zonë të jetë e banueshme për bjeshkatarë për verën e ardhshme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)