29 Mars 2024

Promovohen produktet bujqësore në "Dita e Eksportit të Perimeve"

Prishtinë, 15 shtator - Në kuadër të implementimit të projektit “Promovimi i Hortikulturës në Kosovë”, në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, përkatësisht në Qendrën Grumbulluese “Agrocelina”, nga organizata Intercooperation u organizua ‘Dita e Eksportit të Perimeve’.

Në fjalën e rastit, ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci, the se duke i promovuar produktet bujqësore dhe ekonominë e Kosovës ne ndikojmë në rritjen e zhvillimit tonë ekonomik.

“Promovimi dhe forcimi i prodhuesve vendorë do të rezultojë me rritjen e prodhimtarisë vendore dhe në rritjen e cilësisë së produkteve, ku si rrjedhojë do të rritej edhe aftësia konkurruese që çon deri tek zvogëlimi i importeve dhe natyrisht, në zbutjen e deficitit tregtar”.

Ne si Ministri e Bujqësisë, shtoi ministri Stavileci, jemi duke u përballur me vështirësi të shumta dhe në mënyrë permanente jemi duke kërkuar shtigje të reja për të zhvilluar sektorët e bujqësisë, po ashtu, paralelisht jemi duke i rritur edhe investimet nëpër gjithë këta sektorë.

Ministria e Bujqësisë, vazhdoi më tej ministri Stavileci, këtë vit ka dyfishuar buxhetin për investime në sektorin e hortikulturës krahas vitit të kaluar dhe këtë sektor e kemi mbështetur edhe me projekte të tjera, si ai për rregullimin e sistemit të ujitjes, i cili ishte mjaft rezultativ.

“Ne jemi duke u angazhuar edhe në sendërtimin e politikave më të favorshme strategjike për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, sidomos të atyre që kanë për destinim prodhimin dhe promovimin e produkteve vendore, në këtë aspekt, shumë shpejt do të ndërmarrim edhe hapa konkret”.

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, në të ardhmen do të jetë më i madh dhe do të kemi edhe më shumë fonde investuese nga agjensioni i donatorëve që e mbështesin këtë fushë, përfundoi ministri Stavileci.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Rahovecit z. Qazim Çeska, pasi falenderoi ministrin Stavileci dhe përfaqësuesit e organizatave të ndryshme për pjesëmarrjen në këtë eveniment, tha se meritorët më të mëdhenj për festimin e kësaj dite janë fermerët e vyeshëm kosovar.

“Kur them fermerët e vyeshëm, bazohem në mundin, sfidat dhe cilësinë e punës së tyre, e cila po dëshmohet më së miri në cilësinë e prodhimeve të tyre nëpër tregjet vendore, regjionale dhe tanimë edhe në vendet e BE-së”.

Ndërsa, përfaqësuesi i zyrës zvicerane për bashkëpunim në Kosovë z.Samuel Wealty, i cili edhe ka bërë të mundur ngritjen e Qendrës Grumbulluese “Agrocelina”, tek e cila për të funksionuar në këtë mënyrë janë bashkë-investuar gjithsej 33.000 €, tha se janë të kënaqur me suksesin e kësaj qendre në ofrimin e shërbimeve të agronomisë, furnizimit me inpute, dhe shërbimeve të grumbullimit në vend dhe tregtimit nëpër të gjithë botën.

Kosova ka nevojë për vende të reja të punës, si dhe të ardhura shtesë, shtoi Wealty, dhe modeli i “Agrocelinës” tregon përparësinë e qartë të përfshirjes së aktorëve kryesor të sistemit të tregut në të njëjtin aktivitet, duke i përhapur rezultatet tek të gjithë.

“Qendrat grumbulluese do të drejtojnë në rritjen e prodhimit dhe qasja e përmirësuar në treg, do t’ju krijojë prodhuesve besimin për të investuar në bizneset e tyre”, përfundoi ai.

Qendrat grumbulluese luajnë rol themelor në organizimin e tregjeve të hortikultures, duke e grumbulluar prodhimin nga prodhuesit e vogël dhe duke iu lehtësuar qasjen në tregje më të mëdha.

Këto qendra janë duke u përkrahur nga projekti “Promovimi i Hortikulturës në Kosovë” si përgjigje e ndryshimeve strukturore në sektorin e horticultures, ngase dalja e tregtarëve të mëdhenj, supermarketeve dhe përpunuesve është duke nxitur ndryshime të mëdha në sistemin e tregut.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)