26 Janar 2022

Politikat e sektorit të pylltarisë do të bazohen në Strategji

Prishtinë, 8 dhjetor - Grupi Punues për Hartimin e Strategjisë së Pylltarisë 2021-2030 ka mbajtur sot takimin e fundit për finalizimin e kësaj strategjie, e cila pritet të dërgohet gjatë këtyre ditëve për miratim në Qeverinë e Kosovës.

Me këtë rast, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci vlerësoi se kjo do ta bëjë të mundur që politikat e duhura për avancimin e sektorit të pylltarisë tash e tutje të bazohen në Strategjinë për Pylltari 2021-2030, e cila njëherit është hartuar bazuar edhe me Strategjinë e Bashkimit Evropian për Pylltari 2021, si dhe është strukturuar sipas kritereve të dakorduara nga Pyjet e Evropës.

Ministri tregoi se përmes kësaj strategjie, e cila është në vazhdën e harmonizimit me politikat dhe prioritetet e agjendës globale në 50-të vitet e fundit, synojnë t’i adresojnë shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballet sektori i pylltarisë në Kosovë.

“Pyjet kanë rëndësi strategjike dhe duhet t’i shqyrtojnë mundësitë e rritjes së vlerës ekonomike, sociale dhe mjedisore duke ngritur kapacitetet e menaxhimit funksional të pyjeve. Rrjedhimisht një menaxhim funksional rritë mundësitë e punësimit, avancon zonat rurale pasi që aplikohet përdorimi shumë-qëllimor i resurseve pyjore."

"Pylltaria po ashtu duhet parë si sektor, i cili zhvillon dhe fuqizon partneritetin publiko-privat. Dhe përmes Strategjisë së Pylltarisë 2021-2030 do të krijojmë mekanizma të cilat e mbrojnë sektorin nga prerjet ilegale, zjarret e degradimet e tjera të mundshme.”, tha Ministri Peci.  

Ministri me këtë rast ka falënderuar Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe SIDA- n, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë t’i kontribuojnë sektorit të pylltarisë në përgjithësi e që i kanë kontribuar me ekspertizën e tyre edhe hartimit të Strategjisë për Pylltari 2021 – 2030 në veçanti.

Ndryshe, me qëllim të koordinimit ndër-institucional për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, Ministri Faton Peci gjatë këtij viti ka themeluar Task-Forcën ndër institucionale, e cila këtë javë do të miratojë rregulloren e saj dhe Planin vjetor të veprimit për parandalimin dhe zvogëlimin e prerjeve ilegale në pyje.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)