26 Prill 2024

Ndryshimet klimatike shkaktojnë thatësira dhe përmbytje

Washington, 14 qershor - Ndryshimet klimatike kanë shkaktuar thatësira dhe përmbytje të mëdha anembanë botës, duke shkatërruar të mbjellat e drithërave kryesore dhe duke ngritur shqetësimin rreth sigurisë së ushqimit në një planet që po ngrohet me kalimin e kohës.

Studiuesit në Departamentin Amerikan të Bujqësisë po studiojnë drithërat që janë në rrezik si dhe rritjen e farërave të njëjta, por në kushte natyrore, e jo të kultivuara. 

Këto fara, duket se janë më rezistente përballë kushteve ekstreme, dhe duket se nuk ndikohen nga ndryshimet klimatike,  si kulturat e kultivuara.

Agronomi Lewis Ziska ka krahasuar për disa vite orizin e kultivuar dhe një oriz të kuq të rritur në gjendje të egër në natyrë. Shkencëtari i Departamentit Amerikan të Bujqësisë e rrit çdo varietet në temperatura dhe nivele të ndryshme të dyoksidit të karbonit.

Deri tani orizi i kuq ka lulëzuar në tempretura të ngrohta. Ai rritet më shpejt dhe prodhon më shumë se varieteti i kultivuar.

 “Ne po vëzhgojmë orizin e rritur vetë si burim të gjeneve që mund të lejojë orizin e kultivuar që të përshtatet për të patur prodhime të mira edhe me ndryshimet e temperaturës”.

Këto dhomëza lejojnë shkencëtarët që të kontrollojnë nxehtësinë, lagështirën dhe nivelet e dyoksidit të karbonit.

 “Përdorimi i këtyre ambjenteve për rritjen e orizit, na lejon që të kemi qasje për të ndërhyrë tek dyoksidi i përqëndruar i karbonit, i cili ekzistonte që 50 vjet më parë. Me ndërhyrjen tonë ne mund të krijojmë kushte që mund të jenë reale mbas 50 vitesh”.

Dhoma 2 simulon kushtet e sotme. Në qendër është orizi dhe në të majtë është një kulturë e tij. Varieteti në të djathtë është orizi i rritur në natyrë, gjithashtu i lulëzuar.

Në ndarjen e tretë, zoti Ziska thotë se niveli i dyoksidit të karbonit është më i lartë dhe temperatura është dy gradë më e ngrohtë se temperatura e ditës.

“Ky është orizi normal, është lulja që ka nisur të  lulëzojë e të lidhë farat. Ky është varieteti tjetër, çdo gjë ka qenë e njëjtë, por mund të shihni se orizi i rritur në natyrë është më i lulëzuar se i pari”.

Dhomëza e katërt, që është 4 gradë më e nxehtë se temperatura e sotme, ka kushtet të cilat shkencëtarët thonë se bota mund t’i  përjetojë mbas 30 apo 50 vitesh. Orizi i rritur në gjendje të egër në natyrë mbarështohet,  ndërsa orizi i kultivuar ka një përkeqësim të ndjeshëm.

 “Ky oriz ka prirjen të sterilizohet. Lulja dhe poleni i saj sterilizohet në temperatura të larta e si rrjedhim, fusha me të mbjella mund të duket me prodhim të bollshëm, por lulja nuk do të prodhojë farën e orizit”.

Zoti Ziska thotë se orizi normal nuk përballon dot ndryshimet klimatike  që orizi i kuq, i rritur si bimë në natyrë, mundet ta përballojë. Ajo çka është më e rëndësishme, thotë ai, është se shumë drithëra kanë prirje për t’u rritur vetë në natyrë.

“Ne bëjmë atë që bën natyra: ne përzgjedhim gjenet më të mira, por në këtë rast gjenet më të mira rriten nën një kuadër të gjerë rrethanash dhe jo nën rrethana të kufizuara”.

Sipas departamentit të Bujqësisë, Tailanda, Vietnami, Kina dhe Shtete e Bashkuara janë prodhuesit më të mëdhenj të llojeve kryesore të orizit në tregun botëror.  Zoti Ziska thotë se për shumë njerëz në mbarë botën orizi është  ushqimi kryesor.

 “Janë rreth 2-3 miliard njerëz që ushqehen kryesisht me oriz dhe nënprodukete e tij. Është drithi më i rëndësishëm në botë”.

Shkencëtari Lewis Ziska shpreson të prodhojë një farë orizi që rritet natyrshëm , dhe që mund t’u jepet bujqërve 3 deri 5 vitet e ardhshme. Ai thotë se është e nevojshme që të studiojë orizin e kuq nën efektin e thatësirës së madhe dhe situatave të përmbytjeve. 

Ai beson se në pak dekada, orizi do të jetë produkti kryesor i ushqimit, në kushtet kur bota do të përballet me kushte të paparashikuara dhe ekstreme të ndryshimeve klimatike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)