29 Mars 2024

Ministri Stavileci, vizitoi disa ferma në Shtime dhe Lipjan

Prishtinë, 15 korrik - Ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci, me qëllim të përcjelljes së ecurisë së projektit për ngritjen e serrave dhe monitorimin e punës së përfituesve të projektit për grante investuese, vizitoi fidanishten “Godanci” në fshatin Godanc të komunës së Shtimes, përkatësisht fermerin Skënder Ramadani.

Ramadani pasi që e njoftoi detajisht ministrin për mënyrën e punës, problemet, sistemin e ujitjes, mekanizmat për kontrollë etj., shprehu mirënjohje dhe falenderime për përkrahjen e vazhdueshme të MBPZHR-së duke shtuar se kjo lami është mjaft profitabile dhe Kosovës i nevojiten minimum edhe 300 hektarë serra, për t’i plotësuar nevojat e konsumatorëve tanë.

Në fjalën e tij, ministri Stavileci tha se rasti i fermerit Skënder Ramadani shërben si model i punës për të gjitha fshatrat e kësaj ane dhe neve na nevojiten edhe shumë fermerë të tillë si shembuj të mirë të punës, për krijimin e një mjedisi për ide dhe iniciativa të reja, përkatësisht për t’i stimuluar dhe motivuar edhe të tjerët që të ndërmarrin hapa konkret për zhvillimin e sektorit të hortikulurës dhe bujqësisë në përgjithësi, duke shtuar me tej se, këtë vit vlera e mjeteve të ndara për zbatimin e programit zhvillimor të hortikulturës arrin në 1.4 milion dhe tashmë jemi në fazën e implementimit.

Po ashtu, edhe Kryetari i Komunës së Shtimes z. Naim Ismajli tha se puna dhe suksesi i fermerit Skënder Ramadani duhet të na shërbejë si shembull për ta ndryshuar mendësinë e mospunimit të tokave.

Fidanishtes “Godanci”, këtë vit i është aprovuar edhe granti për investime në zgjerimin e serrës me standarde më të avancuara dhe teknologji të reja dhe ky projekt i zgjerimit të serrës, siç parasheh z. Ramadani, numrin e punëtorëve nga 4 të rregulltë dhe 7 sezonal,  e rritë në 10 të rregulltë dhe 30 sezonal.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të projektit të granteve investuese për zhvillimin e sektorit të Perimkulturës, konkretisht ngritjen e serrave, gjatë vitit 2010 është në procedurë të realizimit edhe të rreth 100 projekteve vetëm për këtë sektor. Përmes këtij projekti synohet të zgjatet sezoni i vjeljes në mënyrë që të zvogëlohet shkalla e importit, ulja e kostos së prodhimit duke i mbështetur fermerët me pajisje të reja, rritja e të ardhurave dhe gjenerimi i vendeve të punës, etj.

Të gjitha këto ndikojnë direkt në përmirësimin e standardit dhe kushteve të jetesës në zonat rurale.

Po ashtu, në po të njejtën ditë (15 korrik), ministri Stavileci për ta vëzhguar për së afërmi gjendjen e banorëve dhe përcjellur punën e përfituesve të subvencioneve të ndara nga MBPZHR-ja për projektin e kafshëve të imta (dele dhe dhi), vizitoi edhe fshatin Janjevë të komunës së Lipjanit, me ç’rast takoi edhe famulltarin e Kishës Katolike, Don Maten, përfaqësuesit e Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, mbarështuesin e kafshëve të imta Franjo Golomen, përfitues të tjerë të subvencioneve si dhe banorët e fshatit.

Don Mate, pasi që falenderoi ministrin Stavileci për përkrahjen e komunitetit kroat dhe vizitën, tha se fshati Janjevë ka kushte të volitshme për zhvillimin e bujqësisë/blegtorisë dhe presim që përkrahja e MBPZHR-së të vazhdoi edhe në të ardhmen.

I pranishëm në takim ishte edhe Kryetari i Komunës së Lipjanit z.Shukri Buja, i cili nder të tjera shtoi se Komuna e Lipjanit është gjithmonë e gatshme t’u ndihmojë dhe t’i mbështesë banorët e të gjitha fshatërave përreth, por në mënyrë të veçantë komunitetin e fshatit tuaj, posaqërisht për mënyrat e aplikimit dhe paqartësit e tjera.

Ndërsa, ministri Stavileci tha se MBPZHR-ja është përherë në kërkim të shtigjeve të reja për zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat rurale dhe me subvencionet që ndajmë jemi të interesuar t’i ndihmojmë fermerët e të gjitha komuniteteve. Ndërkaq, për subvencionet e ndara për projektin e mbështetjes së kafshëve të imta, shtoi se sivjet në kuadër të sektorit të qumshtit janë shtuar investimet dhe i nxisim të gjithë të konkurrojnë me sa më shumë projekte.
 
Objektivat e projektit të pagesave direkte për kafshë të imta (10€/1 krerë), janë rritja e numrit të përgjithshëm të kafshëve të imta, rritja e prodhimtarisë së djathit, mishit të qengjit dhe kecit, përmirësimi i infrastrukturës blegtorale dhe përmirësimi i kushteve të përgjithshme të prodhim/përpunimit, përmirësimi i kushteve të jetesës dhe ulja e shkallës së migrimit nga zonat rurale, rritja e të ardhurave për banorët e zonave rurale, gjenerimi i vendeve të punës, etj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)