04 Dhjetor 2022

Ministri Peci qëndroi për vizitë zyrtare në Lituani

Vilnius, 12 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me ftesë të homologut të tij lituanez, Ministrit të Bujqësisë, Kęstutis Navickas qëndroi për vizitë zyrtare dy-ditore në shtetin e Lituanisë.

Gjatë qëndrimit të tij në këtë shtet, Ministri Peci zhvilloi takime të shumta që kishin për qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe ndarjes së përvojave mes dy shteteve në fusha të ndryshme sektoriale.

Gjatë takimit të tij me Ministrin e Bujqësisë së Lituanisë, Kęstutis Navickas, Ministri Faton Peci tha se bashkë me Navickas biseduam rreth thellimit të bashkëpunimit duke ndarë përvojat dhe ekspertizat me qëllim të ngritjes së kapaciteteve, sidomos në instrumentin për ndihmë parahyrëse për zhvillim rural të Bashkimit Evropian – IPARD, në avancimin e politikave, përafrimin e legjislacionit, si dhe procesin e dixhitalizimit.

“Biseduam për sigurinë globale ushqimore dhe shkëputjen e zinxhirit ushqimor në botë, si pasojë e agresionit Rus ndaj Ukrainës, me c’rast  kemi shkëmbyer edhe eksperiencat e dy vendeve tona. Lituania është një nga prodhuesit më të mëdhenj të drithrave dhe të grurit në botë për kokë banori, e aftë për të eksportuar grurë në sasi të konsiderueshme dhe me cilësi të jashtëzakonshme. Prandaj, edhe biseduam për mënyren e bashkëpunimit në këtë fushë, duke filluar nga fara e deri tek plehrat”, u shpreh Ministri Peci pas takimit me z. Navickas.

Në kuadër të kësaj vizite, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci zhvilloi takim bilateral edhe me Ministrin e Ambientit të Lituanisë, Simonas Gentvilas, me ç’rast diskutuan për shumë çështje që ndërlidhen me sfidat mjedisore dhe menaxhimin më të mirë të pyjeve.

Ministri Peci pati rastin të theksoj përkushtimin e tij dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të adresuar siç duhet dhe në kohë sfidat mjedisore dhe klimatike duke vënë në qendër të gjitha aktivitete ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm, efikasitetin e burimeve, mbrojtjen e natyrës, veprimin e klimës dhe përpjektjet e Qeverisë për t'i kthyer këto sfida në mundësi.  

“Ministrin z. Gentvilas e njoftova për përpjekjet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane (EGD), kornizën e BE-së për klimën, Strategjinë e BE-së për Biodiversitetin, Strategjia e BE-së nga ferma në pirun, planin e veprimit për ndotje zero, si dhe ambiciet për vitin 2030 në përputhje me objektivat e ndërmjetme klimatike.

Pyjet në Lituani mbulojnë afërsisht 35% të territorit të saj dhe sot Lituania krahas vendeve të BE-së prinë në ruajtjen e ekosistemit dhe biodiversitetit pyjor. Prandaj, edhe biseduam për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes dy shteteve tona si në ngritjen e kapaciteteve të Kosovës në planet menaxhuese, procesin e inventarizimit dhe krijimin e katastrit pyjorë të Kosovës”, tha Ministri Peci pas këtij takimi.

Ndërkohë, pas këtyre takimeve të një rëndësie të vëçantë, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci premtoi se shumë shpejt produktet tona vendore do të jenë prezent në tregun e shtetit lituanez dhe njëkohësisht falënderoi për mikëpritjen homologun e tij Kęstutis Navickas, të cilin edhe e ftoi që një të ardhmen të afërt ta vizitojë Republikën e Kosovës dhe të njihet nga afër me potencialin zhvillimor që Kosova ofron.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 dhjetor 2022

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, prezantojnë buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Gjakovës. (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë, ora 15:00)