27 Shtator 2022

Ministri Faton Peci afër fermerëve që pësuan dëme

Prishtinë, 18 shtator - Pas reshjeve të shumta të shiut që mbizotëruan në vendin tonë dhe vërshimeve në disa rajone, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë ditës së sotme qëndroi për vizitë në komunën e Gjakovës për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë.

Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Peci tha se edhe këtë vit do të kompensohen dëmet për fermerët të cilët pësojnë nga fatkeqësitë natyrore.

“Si Ministri, edhe këtë vit do realizojmë kompensimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompensohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi."

"Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse. Muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojnë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022”, u shpreh Ministri Peci me këtë rast.

Gjatë kësaj vizite, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci ishte i shoqëruar nga zv. Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Agon Dobruna.

Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, z. Peci takoi edhe Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili e njoftoi me të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut, si dhe me ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)