01 Dhjetor 2021

MBPZHR do të mbjell 1 milion fidanë për pyllëzim këtë vit

Prishtinë, 19 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i shoqëruar nga Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, përfaqësuesit e “Ekipit të Gjelbër” nga Ambasada Amerikane, si dhe anëtarët e Shoqatës KUSA (Kosova United States Alumnis), kanë vizituar sot fshatin Ponesh të Komunës së Gjilanit, ku kanë parë nga afër aktivitetet e pyllëzimeve vjeshtore që janë duke u realizuar në këtë zonë.

Në kuadër të projektit të pyllëzimeve, që implementohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës dhe MBPZhR-ja, do të mbillen 1 milion fidanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Ministri Faton Peci theksoi se pyjet janë potencial i madh për zhvillim ekonomik dhe duke pasur parasysh këtë pyjet janë përfshirë si një nga prioritetet nacionale dhe janë paraparë një varg masash që do të ndërmerren.

“Duke marrë për bazë rëndësinë shumëdimensionale të pyjeve, që nga marrja e mandati tim kam ndërmarrë veprime konkrete që të ngrisim kontributin e sektorit pyjor në ekonominë kombëtare, nëpërmjet ofrimit të kornizës institucionale, dhe rregullativave mbështetëse."

"Në kuadër të këtij angazhimi gjatë këtij viti ne kemi finalizuar Strategjinë për Pyje 2021 - 2030, kemi themeluar Task Forcën Ndër-Institucionale për Pyje, si dhe po avancojmë legjislacionin përkatës respektivisht Ligjin për Pyje i cili është në proces të finalizimit”, ka thënë ministri Peci.  

Ndryshe, sipërfaqja pyjore në Kosovë mbulon diku rreth 44 për qind të territorit dhe këto resurse natyrore me vlera të shumta sociale dhe ekonomike, janë pasuri kombëtare që kanë potencial të madh për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)