28 Mars 2024

Mbështetja e BE-së në zhvillimin ekonomik vazhdon të japë rezultate

Prishtinë, 7 qershor - Përfaqësuesit e familjes së BE-së në Kosovë, përfshirë ambasadorët e shteteve anëtare dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, vizituan sot Kosovën jugore për të parë efektet pozitive që ndihma e BE-së ka në zhvillimin ekonomik, fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ata vizituan “Kooperativën Bujqësore të udhëhequr nga gratë në Krushë të Madhe; ”Shtëpia e Fisnikëve” (muze dhe galeri), dhe verarinë familjare “Vinica Petroviq” në Hoçë të Madhe, si dhe verarinë “Bodrumi i Vjetër” në Rahovec, që të gjitha këto përfituese të granteve të BE-së për zhvillim. Ata gjithashtu vizituan Kishën varrezore të Shën Gjonit në Hoçë të Madhe.

“Me dy raunde të mbështetjes financiare zemërgjerë nga BE-ja në vitin 2014 dhe 2020, në shumën prej më shumë se 400,000 euro, ne kemi arritur të rrisim prodhimin tonë të turshive dhe ajvarit nga 600 në 1,200 tonë."

"Gjithashtu e kemi diversifikuar prodhimin tonë që tani përfshinë 43 produkte të ndryshme”, tha Fahrije Hoti, drejtoreshë e Kooperativës Bujqësore në Krushë të Madhe dhe fituese Çmimit “Evropianja e Vitit 2022” të ndarë nga BE në Kosovë.

“Ne e themeluam kooperativën që të ndihmojmë gratë e veja nga komuniteti ynë që të fitojnë pavarësi financiare dhe qëndrueshmëri. Me ndihmën e BE-së arritëm shumë më tepër. Kooperativa tani punëson 50 gra, pesë burra dhe 20 punëtorë sezonalë shtesë si dhe eksporton në nëntë vende të BE-së”.

Vizita në Hoçën e Madhe u përqendrua në mbrojtjen dhe ruajtjen e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe kapitalizimin e tyre nëpërmjet turizmit kulturor dhe eno-gastronomik. “Shtëpia e Fisnikëve” është rinovur në vitin 2006 nga Agjencia Evropiane për Rindërtim dhe tani funksionon si galeri, muze dhe koloni arti."

"Veraria “Vinica Petrović” ishte mbështetur përmes blerjes së pajisjeve për prodhimin e verës, që i kishte ndihmuar ata të zhvillojnë biznesin e tyre familjar, duke përfshirë një restorant, si dhe të rinovojnë shtëpinë e vjetër familjare.

“Pajisjet fillestare, të cilat na kanë mundësuar të fillojmë të punojmë më seriozisht në prodhimin e verës, i kemi marrë nga BE-ja. Atë mbështetje e kemi zhvilluar më tej dhe tani jetesën tonë e bazojmë në këtë biznes”, tha Sergjan Petrovic, i cili e trashëgoi biznesin e prodhimit të verës nga babai i tij duke e udhëhequr edhe një restorant.

Ndihma e BE-së për “Bodrumin Vjetër” nga viti 2013 deri në vitin 2015 e ndihmoi kompaninë të rrisë cilësinë e verërave të tyre të kuqe dhe të fillojë eksportin në BE. Mbështetja që ata kanë marrë midis viteve 2019 dhe 2022 i mundësoi kompanisë të rrisë prodhimin nga dy në tre milionë litra në vit, mesatarisht, nga të cilat rreth 70 për qind eksportohet në BE.

“Ne jemi mirënjohës ndaj BE-së që na kushtoi vëmendje dhe që kishte besim në planet tona të zhvillimit të biznesit. Rritja që e kemi arritur nuk është e mirë vetëm për kompaninë tonë e cila tani punëson 33 persona, tetë më shumë se dy vjet më parë."

"Kjo rritje ndikon pozitivisht në gjithë rajonin tonë pasi që e kemi rritur numrin e fermerëve të kontraktuar me të cilët punojmë nga 157 në 185”, tha Ruzhdi Haxhijaha, pronar dhe drejtor i verarisë.

Mbështetja e BE-së për “Bodrumin e Vjetër” ka arritur në shumën prej 850,000 euro.

BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare në Kosovë.

Nga viti 2007 deri në vitin 2020, përmes fondeve të asistencës BE-ja e ka ndihmuar Kosovën me 1.21 miliardë euro.

Falë mbështetjes së BE-së për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, 100 agrobiznese kanë miratuar standardet e BE-së për prodhim dhe 80 agrobiznese e kanë rritur efiçencën e energjisë, ndërsa janë punësuar më shumë se 500 të rinj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)