26 Janar 2022

Kosova dhe Shqipëria konkretizojnë bashkëpunimin në bujqësi

Elbasan, 26 nëntor –  Kosova dhe Shqipëria e kanë konkretizuar bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë. Ky Memorandum Mirëkuptimi është nënshkruar sot nga Ministri i MBPZhR-së, Faton Peci dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Shqipërisë, Frida Krifca, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që u mbajt sot në Elbasan.

Ministri Faton Peci, ka treguar se me nënshkrimin e këtij Memorandumi, do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në mes të dyja shteteve, duke e parë këtë sektor si një nga potencialet kryesore për zhvillimin e dy vendeve.

”Do të bashkëpunojmë në përafrimin e Politikave të Përbashkëta Bujqësore,  në shkëmbimin e informatave dhe përvojave në zhvillimin e sistemeve operacionale të zbatimit për përdorimin e fondeve të para anëtarësimit të BE–së dhe fondet për zhvillim rural të pas–anëtarësimit, si dhe në Zhvillimin e Sistemit të Gjithmbarshëm të Kontrollit dhe Administratës së Integruar. Krahas kësaj, përmes këtij memorandumi do të angazhohemi për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare duke hequr tarifat e kontrollit për import - eksportet, dhe angazhimin për mos rritjen e tarifave të tjera në të ardhmen”, ka theksuar Ministri Peci. Ndër tjerash, ai potencoi se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve do të orientohet edhe në fushën e agroturizimit, blegtorisë, vreshtarisë dhe verëtarisë.

Në anën tjetër, Ministrja Frida Krifca, vlerësoi se me këtë Memorandum përcaktohet angazhimi për mbështetjen dhe inkurajimin e përbashkët në marrjen e masave të duhura në pajtim  me  legjislacionin përkatës në fuqi për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit reciprok të dobishëm për të dyja palët. “Me këtë Memorandum do të angazhohemi në shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes së resurseve peshkore, në shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian, në shkëmbimin e informatave teknike dhe ekspertëve në fushën e koordinimit  të asistencës së jashtme, menaxhimit të procesit të Integrimit Evropian, ndërtimin dhe fuqizimin e strukturave të angazhuara në këto procese”, theksoi Ministrja Krifca.

Po ashtu, ajo theksoi se krahas gjithë këtij bashkëpunimi, do të orientohen edhe  në shkëmbimin e ekspertëve në lidhje me projekte mbi programet analitike, si dhe në shkëmbimin e përvojave rreth integrimit të gruas fermere, si dhe mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së saj në veprimtaritë e ndryshme bujqësore.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)