18 Qershor 2021

Institucionet e Kosovës fillojnë kampanjën për mbjelljen e një milion drunjve

Prishtinë, 5 qershor - Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i është bashkuar kampanjës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, për mbjelljen e një milion drunjve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo kampanjë po realizohet me bashkimin e forcave të këtyre tri institucioneve.

 “Gjersa po punojmë vazhdimisht për të siguruar një ringritje të qëndrueshme pas pandemisë e kemi të qartë që çfarëdo që do të ndërmarrim nuk mundemi kurrsesi ta bëjmë atë duke anashkaluar mbrojtjen e mjedisit, përkundrazi mbrojtja e mjedisit është prioriteti ynë i përbashkët.''

''Prandaj i kemi bashkuar forcat për të filluar kampanjën nëpërmjet së cilës synojmë  mbjelljen e një milion drunjve gjatë muajve në vijim”, ka thënë presidentja Osmani.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë thirrje për t’u bashkëngjitur në këtë kampanjë për mbjelljen e  një milion drunjve në gjithë Kosovën, krejt kjo me qëllim që vitin tjetër Dita Botërore e Mjedisit ta gjejë Kosovën me një ambient më të gjelbër.

“Shpyllëzimi në vendin tonë ka arritur nivele shqetësuese e ndotja  e ajrit mbetet një ndër problematikat kryesore ndër vite, prandaj të angazhohemi së bashku sot në mënyrë që e ardhmja të frymoj lirshëm nesër.''

''Aktivitetet tona sociale e ekonomike t’i zhvillojmë në një mjedis më të shëndosh”, ka thënë ministri Faton Peci.

Në anën tjetër, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bën thirrje që të mbrohet mjedisi, pasi që në këtë mënyrë thotë se mbrohet edhe kombi.

“Sfidat  kemi të shumta e të përbashkëta, por besoj fuqishëm që nga sot po hapim një kapitull të ri të mentalitet qeverisës  në vendin”, ka thënë ministri Aliu.

Ndryshe, kampanja për mbjelljen e 1 milion drunjve ka filluar sot dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.

Kjo kampanjë mbështetet nga Presidenca e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Qershor 2021 - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli do të vizitojnë banesat kolektive ku janë përfunduar punimet për renovimin e kulmeve, si dhe ku kanë filluar punimet për lyerjen e korridoreve. (Përballë Qendrës Sportive, ora 10:00)

- Anulohet -  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mban tryeza e radhës bashkëbisedim me Ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli. (Zyrat e Odës Amerikane në Pejton, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, shefi i misionit të UNHCR, Erol Arduc, Drejtuesi i sektorit të bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, dhe Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, znj. Ulrika Richardsondo të zbulojn pllaken e përurimit të një pjese të sapo renovuar të Qendrës së Azilit, në Vranidoll të komunës së Prishtinës. (Qendra e Mbajtjes në Fshatin Vranidoll, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me nënkryetaren Memnuna Ajdini do të vizitojnë rajonin e Zhupës, ku do të shohin nga afër projektet e realizuara në këtë rajon. (Rajoni i Zhupës, ora 10:30)

- Kolegji Universum organizon një ligjeratë publike me Alain Le Roy - diplomat francez i cili ka qenë Zv. Sekretar i përgjithshëm i OKB-së, udhëheqës i gjitha operacioneve globale paqeruajtëse të OKB-së në botë, Ambasador i Francës dhe shumë poste tjera të rëndësishme. (Hapësirat e kolegjit Universum në kampusin e Lipjanit, ora 11:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton formimin e grupeve punuese për mbikëqyrjen e ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00)

- Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina mban në konferencë për shtyp rreth më të rejave të klubit. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 14:00)

- Prointegra organizon takim publik ''Kosova në lëvizje - Kontributi i diasporës''. (Online nëpërmjet ZOOM, ora 14:00)