24 Prill 2024

Finlanda mbështet zhvillimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë

Prishtinë, 9 qershor - Filloi projekti “Mbështetje Zbatimit të Politikave dhe Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë në Kosovë”.

Ky projekt, i cili u prezantua sot në objektin e MBPZHR-së, në një takim të përbashkët ndërmjet ministrit Stavileci dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Finlandës dhe të FAO-s është i fokusuar në zbatimin e strategjisë së miratuar për zhvillimin e pylltarisë në Kosovë 2010 – 2020.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se projekti i financuar nga Qeveria e Finlandës do ta ndihmojë zbatimin e aktiviteteve në kuadër të shtyllës së parë dhe asaj të tretë të strategjisë së pyllarisë dhe do të ndikoj fuqishëm edhe në pjesën tjetër të aktiviteteve që lidhen me realizimin e caqeve finale që dalin nga kjo strategji.

“Ne jemi duke punuar në zbatimin e strategjisë së pylltarisë dhe në një varg aktivitetesh që lidhen me reformën ligjore dhe institucionale për këtë sektor. Një element shumë i rëndësishëm i natyrës ligjore që lidhet drejtpërdrejtë me këtë strategji është edhe ligji i ri për pyjet, i cili është në agjendën tonë legjislative dhe shpresojmë që deri në muajt e fundit të vitit do të hyjë edhe në fuqi”, tha ministri Stavileci.

Ai shtoj më tej se, kuadri i ri ligjor së bashku me kuadrin institucional dhe njerëzor do ta lehtësojnë edhe shumë zbatimin e kësaj strategjie, qëllimet e së cilës janë që të arrijmë përfitime të shumëfishta, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social dhe ekologjik.

Ismo Kolehmainen, Zv.Drejtor i Njësisë për Zgjerim të BE-së në Ballkanin Perendimor, i cili ishte edhe përfaqësues i Qeverisë së Finlandës në këtë takim, tha se qëllimi kryesor i programit është zvogëlimi i varfërisë në pajtueshmëri me objektivat e strategjisë për zhvillimin e pylltarisë në Kosovë.

“Finlanda do të kontribuojë në këtë projekt me një shumë prej 3 milionë euro, sepse shfrytëzimi i qëndrueshëm i pyjeve është një prej faktorëve kyç në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës, si dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës, sidomos në zonat rurale dhe malore”, tha Kolehmainen.

Ai potencoi më tej se, objektiv i përgjithshëm i projektit është që të ngritet kontributi i sektorit të pylltarisë në ekonominë nacionale, përmes shfrytëzimit në mënyrë të qëndrueshme të resurseve pyjore, gjithmonë duke e konsideruar pylltarinë si shumëfunksionale, e cila përfshinë përfitimet ekonomike, sociale dhe mjedisore, si dhe duke marrë për bazë edhe ndikimin e saj në zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Kohëzgjatja e projektit është tri vjeçare dhe agjencioni ekzekutues i projektit është Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), e cila është e vendosur në objektin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)