20 Prill 2024

Dy të tretat e popullatave të botës së egër kanë pësuar rënie që nga viti 1970

Prishtinë, 10 shtator - Popullsitë globale e gjitarëve, zogjve, amfibëve, zvarranikëve dhe peshqve kanë pësuar një rënie mesatare prej dy të tretave në më pak se gjysmë shekulli për shkak të shkatërrimit të mjedisit i cili po kontribuon në shfaqjen e sëmundjeve zoonotike siç është COVID-19, sipas Raportit mbi Gjëndjen e Planetit 2020, të publikuar sot.

Raporti mbi Gjëndjen e Planetit 2020 paraqet një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës së botës sonë natyrore përmes Indeksit të Planetit të Gjallë (LPI), i cili gjurmon tendencat në shumëllojshmërinë e botës së egër në planet.

LPI, i siguruar nga Shoqëria Zoologjike e Londrës (ZSL), tregon se faktorët që besohet se rrisin cënueshmërinë e planetit ndaj pandemive - përfshirë ndryshimin e përdorimit të tokës dhe përdorimin dhe tregtinë e kafshëve - ishin gjithashtu disa nga arsyet e mesatares në rënie me 68% të popullatës globale të specieve të vertebrorëve midis viteve 1970 dhe 2016.

Sidoqoftë, shkaku kryesor i rënies dramatike është humbja dhe degradimi i habitatit, duke përfshirë shpyllëzimet, shkaktuar nga mënyra se si njerëzimi prodhon ushqimin.

"Raporti mbi Gjëndjen e Planetit 2020 nënvizon se si shkatërrimi në rritje i natyrës nga njerëzimi po sjell ndikime katastrofike jo vetëm në popullatat e botës së egër, por edhe në shëndetin e njeriut dhe të gjitha aspektet e jetës sonë", tha Marco Lambertini, Drejtori i Përgjithshëm, WWF International.

 "Ne nuk mund t'i injorojmë provat - këto rënie serioze në popullatat e specieve të botës së egër janë një tregues që planeti ynë po ndez shenjat e kuqe paralajmëruese të dështimit të sistemeve."

Biodiversiteti i ujërave të ëmbla i rrezikuar më shumë

Biodiversiteti i ujërave të ëmbla po bie më shpejt se çdo tjetër. Që nga viti 1900 ne kemi humbur më shumë se 70% të ligatinave globale, ndërsa popullatat në habitatet e ujërave të ëmbla kanë pësuar një rënie prej 84% - më shumë se ato të oqeaneve ose pyjeve.

Lumenjtë e botës po mbyten nga infrastruktura ekzistuese dhe e re, konsumi i ujit po rritet çdo vit, peshkimi i ujërave të ëmbla po zbrazet dhe jetesa e miliona njerëzve është në rrezik. Situata nuk është e ndryshme në rajonin tonë.

"Kosova është i vetmi vend në kontinentin Evropian i deklaruar në "stres uji", që tregon një sasi të pamjaftueshme të ujit të reciklueshëm për person dhe rezulton në mungesë të ujit në periudha të caktuara të vitit. Pritet që ndryshimi i klimës, rritja e popullsisë dhe rritja e nevojave për ujë do të rezultojë në rritjen e presionit në ekosistemet e ujërave të ëmbla tashmë të dëmtuara ”, paralajmëron Fabien Téchené nga WWF Adria.

"Të gjitha rrjedhat ujore në të gjithë territorin e Kosovës janë shumë të ndotura sipas institucioneve të Kosovës, veçanërisht për shkak të mungesës së trajtimit të ujërave të zeza nga përdorimet shtëpiake dhe industriale dhe asgjësimit të mbetjeve të ngurta."

"Ndikimi i minierave të rërës (të ligjshëm ose të paligjshëm) në habitatet e ujërave të ëmbla është gjithashtu i dukshëm përgjatë lumenjve kryesorë të Kosovës. Në këto kushte, rrjedha të lumenjve të pa ndotur kanë mbetur kryesisht në zonat rurale dhe malore, dhe më veçanërisht brenda Zonave të Mbrojtura të Kosovës (11% e territorit të Kosovës), të cilat marrin pjesën më të madhe të biodiversitetit të vendit. "

“Prandaj do të pritej nga autoritetet shtetërore që të reagojnë dhe t'i kushtojnë vëmendje të veçantë habitateve të paprekura të ujit të ëmbël të Kosovës, të cilat janë sot nën kërcënimin e zhvillimit të paqëndrueshëm dhe të pakontrolluar të hidrocentraleve të vogla."

"Në vend të kësaj, institucionet e Kosovës dorëzuan dhjetëra leje ndërtimi për kompanitë e hidrocentraleve gjatë dekadës së fundit, shumë prej tyre ishin të vendosura brenda Zonave të Mbrojtura. Nëse asgjë nuk është bërë për të ndaluar projekte të tilla dëmtuese, patjetër që mund të vulosë fatin e specieve dhe habitateve të ujërave të ëmbla të Kosovës".

Duke rritur biodiversitetin e ujërave të ëmbla, ne po mbështesim shëndetin e njeriut në një larmi mënyrash - nga ulja e rrezikut të sëmundjeve të reja deri te sigurimi i ushqimit për një numër të madh njerëzish.

Trendet aktuale tregojnë që ne duhet të veprojmë tani. Për të përkulur kurbën e humbjes së biodiversitetit të ujërave të ëmbla, ne duhet të zbatojmë një plan emergjence me gjashtë hapa. Kjo përfshin lejimin e lumenjve që të rrjedhin natyrshëm, zvogëlimin e ndotjes, mbrojtjen e habitateve kritike të ligatinave, dhënien fund peshkimit të tepërt dhe nxjerrjes së paqëndrueshme të rërës, kontrollin e specieve invazive dhe ruajtjen dhe rivendosjen e ndërlidhjeve natyrore.

Prodhimi dhe konsumi i ushqimit nxitësit kryesorë të humbjes së biodiversitetit

Një plan i ngjashëm emergjence është i nevojshëm për të gjithë biodiversitetin global. Stabilizimi dhe përmbysja e trendit të humbjes së natyrës do të jetë i mundur vetëm nëse përqafohen përpjekje më të guximshme, më ambicioze dhe bëhen ndryshime transformuese në mënyrën e prodhimit dhe konsumimit të ushqimit.

Ndryshimet e nevojshme përfshijnë prodhimin e ushqimit dhe tregtinë më ekologjikisht të qëndrueshme dhe efikase, zvogëlimin e mbeturinave dhe favorizimin e dietave më të shëndetshme dhe më miqësore me mjedisin.

Rënia globale e biodiversitetit po kontribuon në rritjen e pabarazive globale, thellimin e ndarjes Veri-Jug dhe rritjen e cënueshmërisë së komuniteteve më të prekura nga humbja e natyrës.

Prandaj, çdo veprim që synon përkuljen e kurbës së humbjes së biodiversitetit duhet të adresojë çështjet themelore shoqërore dhe ekonomike të sjella nga rënia globale. Ne duhet të zhvendosemi drejt një prodhimi dhe ekonomie të drejtë dhe të qëndrueshme të ushqimit, punës së drejtë, zvogëlimit të mbeturinave, aksesit të barabartë në burimet natyrore dhe qasjes së integruar të rekuperimit dhe ruajtjes së natyrës.

Zbatimi i këtyre masave së bashku do të lejojë që bota të zbusë më shpejt trysninë mbi habitatet e botës së egër. Përkundrazi, nëse bota vazhdon me "punën si zakonisht", nivelet e humbjes së biodiversitetit të parë që nga viti 1970 do të vazhdojnë edhe gjatë viteve të ardhshme.

Udhëheqësit botërorë duhet të veprojnë tani

Raporti mbi Gjëndjen e Planetit 2020 publikohet më pak se një javë para sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kur udhëheqësit pritet të rishikojnë progresin e bërë në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Marrëveshjen e Parisit dhe Konventën për Diversitetin Biologjik (CBD). UNGA 2020 do të sjellë së bashku udhëheqësit botërorë, bizneset dhe shoqërinë civile për të zhvilluar kornizën “post-2020” me nevojën për veprim për biodiversitetin global duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm për të vendosur bazat për një Marrëveshje të Re për Natyrën dhe Njerëzit.

Lambertini tha: "Nëse do të kemi ndonjë shpresë për të ripërtërirë natyrën për t'u siguruar brezave të tanishëm dhe të ardhshëm atë që u nevojitet, atëherë udhëheqësit botërorë duhet - përveç përpjekjeve për ruajtjen e natyrës - ta bëjnë sistemin tonë ushqimor më të qëndrueshëm dhe të heqin pyjet nga zinxhiri i furnizimit. Me udhëheqësit që mblidhen virtualisht për Asamblenë e Përgjithshme të KB brenda pak ditësh, ky hulumtim mund të na ndihmojë të sigurojmë një Marrëveshje të Re për Natyrën dhe Njerëzit e cila do të jetë thelbësore për mbijetesën afatgjatë të popullatave të botës së egër, bimëve dhe insekteve dhe tërë natyrën, përfshirë gjithë njerëzimin.”


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)